Të shtunën në pikën kufitare me Greqinë në Kapshticë u krijua sërish radhë pasi ishin të shumtë qytetarët të cilët kërkonin të kalonin në vendin fqinj. Por duke qenë se kuota prej 300 vetësh u plotësua herët, mjaft të tjerë qëndruan në radhë, duke pritur mëngjesin e sotëm.

'Report Tv' mëson se të gjithë ata që mbrëmë pritën në radhë, duke mos u kthyer mbrapsht apo shkuar në hotele, kanë kaluar për në Greqi mëngjesin e sotëm. Por ky fluks ka bërë që kuota e sotme të plotësohet shumë shpejt. Më ekzaktësisht rreth orës 07:40.

Kjo ka bërë që të krijohet një shqetësim, ndoshta edhe për mosakordim të palës greke, sepse shumë persona që qëndrojnë në kufi shprehen se sot u skadon afati për të kaluar, në një kohë kur kuotat ua kanë zënë ata që qëndronin në radhë dje. Siç duket Greqia jep më shumë se 300 konfirmime në ditë për pikën kufitare të Kapshticës. 

Mbi 100 emigrantë kanë mbetur të bllokuar në pikën kufitare të Kapshticës. Pjesa më e madhe e tyre kanë ardhur që në orët e hershme të mëngjesit, por do të presin deri ditën e nesërme për të kaluar kufirin grek.

Disa nga qytetarët shprehen të shqetësuar se do t'u përfundojë afati i bërjes së tamponit dhe do duhet të kthehen sërish për ta bërë. I gjithë ky proces ka një kosto të madhe për qytetarët shqiptarë, pasi tamponët bëhen në klinika private dhe kushton.

"Vij nga Tirana dhe sot më përfundon tamponi në orën 2. Ndërkohë nga aplikimi online kam marrë konfirmimin për të kaluar sot. Unë u dogja. Do qëndroj këtu me shpresën se mund të kaloj,"-shprehet një emigrant.

Ndërkohë një tjetër deklaron: "Po pres dhe unë si të gjoithë të tjerët, më mbaron sot. Lejen e kam marrë. Situatë shumë e rëndë. paguaj biletën, paguaj të gjitha dhe të kthejnë mbrapsht."

Sakaq kishte edhe ata që ishin shumë të revoltuar me shtetin: "Nuk ka shtet, nuk ka asnjë kulturë. Na shkatërruan, se kam 20 vjet që kaloj këtu. Unë do kthehem mbrapsht dhe do paguaj prap. Unë punoj gjithë ditën në beton dhe vij e kaloj këtu. 300 euro duhen për të kaluar, ndërkohë që kaq para nuk i merr për një muaj në Shqipëri."

Një tjetër emigrant thotë se çmimet janë dyfishuar këtë periudhë: "Unë kam që në orën 5 të mëngjesit që pres këtu, në 5 e 10 u plotësu numri dhe presim ditën tjetër tani, por na mbarojnë letrat. Unë do pres, se ku të iki. Në autobus nuk ka shans të respektohen as rregullat e koronavirusit, se kemi qenë 70 vetë brenda. Kanë dyfishuar edhe biletën."

Shteti grek më herët ka njoftuar disa masa për kalimin e kufitrit, siç aplikimi për të kaluar, testi i koronavirusit brenda 72 orëve dhe kuota prej 300 personash.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:12
Mbi 100 emigrantë mbeten të bllokuar në Kapshticë, do të presin mëngjesin për të kaluar në Greqi

Mbi 100 emigrantë kanë mbetur të bllokuar në pikën kufitare të Kapshticës. Pjesa më e madhe e tyre kanë ardhur që në orët e hershme të mëngjesit, por do të presin deri ditën e nesërme për të kaluar kufirin grek.

Disa nga qytetarët shprehen të shqetësuar se do t'u përfundojë afati i bërjes së tamponit dhe do duhet të kthehen sërish për ta bërë. I gjithë ky proces ka një kosto të madhe për qytetarët shqiptarë, pasi tamponët bëhen në klinika private dhe kushton.

"Dëm na bëjnë, sepse do bëjmë prapë tamponin na shkojnë 300 mijë lekë. Kthehemi sërish aty ku ishim", thotë një nga qytetarët.

Gazetarja raporton se për momentin nuk ka një autoambulancë për t'u ardhur në ndihmë personave që mund të kenë probleme shëndetësore. Por, ditën e djeshme në momentin që është kërkuar një ambulancë, ajo ka ardhur në një kohë të shkurtër.

"Vij nga Peqini. Që nga ora 5 e mëngjesit po qëndroj në pritje. Të shohim cfarë do bëjmë, ndoshta ikim. Situata është shumë e keqe. Në pritje e sipër nuk kemi gjë në dorë. Ne i kemi bërë detyrimet tona. Jemi mbi 40 veta në autobus. Nesër na kanë thënë që në orën 7 të mëngjesit mund të kalojmë", thotë një qytetar.

Ora 12:56
Të bllokuar nga policia larg kufirit, fëmijët në Kapshticë: Na lejoni të afrohemi, nuk kemi as bukë as ujë (VIDEO)

Në rrugën dytësore të fshatit kapshticë janë disa automjete dhe rreth 50 qytetarë, të cilët kërkojnë që të bashkohen me pjesën tjetër në kufi me Greqinë. Ata janë ndaluar të kalojnë nga policia për të mos krijuar radhë të gjata, por shprehen të shqetësuar se në vendin ku janë aktualisht nuk kanë as bukë të hanë.

Në këtë rrugë, jo shumë larg nga pika kufitarë ka edhe fëmijë, të cilët përveçse duken të mërzitur kërkojnë edhe të ushqehen.

"Është shumë e vështirë. Nuk di çfarë të bëjmë. Nuk kemi as bukë as ujë, presim gjithë këto orë. Dua të kaloj,"-shprehet një fëmijë, ndërkohë që e motra e saj deklaron: "Kam disa orë dhe është e vështirë. Dua të kaloj kufirin. Ushqime nuk ka mjaftueshëm."

Ndërkohë një nënë e cila kishte fëmijën përtej kufirit filloi edhe të qante: 'Do qëndroj këtu përgjatë gjithë natës, jemi pa ujë dhe ushqime. Jam shumë e shqetësuar sepse kam fëmijën në Greqi."

Vështirësitë nuk mungonin as për qytetarët e tjerë: "Kam ardhur nga Bleshi dhe po qëndroj që prej orës 6 e gjysmë. Ujë nuk kemi, as bukë nuk kemi. Ne kërkojmë të afrohemi afër pikës sepse këtu s'kemi asgjë. Është shumë vështirë situata."

Ora 11:57
Në radhë në Kapshticë, qytetarët-policisë: Na lini të shkojmë në doganë, këtu s'ka as banjë, ngelëm ferrave, s'jemi bagëti

Mbi 50 qytetarë janë bllokuar nga postblloku i policisë në fshatin Kapshticë. Ata janë në pritje prej orës 7 të mëngjesit, por kuota u plotësua dhe tashmë janë në radhë për nesër. Qytetarët kërkojnë nga policia që të lejohen të shkojnë në doganë.

"Jemi shumë keq këtu. Nuk ka as banjë kemi gra e fëmijë nuk kanë ku të kryejnë nevojat personale. Të na lejojnë të shkojmë pranë doganës të presim atje dhe kështu mbajmë edhe radhën. Është turp po futemi ferrave për të kryer nevojat tona personale. Bagëti jemi ne?!

Shteti të reagojë po na bllokojnë kot këtu. Kemi paguar 120 euro për të bërë tamponin dhe tani në mes të rrugës po rrimë" thanë qytetarët.

Ora 11:28
Policia ngre postbllok, por qytetarët vijojnë të vijnë në Kapshticës: Do presim këtu, nesër na skadon tamponi (VIDEO)

Policia ka ngritur një postobllok pranë pikës kufitare të Kapshticës për të mos lejuar qytetarët të afrohen, pasi për sot, kuota për të kaluar drejt Greqisë është plotësuar. Gjithsesi, pavarësisht kësaj, raportohet se ka makina të cilat afrohen dhe i shtohen vargut të gjatë të radhës.

Ndërkohë sipas burimeve të 'Report Tv' pala shqiptare po negocion me atë greke për të toleruar mbi kuotën e 300 personave, por hë për hë kjo duket e vështirë.

Sakaq qytetarët të cilët po presin shprehen të shqetësuar se po u skadon tamponi: "Vij nga Durrësi dhe nga 2 e natës kam zënë radhën. Nuk e di a do kaloj sot. Do pres këtu sepse ndryshe humb vendin e punës nesër. Edhe tamponi mbaron nesër dhe më duhet patjetër të pres. Mua më duket se dy shtetet nuk bashkpunojnë. Do qëndroj këtu deri nesër, pasnesër, derisa të kaloj. Shteti shqiptar është në gjumë. Nuk kanë marrëdhënie me shtetin grek."

Një tjetër qytetar shprehet: "Unë vij nga Tirana. Smund të bëjmë asgjë, vetëm durim po bëjmë. S'na ndihmon asnjëri, jemi në pritje nga pala greke. Unë jam vetëm, por nëse je me familjarë është shumë e vështirë. Jam i pajisur me çdo gjë për të kaluar deri nesër në mëngjes, pastaj më digjen. Shteti shqiptar s'po na ndihmon."

Ndërkohë një tjetër deklaron: "Kam që nga ora 5 e mëngjesit që pres. Këtu është shumë nxehtë. Nesër në mëngjes më përfundon tamponi dhe më duhet të kaloj patjetër."

Ora 10:15
Kuota u plotësua, të tjerët në pritje! Pamje me DRON nga situata në Kapshticë (VIDEO)

Report Tv sjell pamjet me dron nga pika kufitare e Kapshticës për të treguar atë që po ndodh në këtë doganë. Në radhë për të kaluar kufirin janë 3 autobusë dhe mbi 20 makina të vogla, gjithsej rreth 100 qytetarë. Por qytetarët shqiptarë nuk mund të kalojnë kufirin deri nesër në orën 06:00 për arsye se kuota prej 300 personash është plotësuar që në mëngjesin e sotëm.

Ora 08:34
Policia konfirmon: Në Kapshticë mbushet kuota, pala greke ndërpret punën

Policia e Kufirit ka konfirmuar lajmin se për sot, e dielë, kuotat e kalimit për në Greqi në pikën kufitare të Kapshticës janë mbushur. 300 qytetarë kanë kaluar kufirin deri në orën 07:30 dhe për këtë arsye ana e policisë greke është pezulluar puna e nuk do të lejohet kalimi i personave të tjerë për ditën e sotme.

Aktualisht në pikën kufitare të Kapshticës ndodhen rreth 20 automjete dhe një autobus, që presin me shpresën e një negociate, për të kaluar edhe ata ditën e sotme.