KORÇË- Situata në pikën kufitare të Kapshticës vijon të jetë e njëjtë edhe në orët e pasdites së kësaj të shtune. Rreth 100 qytetarë, që kanë ardhur me autobus, si edhe me makinat e tyre private, janë pritje për të kaluar kufirin, edhe pse kuota ditore prej 300 qytetarë që lejohej të kalonin u plotësua që në mëngjes. 

Sipas rregullave të vendosura nga shteti grek, qytetarët kanë bërë aplikimin dhe pasi kanë marrë konfirmimin janë nisur drejt doganës. Por, aty janë ndeshur me radhë të gjata dhe pasi është plotësuar numri 300 i personave që lejohet të kalojnë doganën, qytetarët e tjerë kanë mbetur në pritje. Ata duhet të presin deri ditën e nesërme për të kaluar kufirin grek. Midis tyre ka persona të moshuar, të sëmurë, por edhe fëmijë të cilët qëndrojnë në pritje.

Qytetarëve iu skadon afati 72 orësh i testit të Covid 19 dhe ata duhet të kthehen që ta bëjnë sërish. E gjithë ky proces është një kosto e shtuar për qytetarët shqiptarë.

"Jemi që nga ora 9:00 në mëngjes ne na thanë që grekët punojnë, por tani nuk kalojmë dot. Lekë nuk kemi më për të bërë tamponin. I lutemi qeverisë që të bisedojë me shtetin grek. Duhet që firma ta sqarojë. Kemi bërë aplikimin, kemi marrë OK, jam në rregull me gjithë aplikimin dhe vij këtu e nuk kaloj dot. Të hënën duhet të jemi patjetër në punë. Këtu do të rrimë e sëmurë jam, do rri duhet të kalojmë. I lutemi shtetit se ne duhet të kalojmë. Ne jemi dhe shqiptare dhe grekë. Taksa paguajmë andej taksa paguajmë këtej. Kjo nuk është normale", thotë qytetarja.

Njëra nga qytetaret ka paralajmëruar se nëse nuk lejohen që të kalojnë as nesër nga shteti grek, do të fillojnë një grevë në doganën e Kapshticës.

"Paratë u mbaruan fare, se bëmë tamponin, bëmë pasaportat, vuajtëm shumë dhe për pasaportat se i paguajtëm dyfish. Ne kemi marrë Ok dhe s'po ikim dot. Po bëjmë 4-5 orë që po presim. Do rrimë deri në mëngjes që të kalojmë, ose do të bëjmë grevë. Duhet të ndërhyjë shteti shqiptar. Ne jetojmë andej, të na zihen vendet e punës është gjynah nuk bëhet kështu", shprehet qytetarja.

Gazetarja e "Report Tv", Gladiola Hoxha raporton se pala greke është shprehur e vendosur që këta qytetarë të mos kalojnë kufirin, pasi është plotësuar kuota. Pas bisedimeve, qytetarët janë larguar nga territori i doganës pasi u janë dhënë nga një numër rendor, për t'u kthyer sërish nesër për të kaluar kufirin sipas radhës së përcaktuar me numra.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:15
Vijon radha në kufi/ Emigrantja: Kemi të dhëna se fajin e ka policia jonë, jo greke se do të marrin lekë

Qytetarët vijojnë të presin me orë të tëra në kufi. Ata shprehen se janë të raskapitur, madje thonë se nuk kanë as shpresë se mund të kalojnë nesër.

"Duhet të iki se kam punë, Kam ardhur me makinën time, duhet të kalojmë nesër se s'bën. Është shumë e vështira pritja këtej, nuk është hera e parë".

"Kemi 14 orë këtu, të vetmit që na qan hallin jeni ju. Aplikimi u dogj, tamponi dhe pak orë ka. Do kthehemi prap dhe asnjë rrugë zgjidhje. Udhëtoj me autobus. Dhe nesër nuk e di a do kalojmë. S'jemi të garantuar se do kalojmë, kemi të dhëna se këtë e ka bërë policia jonë, dhe jo ajo greke, për të marrë ndonjë lekë".

"Më ka vajtur tensioni 20 me 107 i zemrës, unë jam e sëmurë, a do ta përballoj natën, nuk e di. Këta na lanë tërë natën këtu, lëre që në çanë mushkonjat, s'po gjejmë derman, Nuk e dimë ca do bëjmë, jemi në hall të madh, Është ftohtë, të sëmurë jemi.

Me çfarë lekësh të shkoj në hotel, ne i kemi harxhuar të gjitha, se erdhëm për punë dhe halle të tjera. Na mbaron në 11:00 nesër në mëngjes. Na thanë që në orën 06:00 do kaloni".

"Shumë vështirë është, po nga e keqja do durojmë, siç kemi duruar 25 vjet. Na thanë nesër në mëngjes do kaloni, se autobusi do shkoj i pari. Nuk do t'ia di njeri", tregojnë emigrantët.

Ora 19:21
S'ka përmirësim të situatës në Kapshticë/ Dhjetëra emigrantë në radhë: Jemi sfilitur, s'kam takat as të flas

Situata në pikën kufitare të Kapshticës vijon të jetë e njëjtë edhe në orët e pasdites së kësaj të shtune. Rreth 100 qytetarë, që kanë ardhur me autobus, si edhe me makinat e tyre private, janë pritje për të kaluar kufirin, edhe pse kuota ditore prej 300 qytetarë që lejohej të kalonin u plotësua që në mëngjes. Disa që janë në gjendje më të mirë ekonomike janë akomoduar në hotelet aty pranë pikës kufitare, të tjerë do të qëndrojnë në makinat e tyre. Ata shprehen se problemi i tyre kryesor është tamponi, i cili skandon gjatë mbrëmjes së sotme, që do të thotë se kanë shpenzuar kot duke bërë testin, pasi duhet ta përsërisin.

"Kemi rreth 2 orë, jemi sfilitur, s'kemi takat as të flasim. Presim, si do vetjë nata, më skadon tamponi në orën 11 të natës. Do rri në autobus, ku të shkoj është shumë e vështirë, mos e pyet", thotë një qytetarë.

Ora 13:22
Ambulanca dhe tension në Kapshticë, qytetari: Greku më tha 'Mirë se erdhe' prandaj u nisa

Në Kapshticë ndodhet rreth 100 qytetarë që presin për të kaluar kufirin, por sot kuota u plotësua duke e shtyrë kalimin për nesër në orën 06:00. Gjatë qëndrimit në doganë nuk kanë munguar momentet e tensionit për radhën, ndërsa ka shkuar edhe një ambulancë, pasi një i moshuar shfaqi probleme shëndetësore. "Duan të na spostojnë nga dogana, na thonë shkoni në Bilisht tani. Të vijë tjetri të zërë radhën nesër. Jam vetë i pestë nga Librazhdi, një familje. E bëra aplikimin dje, më tha 'Mirës se erdhe në Greqi' prandaj erdha, të mos më kishte ardhur aplikimi nuk do të nisesha. Më tha je i rregullt dhe erdha" tha ai.

Ora 13:21
Radha në Kapshticë, qytetari: U nisa se greku më pranoi aplikimin, tani po digjemi në diell, na skadon tamponi

Një qytetar i tha Report Tv se u nis për në Kapshticë për të kaluar drejt vendit fqinj pas përgjigjes që i kishte ardhur nga shteti grek pas aplikimit që bëri, por tashmë që kuota u plotësua rrezikon që të kthehet pasi i skadon përgjigja e tamponit, që vlefshmërinë e ka 72 orë.

"Kam që në 8 mëngjesit këtu, për 2 makina nuk na lejuan, se u plotësua numri 300 veta. Ka edhe fëmijë të vegjël. Nuk mund të kthehemi pas se na mbaron tamponi, nesër në mëngjes. Nëse nuk kalojmë nesër në mëngjes, i thonë 500 euro, dhe 500 i pagova, i thonë një mijë euro. 100 veta jemi këtu.

Kjo është ulje për qeverinë tonë. Ti bëjë thirrje grekut, fëmijët po digjen në diell. Ne aplikuam për dje në mëngjes dhe më thanë do të kalosh sot, erdhëm, por nuk po bëhet asgjë. Natën do ta kalojmë këtu sonte, nuk kemi se çfarë të bëjmë. Të hënën filloj punën në Greqi, nëse nuk paraqitemi dalim nga puna, kjo na kushton më shumë" tha ai.

Ora 13:16
Radhët në Kapshticë, pala greke e prerë: U plotësua kuota, sot nuk kalon asnjë në doganë

Report Tv mëson se pala greke është e vendosur për të mos lejuar që të kalojë asnjë person në doganë, pasi kuota ditore është plotësuar, 300 persona. Gazetarja e Report Tv Gladiola Hoxha mëson se pala shqiptare në doganën e Kapshticës tentoi që të futet në bisedime, por u refuzua.

"Edhe pse është tentuar të futet në bisedime me palën greke, kjo e fundit ka qenë e prerë, nuk ka asnjë mundësi për të kaluar këto persona që vijojnë në pritje në temperatura të larta prej mëngjesit. Pala greke është strikte, duke qenë se kuota është plotësuar, nuk mund të kalojnë.

Asnjë nuk është larguar. Pjesës më të madhe u skadon përgjigja e testit COVID, që nuk duhet të ketë kaluar më shumë se 72 orë. Shumica janë familjar. Duhet të rikthehen edhe njëherë për të bërë testet" mësoi gazetarja e Report Tv.

Ora 12:19
Radha në pikën kufitare të Kapshticës, MEPJ: Mbeten në fuqi rregullat e vendosura nga pala greke deri me 15 shtator

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas raportimit të radhës së qytetarëve që po prisnin për të kaluar pikën kufitare të Kapshticës.

Ajo njofton se për 14 ditë të tjera, nga data 1-15 shtator 2020, mbetet në fuqi kufizimi i hyrjes për shtetasit shqiptarë.

Gjithashtu numri i personave që lejohet të hyjnë në Greqi nga Kapshtica do të vijojë të jetë 300. Përmes deklaratës zyrtare, Ministria e Jashtme u ka kujtuar qytetarëve edhe njëherë rregullat kufizuese të shtetit grek, për të cilat mesa duhet nuk do të ketë lehtësime për qytetarët shqiptarë që kanë mbetur në pritje.

 "Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton mbi regjimin e lëvizjes nga Shqipëria drejt shtetit grek për periudhën 1 - 15 shtator 2020, në kuadër të masave kundër Covid-19, si më poshtë:

Për 14 ditë të tjera, nga data 1-15 shtator 2020, mbetet në fuqi kufizimi i hyrjes për shtetasit shqiptarë për arsye turizmi;

- Mbetet në fuqi kufizimi i lidhjeve detare dhe ajrore me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Keshtu, fluturimet drejt/ nga këto vende bëhen vetëm nga aeroporti "Eleftherios Venizelos";

- Mbetet në fuqi kufizimi i numrit të personave që hyjnë në dite nga PKK të Kakavijës (750 vetë) dhe Kapshtices (300 vetë);

- Mbetet në fuqi deri më 19.09.2020 aplikimi i kontrolleve paraprake përmes testit negativ PCR 72 orë para mbërritjes në vend, për personat që mbërrijnë në aeroport dhe nga pikat tokësore nga Shqipëria", njofton Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.