Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Maliqi, e cilësoi si të drejtë kallëzimin e bërë nga Ilir Meta ndaj drejtorit të përgjithshëm të burgjeve, Klevis Qose, duke e konsideruar sjelljen ndaj ish presidentit një hakmarrje politike.

Në një intervistë për Report TV, Maliqi deklaroi se paraburgimi i Metës dhe kufizimet e vendosura ndaj tij përbëjnë shkelje të rënda të të drejtave ligjore dhe politike.

“Përveç arrestimit anti ligjor dhe banditesk, të pranuar botërisht, pavarësisht se Altin Dumani tha që 'dënoj veprimin dhe s’mbaj përgjegjësi', pavarësisht se për mua ai është pjesë e skenarit bashkë me Ramën, ish ministrin Hoxha dhe me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Është një hakmarrje politike primitive e njerëzve të vegjël ndaj ish presidentit Meta ”,  u shpreh Maliqi.

Ai akuzoi Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në burgun 313 për shkelje të rënda, duke pretenduar se Metës i janë ndaluar takimet me familjarët, telefonatat dhe kontaktet politike.

“Për mua nuk ka prova dhe duhej të ishte I lirë nën një masë më pak shtrënguese. Është e patolerueshme shkelja e rëndë E drejtorisë së përgjithshme të burgjeve dhe të JVP 313, ku nuk kanë faj ata se kanë urdhër politik, ku zoti Metës I janë ndaluar takime me familjarë, telefonatat si president dhe drejtues I partisë së dytë në opozitë, I kanë ndaluar kontaktet me sekretarin e përgjithshëm të partisë. Është për të qeshur dhe absurd që as deputetët e partisë nuk lejohen ta vizitojnë” tha ai.” tha Maliqi. 

Sa i përket kallëzimit penal, ish-deputeti theksoi se hetimi duhet të zhvillohet sipas ligjit.

“Kallëzimi është e drejtë ligjore dhe shpresoj që hetimi të bëhet siç duhet. Besoj se drejtori i burgjeve do të mbrojë veten dhe përgjegjësinë do ta kalojë te institucioni i paraburgimit,” u shpreh ai.

Maliqi shtoi se Meta, sipas tij, mbetet i angazhuar politikisht edhe nga paraburgimi.

“Është më i fortë se kurrë. Na përcjell mesazhe se e drejta do të dalë dhe se duhet të vazhdojmë punën në bazë,” tha Maliqi, duke përmendur edhe aktivitetet e tij në zona si Skrapari dhe Kuçova, ku deklaroi se ka ndihmuar familje në nevojë gjatë festave të fundvitit.

Sa I përket zhvillimeve brenda Partisë Demokratike, Maliqi i vlerësoi protestat e saj si masive duke besuar se “qeveria teknike” do të ndodhë falë tyre..

“Ka ardhur koha e një pune në bazë. 13 vjet në opozitë është vdekjeprurëse për Partinë Demokratike”, nënvizoi Maliqi.