Kalon ligji për ushtarakët, ja kush
qëndron në detyrë e kush lirohet

Kalon ligji për ushtarakët, ja kush<br />qëndron në detyrë e kush lirohet
TIRANE- Miratohet ligji për karrierën në ushtri. Drafti kaloi dje në seancë plenare vetëm me votat e mazhorancës dhe parashikon gradat, vitet e shërbimit, si edhe rastet kur ushtari i Forcave të Armatosura del në shërbim. Konkretisht sipas këtyre ndryshimeve, parashikohet se ushtarakët që marrin dy vlerësime negative në performancat e tyre vjetore përjashtohen automatikisht nga ushtria dhe dalin në rezervë.

Krahas kësaj, sipas këtij ligji është parashikuar që numri i përgjithshëm i Forcave të Armatosura aktive të shkojnë në rreth 8500 dhe ushtarakët që dalin ën rezervë miratohen nga Ministri i Mbrojtjes me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. “Ushtaraku del në rezervë nga shërbimi aktiv kur ka plotësuar njërin nga kushtet e mëposhtme: a) Ka plotësuar afatin e parashikuar në kontratë; b) Ka plotësuar moshën e përcaktuar në nenin 14, të këtij ligji; c) Ka plotësuar kohën e qëndrimit në shërbimin aktiv sipas pikës 2, të nenit 13, të këtij ligji për gradat respektive; ç) Ka dy vlerësime vjetore “pamjaftueshëm” gjatë kohës së qëndrimit në një gradë; d) Paraqet kërkesën dhe ajo miratohet nga organi përgjegjës.

Organi përgjegjës kthen përgjigje brenda tre muajve. Në rast se organi përgjegjës nuk kthen përgjigje brenda këtij afati, kërkesa quhet e miratuar. dh) Kur bëhen shkurtime në numrin e përgjithshëm të personelit të Forcave të Armatosura. Në këtë rast, kriteret e përzgjedhjes së ushtarakëve që dalin në rezervë përcaktohen me udhëzim të ministrit të Mbrojtjes, sipas propozimit të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura”,- thuhet në ligj.

Seanca
Gjatë seancës së djeshme mazhoranca u tërhoq nga vetë propozimi i saj, i cili parashikonte se në rastet kur ushtaraku kishte plotësuar vitet e punës në përputhje me gradën del në lirim. Ky propozim i bërë nga deputetët e PS-së, u hodh poshtë nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli e cila në argumentimin e saj theksoi se ligji bëhet i pa zbatueshëm. Kësisoj ushtarakët që kanë plotësuar vitet e punës në funksion me gradën kanë mundësi që të aplikojnë për rritje në gradë, dhe jo të dalin më automatikisht në lirim.

Kësisoj me hyrjen në fuqi të ligjit pas botimit në fletoren zyrtare, Kodheli do të miratojë edhe ushtarakët që dalin në lirim. “Zbatimi i neneve 13 dhe 14, të këtij ligji, do të bëhet duke mos cenuar operacionalitetin dhe gatishmërinë e strukturave të Forcave të Armatosura. Ministri i Mbrojtjes, me propozimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, miraton planin e daljes në rezervë ose lirim të ushtarakëve, kur dalja në rezervë ose lirim sjell cenimin e operacionalitetit dhe gatishmërisë së strukturave të Forcave të Armatosura”,- thuhet në ligj.

Përfaqësuesit e opozitës e kundërshtuan këtë ligj ku në krye të diskutimeve të saj kishte akuzën se po uzurpohen kompetencat e presidentit, si edhe po miratojnë një ligj, i cili nuk është konsultuar më parë me NATO-n. Ish-kryeministri Berisha duke marrë shkasë nga ky ligj mori në mbrojtje ish-ministrin Arben Imami dhe ish-kreun e SHIU, Ylli Zyla. Sipas tij: “Si Imami dhe Zyla kanë kryer punë të mëdha në krye të detyrës, pavarësisht se ata janë në qendër të akuzave për abuzim me detyrën.

Për të cilën Edvini, u zotua që do shkonte në burg, ministri Imami doli se nuk kishte shkelur asnjë rregullore. Por kujt ia bënë njeriut të vetë. Kur ai u bë ministër, 150 mijë ton, që të gjitha Gërdecet potencial për vetëshpërthimin ekzistonin në Shqipëri. Madje ishin disa nga ato lëndë që vinin në renditje më të rrezikshme pas atyre atomike. Ofensiva kundër Forcave të Armatosura rikthejnë në postet kyçe të pozicioneve të shërbimit informativ të ushtrisë, i cili duhet të them këtu ka kryer detyra të mëdha”.

Ja kush del në lirim nga ligji

 Me hyrjen në fuqi të ligjit të miratuar dje në Kuvend, parashikohet se një kategori ushtarakësh do të dalin në lirim. Sipas ligjit në rast mospërparimi në gradë, ushtarët me gradën Ushtar IV, nënoficerët me gradë Nëntetar dhe oficerët me gradat Nëntoger dhe Toger që plotësojnë 14 vite shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura, pavarësisht parashikimeve të pikës 1, të nenit 14 të këtij ligji, dalin në rezervë.

Oficerët me gradën kapiten dhe nënoficerët me gradën tetar, shërbejnë 15 vjet në Forcat e Armatosura. Në rastet kur ka mangësi në plotësimin e Tabelës së Organizimit dhe pajisjeve (TOP) mund të shërbejnë në Forcat e Armatosura deri në 20 vjet ose deri në moshën 46 vjeç, në varësi se cili kusht plotësohet i pari.

Rritet mosha e shërbimit aktiv
 
Ligji i miratuar dje pëson edhe një ndryshim për rritjen e moshës së shërbimit aktiv të disa ushtarakëve në varësi të gradës. Sipas këtyre ndryshimeve, ushtaraku me gradë tetar do të ketë mundësi që të ushtrojë funksionin aktiv në këtë grade deri në moshën 46 vjeç.

Nëntogeri do të jetë me shërbim aktiv në këtë grade deri në moshën 31 vjeç, ndërsa Togeri do të jetë në shërbim deri në moshën 36 vjeç. Kapitenët gjithashtu do të kenë një rritje të moshës në funksionit aktiv ku nga 41 vjeç do të jenë në ushtri me këtë gradë në moshën 46 vjeç. Këto ndryshime u bënë nga varianti fillestar me argumentin se piku i funksionit aktiv të ushtarakëve ishte në moshën kur parashikohen se ata do të dilnin në lirim.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria çel negociatat për kapitullin e parë, integrohemi brenda 2030?



×

Lajmi i fundit

Hapen negociatat për grup kapitullin e parë, Alban Daci: Sot ndër datat më të rëndësishme për shqiptarët! Anëtarësimi në BE brenda 2030, i mundur

Hapen negociatat për grup kapitullin e parë, Alban Daci: Sot ndër datat më të rëndësishme për shqiptarët! Anëtarësimi në BE brenda 2030, i mundur