Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar se do të largohet nga posti i presidentit të Serbisë brenda tre ose katër muajve të ardhshëm, në një moment kur vendi po përballet me krizën më të madhe politike të viteve të fundit pas protestave të gjata studentore dhe kërkesave për zgjedhje të parakohshme.

Duke folur për TV Prva, Vuçiç tha se institucionet do të vendosin nëse Serbia do të mbajë vetëm zgjedhje presidenciale apo edhe parlamentare, ndërsa njoftoi se më 27 qershor Partia Përparimtare Serbe (SNS) do të prezantojë listën zgjedhore, sloganet dhe programin me të cilin do të hyjë në garën e ardhshme elektorale.

Por ndryshe nga deklaratat e mëparshme, këtë herë presidenti serb u ndal gjatë edhe te bilanci i viteve të tij në pushtet, duke e paraqitur largimin si fundin e një periudhe të shënuar nga kriza të shumta, përfshirë dialogun me Kosovën.

“Kam ende një dozë frike dhe shprese për të ardhmen e vendit tonë. Në nëntë vitet si president dhe më parë si kryeministër kemi kaluar përmbytje, krizën e emigracionit, pandeminë, konfliktin në Ukrainë, si dhe kriza dhe bisedime për Kosovën dhe Metohinë. Gjithmonë jemi përpjekur të ruajmë interesat tona jetike dhe kombëtare”, tha Vuçiç.

Ai u shpreh se ndjen “kënaqësi të pjesshme” për atë që është bërë gjatë viteve në pushtet, duke përmendur investimet në infrastrukturë, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe stabilitetin ekonomik.

“Kam bërë shumë dhe kam ndryshuar fytyrën e vendit. Jam i kënaqur me numrin e hekurudhave dhe rrugëve, me pagat dhe pensionet më të larta, me kursin e qëndrueshëm të dinarit dhe nivelin e ulët të borxhit publik”, deklaroi ai.

Një pjesë e madhe e intervistës iu kushtua protestave që kanë tronditur Serbinë prej muajsh. Vuçiç pretendoi se pas tyre qëndrojnë përpjekje për ta bashkuar opozitën kundër tij dhe i cilësoi zhvillimet si pjesë e një tentative për “revolucion me ngjyra”.

“U përpoqën të gjenin dikë që do të bashkonte të gjithë në urrejtje kundër meje, që Serbia të ishte më e dobët”, deklaroi ai.

Vuçiç tha gjithashtu se zgjedhjet do të jenë vendimtare për të ardhmen e Serbisë dhe se SNS do të paraqesë një program afatgjatë për zhvillimin e vendit. Sipas tij, fokusi duhet të jetë te prioritetet e qytetarëve, si pagat, pensionet dhe politikat sociale.

Deklaratat e tij vijnë pas muajsh protestash të nisura pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona. Lëvizja studentore ka kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe ka paralajmëruar pjesëmarrjen me listën e saj.

Gjatë intervistës, Vuçiç akuzoi kundërshtarët politikë se nuk kanë program dhe se e kanë përqendruar fushatën te sulmet personale ndaj tij. Ai pretendoi se ndaj tij është zhvilluar një fushatë e organizuar për ta paraqitur si “çnjerëzor”, ndërsa tha se protestat dhe bllokadat nuk do të ndalin Serbinë në rrugën e saj.

Presidenti serb kritikoi edhe televizionin N1, duke pretenduar se nuk i lejohet të shfaqet në këtë media. N1 e mohoi këtë akuzë, duke theksuar se Vuçiç është ftuar vazhdimisht ndër vite, por ka refuzuar të marrë pjesë në programet e saj.