Veç këtyre emrave, janë kallëzuar në prokurori anëtarë të komisioneve të vlerësimit të ofertave dhe specialistë të policisë. Sipas kallëzimit gjithçka bën fjalë për një supertender me vlerë financiare prej 3.9 miliard lekë, për instalimin e kamerave në kryqëzimet e Tiranës dhe autostradën Tiranë-Durrës. Kontrata është lidhur në 20 dhjetor 2010 mes Policisë së Shtetit dhe një kompanie italiane “Soicos S.p.a” me administrator Domenico Lunanuova. Lidhur me këtë çështje pak kohë më parë ka përfunduar dhe një kontroll auditi, i cili tashmë është administruar nga prokurorët e çështjes, si provë materiale. Periudha kur është konkretizuar ky megatender në Policinë e Shtetit, përkon me kohën kur ministër i Brendshëm ishte Lulzim Basha, kryetari aktual i Partisë Demokratike.
20 të kallëzuar
Ministria e Brendshme ka kallëzuar penalisht 20 drejtues të lartë dhe specialistë të policisë së Shtetit për tenderimin dhe zbatimin e kontratës për vendosjen e kamerave të sigurisë në Tiranë. Bëhet fjalë për tenderin me vlerë mbi 389 milionë lekë të reja, për vendosjen e rreth 220 kamerave të sigurisë, të cilat do të menaxhohen nga salla operative e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Projekti i ndarë në disa faza është fituar kryesisht nga kompania “First shpk” me përfaqësues ligjor Gëzim Hoxha.
Në krye të listës së të kallëzuarve, janë ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, dy ish-zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm, Rasim Borishi dhe Dashamir Maçi, si dhe anëtarët e komisioneve të prokurimeve të kryera nga viti 2012. Kallëzimi vjen pas auditit të kryer nga Ministria e Brendshme, ku mes 14 shkeljeve të konstatuara, pretendohet se është zbuluar “Thembra e Akilit” të kontratës dhe që ka të bëjë me klasifikimin sekret të tenderimit.
Sekreti i hapur
“A1Report” dhe gazeta “Shqiptarja.com” kanë siguruar raportin e auditit me 39 faqe, që ndodhet në dosjen e procedimit penal të rregjistruar me numër 2046 të vitit 2014 të datës 28 mas 2014, ku thuhet se: “Në të gjitha procedurat e prokurimit është përdorur referenca e nenit 6 të Ligjit Nr.9643, datë 20.11.2006, i ndryshuar, i cili bën fjalë për kontratat sekrete, kontratat që kërkojnë masa të veçanta sigurie dhe kontratat që diktohen nga interesa thelbësorë të shtetit.
Grupi i auditimit arrin në konkluzion se këto kontrata nuk duhet të quheshin si të tilla, pasi për ketë projekt punimet kanë qenë në terren të hapur, vendosja e kamerave është bërë në rrugë dhe sheshe ku shikohen nga të gjithë, dhe nga hartuesit dhe nënshkruesit e kontratave nuk ka një analizë për cilësimin e këtij projekti si sekret”. Në raport thuhet dhe se në të gjitha kontratat e lidhura për shumën 389.348.000 lekë, midis autoritetit kontraktor dhe sipërmarrësve për punime civile, instalime e montim kamerash, nuk është caktuar mbikëqyrës punimesh.
Një tjetër gjetje e rëndësishme e grupit të auditimit e përfshirë në dosjen e prokurorisë ka qenë se midis projektit ekzekutiv dhe realizimit në fakt të punimeve nga “First sh.p.k”, ka ndryshime në vendosjen e kamerave, të cilat nuk janë reflektuar me marrëveshje midis palëve kontraktuese. Si edhe në shumicën e likujdimit të faturave nga Policia e Shtetit, nuk është mbajtur 5 përqindëshi i sigurisë. Kjo shumë financiare duket se ka shkuar në interes të ndonjë personi konkret.
Shkrimi u publikua sot (8.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)