Një shpërthim i dyshuar me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit në bulevardin “Nënë Tereza” në Tiranë, pranë një kompleksi në ndërtim.
Rreth orës 03:40, një sasi e vogël lënde plasëse ka shpërthyer në pjesën e jashtme të rrethimit të kantierit, duke shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Nga hetimet e para dhe pamjet e kamerave të sigurisë të sekuestruara nga policia, autori dyshohet se ka vepruar i vetëm. Ai shihet teksa afrohet pranë rrethimit të kompleksit, vendos lëndën plasëse dhe më pas largohet me një motoçikletë.
Burime bëjnë me dije se një nga pistat ku po hetohet lidhet me ndonjë konflikt të mundshëm të pronarëve të ndërtimit, megjithëse vetë ata kanë deklaruar para hetuesve se nuk kanë probleme apo konflikte me persona të tjerë.
Menjëherë pas shpërthimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
lajm në përditësim...
Komente







