Kaluan 8 ton kanabis në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës,Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" për 4 policët.
 
Lirim Halili, Syrja Terziu, Çlirim Pepa dhe Ervin Kodra lejuan kalimin në doganë të nja kamioni me drogë që u nis nga Maqedonia, kaloi tranzit në Shqipëri dhe më pas u zbulua në Itali.
 
4 policët  u arrestuan më 24 mars 2017 pasi hetimet zbuluan se një kamion me 8 ton drogë nga Maqedonia kishte hyrë në Shqipëri dhe më pas nga porti i Durrësit ishte larguar drejt Italisë.
 
Çlirim Pepa, me detyrë përgjegjës turni; Ervin Kodra me detyrë, kontrollor hyrje dhe dalje; Lirim Halili me detyrë tek kabina në hyrje; Syrja Terziu si kontrollor në hyrje akuzohen për për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”.

Në bazë të hetimit të Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se efektivët e policisë kanë krijuar lehtësitë që ky kamion, i ngarkuar me kanabis, të kalojë pa u kontrolluar në Qafë Thanë.

Kamioni me 8 ton kanabis hyri nga dogana e Qafë Thanës pas një kompromisi mes punonjësve të doganës dhe trafikantëve. Ngarkesa kaloi lehtësisht edhe përmes portit të Durrësit, ndërsa vetëm në Itali u pikas se brenda tij ndodhej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike. 

Ishin pamjet filmike të kamerave të sigurisë në doganën e Qafë Thanës që zbuluan  katër policët e arrestuar me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
 
Sipas përshkrimit të pamjeve të datës 4 shkurt, që janë pasqyruar në vendim, thuhet se në orën 17:14 minuta kamioni me drejtuesin Zoran Stajonoski i ngarkuar me 8 ton hashash afrohet pranë peshores që ndodhet afër kabinave të kontrollit të punonjësve të policisë.
 
Aty zbret shoferi dhe kthehet pas 7 minutave. Por një minutë pas kthimit të shoferit Stajonoski në kabinën e kamionit, aty afrohet një punonjës policie I veshur me jelek fosforishent, i cili hap derën e pasagjerit të kamionit, duke u futur në kabinën e mjetit.
 
Nga pamjet e përshkruara nga oficeri policisë gjyqësore, thuhet se punonjësi i policisë merr ose lë diçka brenda kabinës, pa qenë në gjendje të dallohet se çfarë dhe largohet.
 
Vetëm pas largimit të policit shoferi Stajanoski afrohet pranë pikës së kontrollit për t’iu nënshtruar procedurave të hyrjes.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com