Një ditë pas vrasjes së vëllezërve Selam dhe Nazmi Islamaj si dhe plagosjes së vëllait tjetër Shefqet, Report Tv zbardh dëshminë e autorit të dyshuar Ngushëllim Manzi.
I pyetur nga oficerët e policisë gjyqësore, 40-vjeçari Manzi mësohet të ketë rrëfyer se fillimisht kanë debatuar për kalimin e betonieres para shtëpisë së tij, pasi vëllezërit po ndërtonin një mur.
"Vëllezërit kanë qenë duke kryer punime dhe betoniera vinte para shtëpisë tonë. Ne i kërkuam ta kalonin te një rruge alternative se duhet të bënte shumë manovra. Ata nuk pranuan dhe na u kthyen keq. Shefqet Islamajn kishte shtyrë dhe goditur prindërit e mi. Kur e mora vesh këtë u nxeha, dhe e godita. Pastaj erdhën dy vëllezërit e tij, Nazmi dhe Selam Islamaj. Sherri degradoi dhe unë i qëllova me pistoletë, të cilën e kisha në shtëpi", tha mes të tjerash autori Manzi.
Report Tv mëson se pistoleta tip TT ishte arma e shërbimit e Manzit, i cili ishte pjesë e Policisë Ushtarake. Ngjarja ndodhi të hënën në rrugën ‘Petrela’, në afërsi të repartit ushtarak të Zall Herrit. nga të shtëna ndërroi jetë në vend 30-vjeçari Selam Islamaj. Vëllai më i madh 48-vjeçari Nazmi Islamaj vdiq rrugës për në spital, ndërsa në gjendje kritike ndodhet vëllai tjetër, 44-vjeçar Shefqet Islamaj, i cili po trajtohet në spitalin e Traumës.









Komente
Komento