Top Channel ka siguruar dosjen hetimore për vetëvrasjen e Xhuana Nikollajt, ku zbardhen detaje të reja nga dëshmitë dhe komunikimet e saj para se të ndërmerrte aktin ekstrem.
Në dosjen e siguruar nga gazetarja Brixhilda Deda, është administruar edhe dëshmia e një prej mikeshave me të cilën Xhuana ndante banesën me qira. Po ashtu, hetuesit kanë sekuestruar dhe analizuar komunikimet e saj me të motrën, të zhvilluara pak para ngjarjes.
Nga këto komunikime mësohet se Xhuana i ka treguar motrës për situatën e krijuar dhe shqetësimet që kishte. Motra e ka këshilluar që të shkojë në polici dhe të denoncojë Eraldo Fizin për dhunën e pretenduar.
Por Xhuana nuk ka pranuar. Në komunikim ajo shpreh frikën se, nëse do të bënte denoncim, Fizi mund t’i bënte diçka të keqe babait të saj.
Një tjetër detaj që del në dosjen hetimore lidhet me mbrëmjen para ngjarjes.
Sipas të dhënave të administruara nga hetuesit, shkak i konfliktit dyshohet të ketë qenë një ekskursion pune ku Xhuana kishte marrë pjesë me rastin e festave të 7 dhe 8 Marsit.
Në dosje thuhet se ekziston dyshimi se Fizi e ka ndjekur Xhuanën pas ekskursionit.
Dëshmitë, komunikimet dhe të dhënat e administruara në dosje po analizohen nga grupi hetimor për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjeve që i paraprinë vetëvrasjes së të resë.
Po ashtu, në dëshminë e dhënë nga motrat e Xhuana Nikollit, tregohet që ka pasur debate të herëpashershme me Eraldo Fizin. Madje, shpeshherë ai i dërgonte video të ndjerës duke ecur me shpejtësi të lartë dhe që do të lëndonte veten nga ndarja me të.
Po ashtu, shpeshherë, sipas dëshmisë së dhënë nga motra e saj, ai i bënte presion duke i thënë se do të lëndonte babain e saj, pasi e dinte që Xhuana e kishte pikë të dobët.
Ndër të tjera, në dëshminë e tyre tregojnë që po ashtu ky i fundit i ka bërë presion duke i thënë që do të shkonte t’i tregonte babait të saj se ka qenë ai që e ka dhunuar një natë më parë Xhuana Nikollajn.
Sakaq, ende nuk dihet sesi dhe ku Xhuana ka arritur të sigurojë fostoksinën./Top Channel






Komente
Komento