Bajram Begaj dhe Gordana Siljanovska-Davkova

Presidenti Bajram Begaj u pyet nga gazetarët në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten maqedonase, nëse do të ndërtohet kamp emigrantësh në Pustec, ku banon minoriteti maqedonas.

Begaj tha se nuk është çështje e cila domosdoshmërisht ka për efekt vendosjen e emigrantëve në Pustec dhe është ndërtuar një kampus i tillë. Begaj shtoi se është marrë plan masash nga qeveria shqiptare, nëse do ketë flukse migratore.

“Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë tradicionalisht të mira. Pusteci është zonë shumë e rëndësishme, i trajtojmë minoritetet me ligj të veçantë, ku i kanë të mbrojtura të drejtat e tyre. Gjatë zgjedhjeve të fundit, partia që përfaqëson maqedonasit në Shqipëri, ishte në aleancë me partinë që fitoi zgjedhjet. Sa i përket çështjes së lidhur me kampet e refugjatëve, nuk është çështje e cila domosdoshmërisht ka për efekt vendosjen e emigrantëve në Pustec, apo është ndërtuar një kampus i tillë. Është plan masash i marrë nga qeveria shqiptare, nëse do ketë flukse migratore nga vendet që supozohen që do vijnë. Kufiri i Shqipërisë kryen kontrolle të rregullta për mospranimin e refugjatëve në territorin e Shqipërisë", theksoi Begaj.

Ndërsa presidentja maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova deklaroi se Shqipëria është vend demokratik dhe pret që qeveria shqiptare të konsultohet me qytetarët për këtë çështje.

"E kam të njohur këtë problem, bëhet fjalë për çështje që është në kompetencë të qeverisë të Shqipërisë. Kuptohet, duke e trajtuar Shqipërinë si një shtet demokratik, pres të konsultohet me qytetarët, por edhe me homologun, të informojnë qeverinë tonë. Këtu nuk bëhet fjalë për kompetencë presidenciale, por në frymën e respektimit të të drejtave të pakicave. Pres të dëgjoj edhe mendimet e qytetarëve lidhur me Pustecin dhe të gjendjet zgjidhje demografike", nënvizoi Davkova.


Lajmi kryesor:

Begaj nga Shkupi: Zbatimi i ligjit për gjuhët është thelbësor, shqiptarët rol shtetformues! Davkova: Pakicat etnike, ura lidhëse mes dy vendeve