Gjyqtari i Gjykatës së Durrësit, Rexhep Bekteshi ka kaluar procesin e vettingut. Komisioni i Pavarur i Kualifikuar ka konfirmuar sot në detyrë gjyqtarin e Durrësit Rexhep Bekteshin. Bekteshi është njëherazi edhe kandidat për anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Trupa gjykuese që ka shqyrtuar përmbushjen e kritereve të vetingut, përbëhej nga Brunilda Bekteshi, Roland Ilia dhe Firdes Shuli.
Bekteshi u vlerësuar nga KPK pozitivisht në të 3 shtyllat e rivlerësimit të figurës, si në aspektin pasuror, ashtu dhe në atë profesional. Po ashtu, Bekteshi sa i përket vlerësimit të pastërtisë së figurës nga hetimi administrativ nuk u gjetën elemente që të vërtetojnë ekzistencën e kontakteve të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar.
Rexhep Bekteshi është një gjyqtar me karrierë të gjatë në sistemin gjyqësor. Ai e ka filluar karrierën si gjyqtar në vitin 1993 dhe për më shumë se 25-vjet ai ka shërbyer si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Në shkurt 2018, pas thirrjes së hapur nga Presidenti i Republikës, Bekteshi ka kandiduar për një post në Gjykatën Kushtetuese. Ai ka kandiduar dhe si pjesë e thirrjes së hapur nga Kuvendi në të njëjtin muaj.
Komente

