TIRANE- Kamerat e jashtme të komisariatit të Kurbinit, nuk kanë punuar gjatë kohës kur mes anëtarëve të familjes Cali dhe Prenga janë përplasur me armë, para derës së komisariatit. Ky konstatim është bërë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila për llogari të hetimit ndaj ish-deputetit të PS Armando Prenga dhe 5 personave të tjerë ka kërkuar pamjet filmike të kamerave të komisariatit.

Por për çudi, nga drejtuesit e këtij komisariati kanë marrë si përgjigje se kamerat e sigurisë të instaluara në ambjentet e jashtme të objektit nuk punonin. Nisur nga kjo situatë, pritet që ditët në vijim Prokuroria e Përgjithme të marrë në pyetje disa nga efektivët e policisë që kanë parë që në momentin e parë përplasjen me armë të anëtarëve të dy fiseve, me qëllim sqarimin e pozicionit të secilit prej personave të implikuar në këtë ngjarje kriminale.

Disa prej policëve që janë thirrur për të dëshmuar kanë dhënë deklarime paraprake për ngjarjen që në komisariat, por asnjëri prej tyre nuk ka treguar se kush ka qëlluar dhe nëse ndodhej deputeti Prenga në vendgjarje ose jo. Në dëshminë e tyre ata kanë rrëfyer se kishin dëgjuar vetëm të shtëna me armë dhe persona që largoheshin me vrap dhe nuk kanë mundur t’i identifikojnë për shkak të errësirës.

Tabulatet telefonike
Për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarje, dy prokurorët e dosjes Altin Binaj dhe Arben Kraja kanë kërkuar gjatë ditës së djeshme nga kompanitë telefonike tabulatet e telefonave të arrestuarve. Ky veprim hetimor kryhet me qëllim për të mësuar nëse ka pasur një komunikim mes djalit të Gjok Calit me Gjergj Calin, që e informonte për prezencën e deputetit Prenga në lokalin e tyre në lagunën e Patokut dhe dhunën fizike që ai ka ushtruar ndaj tyre.

Gjithashtu tabulatet e numrave do të nxjerrin dhe nëse Gjergj Cali ka pasur komunikim me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe shefin e Komisariatit të Kurbinit, ku i vinte në dijeni për ngjarjen. Po ashtu janë kërkuar dhe tabulatet për deputetin Prenga, ku do verifikohet nëse ky i fundit ka komunikuar me vëllanë e tij dhe persona të tjerë për t’i ftuar ata në mesnatë, me qëllim përplasjen me armë me anëtarët e fisit Cali në Laç.

Hetuesit thonë se tashmë hetimi është në fazën fillestare dhe se materiali i mbërritur nga policia e Laçit, nuk është i plotë. Pritet që pas administrimit të provave të tjera, Prokuroria e Përgjithshme të marrë në pyetje deputetin Armando Prenga dhe të arrestuarit e tjerë të përfshirë në përplasjen me armë në mesnatën e 5 shtatorit 2015.

Me armë pa lejë
Deputeti Armando Prenga nuk ka qëlluar me armën që disponon me leje nga autoritet shtetërore, por me një pistoletë tjetër që ai në ngjarjen e 5 shtatorit e mbante pa lejë. Një fakt i tillë sipas prokurorisë ka dalë nga ekspertiza e pistoletës që është dorëzuar tek oficerët e policisë nga gruaja e Prengës, Rovena, ku tregohet se arma e vënë në dispozicion nuk ka kryer asnjë qitje. Kjo pasi në tytën e pistoletës nuk janë gjetur shenja të vjaskave, karakteristikë kjo që lihet nga armët pas procesit të qitjes.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)