Kampi i Tepelenës/ Si vdiqën 5 fëmijët e familjes së Ramazan Habilit në vitin 1945

Kampi i Tepelenës/ Si vdiqën 5 fëmijët e familjes së Ramazan Habilit në vitin 1945

Kur kam dëgjuar për herë të parë historinë që vijon më poshtë, m’u duk aq e frikshme për t’u rrëfyer apo për t’u përmendur, saqë nuk më jepej ta memorizoja e aq më pak ta shkruaja. Por me kohë, me zgjerimin e njohjes dhe të leximeve të kësaj natyre, m’u shtua kërshëria ta njihja më thellë, më së brendshmi e më në tërësi gjithë këtë seri episodesh, që rrëfen se si u martirizua e për pak u zhduk një familje e tërë shqiptare në kampet e shfarosjes në Berat e Tepelenë.

Ishte viti 1945 dhe familja e Ramazan Habilit nga Gjinaj (Habilaj) i Kavajës, internohet e gjitha në Berat, pa asnjë bazë ligjore, pa bërë asnjë krim, pa shkelur kurrfarë ligji, pa shkak e arsye njerëzore, por veçse ishin familjarët e një kundërshtari politik, Ramës, asgjë tjetër! Në listën e të internuarve bënin pjesë bashkëshortja e tij dhe fëmijët e vegjël të gjithë 18 vjeç e poshtë; motra e Ramës, Laje Gjoci (Habili) bashkë me djalin e vet; Njerka e Ramës, Pashja; e Reja e Ramës Nafija dhe vëllai i tij, Dalipi.

Prej këtyre njerëzve arrijnë të shpëtojnë vetëm më të mëdhenjtë e më të fortët fizikisht, athua se kishim të bënim me një proces seleksionimi biologjik, apo një eksperiment racial ku vetëm më rezistenti arrin t’ia dalë në fund të kësaj sprove çnjerëzore të quajtur internim në kampet e komunizmit. Nga kjo familje vdesin 5 fëmijë dhe njerka e Ramës, një plakë e moshuar e njihej si Nana e Tushes. Vëllai, Dalipi, humb aftësitë mendore për pak kohë, nga torturat e xhelatëve që kishin pushtetin.

Për të dhënë detaje rreth kësaj tragjedie sa familjare aq edhe kombëtare, kemi biseduar me një prej të mbijetuarve të kësaj ngjarjeje rrënqethëse, Asije Elezin (Habili), e cila sot që i ka kapërcyer të 80–tat, me zor reziston të rrëfejë çka parë e vuajtur personalisht në ato vite të skëterrshme në kampet e internimit Berat e Tepelenë.

Kush ishte i internuar prej jush, dhe në ç‘kohë?
Jemi internuar në momentin që e kanë marrë komunistët pushtetin e duhet të ketë qenë fillimi i vitit 1945. Kemi qenë Nanë Vathja (gruaja e Ramës shën. ynë), unë, Xhevati, Qefserja, Mukadesi dhe Nexhmija (familja e ngushtë e Ramës shën. ynë); pastaj ishin Pashja ose Nana e Tushes, (njerka e Ramës); Hallë Laja (motra e Ramës, e ve, e martuar me Beqir Gjocin, shën. ynë) bashkë me djalin e saj Osmanin; gjithashtu kishim Nafijen (e reja e Ramës, nusja e djalit, Hamidit), shtatzanë, si edhe xha Dalipi (vëllai i Ramës). Bashkë si grup kemi pasë edhe një grua me dy vajza nga Luzi i Kavajës, Dije Hoxha, e cila ishte e internuar për shkak se djali i tyre Mal Hoxha, ishte në arrati bashkë me Babë Ramën.

Po Ragipi, djali i dytë i Ramës ku ndodhej?
Ragipi nuk ishte me ne, sepse ditën që kanë ardhë në kullë (në Habilaj, shën. ynë) të na merrnin e të na fusnin në burgun e Kavajës, ai ishte jashtë shtëpisë. Ndërsa po kthehej nga shkolla, ne e pikasëm që na kishin rrethuar dhe Nafija del në dritare e i thotë “largohu, sepse jemi të rrethuem!” Ai largohet nga fshati dhe dimë që Babë Rama e ka lënë amanet te një familje në Romanat të Durrësit. Atje ka ndejtë mbi 6 muaj dhe pastaj ka ardhë në Bullutje, te familja e Rap Togut (Sadiu), të cilin e kishim nip të shtëpisë. Aty e zbulojnë dhe e arrestojnë. E torturojnë atë dhe të zotin e shtëpisë në mënyrë çnjerëzore, për shkakun se kishin takuar me Ramën e duhej të tregonin se ku ishte ai. Pasi e mbajnë disa kohë në birucë, e sjellin në Berat edhe Ragipin.

Ku banonit dhe me se jetonit në kampin e Beratit?
Në Berat kemi qendruar rreth 4 vjet. Në fillim na futën në “Shtëpinë e Pashait” në lagjen Mangalem, pastaj më vonë në Kala të Beratit. Verës na çonin në Kuçovë të punonim në bujqësi ose punë që na caktonin, pa kurrfarë pagese, pra punë e detyruar, kurse dimrit na mbyllnin në Kala. Këtu na kanë vdekur dy fëmijë.

Kur ishim në Mangalem vdiqën Nexhmija, motra e vogël tre vjeçe dhe Fatmira, vajza e vëllait tim Hamidit e Nafijes. Ne thonim të dëshpëruara, por dhe nga naiviteti i moshës, se ç‘është ky emër Fatmira, kur kjo e paska pasë këtë fat kaq të zi! Por ajo vdiq shpejt, as 6 muajshe, për shkak të mungesës së ushqimit, qumështit, kushteve primitive ku jetonim.

Nexhi, mbaj mend që ka vdekur duke vjellë gjak nga goja për shumë kohë. Se çfarë sëmundjeje ka qenë, nuk mund ta them, s’e kam idenë. Këtu sëmuret edhe Mukadesi, që shkurt i thërrisnim Desi. Ajo kërkonte trajtim mjekësor dhe kushte spitali e jetese të mira, të cilat, ne që ishim në zgrip të ekzistencës, as që mund t’i përfytyronim. Desi enjtet në të gjithë trupin, me sa mbaj mend ishte problem i veshkave.

Ndërkohë na komunikohet se do të na transferojnë në Tepelenë. Kishim dëgjuar që ishte rrugë e keqe dhe e zorshme, prandaj Nanë Vathja i lutet doktorit që e mjekonte, ta mbante e ta shtronte Desin në spital, duke i qarë hallin si nënë dhe duke i rrëfyer vdekjen e fëmijëve të tjerë. Ai i përgjigjet se: “nuk mund ta dimë jetën e kësaj. Merreni me vete!” Ne e dimë se ishte e guximshme të bëje diçka të tillë, pasi Seksioni (i Degës së Brendshme shën. ynë) nuk të lejonte, kur bëhej fjalë për familjen e një të internuari. Pas dy javësh, në Tepelenë, Desi dha shpirt në një gjendje të parrëfyeshme.

Doktori na kishte porositur që të mos e ushqenim me thartira, kripëra, djegësira etj., por ushqimi ynë ishte vetëm me të tilla, pra bukë me kripë, me shëllirë, ose bukë me presh. Mbaj mend që një ditë e gjeta Desin pas derës duke mbledhur e gëlltitur mbeturinat e “vaktit”, që ishin disa thërrime buke e bishta preshi të zverdhura, të cilat i kishim fshirë e bërë gati për t’i hedhur në plehra. E qortoj disi rëndë, madje duke i kujtuar edhe porosinë e doktorit! Por ah, si mund ta kuptoja unë adoleshente në atë kohë, se ajo ishte aq e uritur sa mblidhte edhe thërrimet bukës e bishtat e preshit të pangrënshme, që ne i kishim hedhur!

Mbaj mend se kur ishim në Berat, ajo shkonte përditë te Magia, zonja e shtëpisë, që kishte një tufë të vogël delesh. Ne i flisnim ashpër duke i kërkuar hesap pse?! Ajo na përgjigjej, – “më jep një lugë qumësht!” Desi e ndihmonte të nxirrte dhentë jashtë e t’i fuste përsëri në kasolle dhe Magia e shpërblente me një lugë qumësht.

Këtu sëmuret edhe Osmani, djali i hallë Lajes, i cili enjtet gjithashtu në të gjithë trupin. Ka qenë në moshë me vëllain tim Ragipin. Halla bën lutje për ta liruar, që për fat iu aprovua. Osmani vdes pas pak kohësh në shtëpi. Edhe djali tjetër, Sula i kishte vdekur dha ajo ngeli vetëm me vajzën, Filen. Por hallë Lajen do ta takonim në Tepelenë pak kohë më vonë, kur e internojnë për së dyti, bashkë me xha Dalipin, për shkak të takimeve që kishin pasur me Babë Ramën.

Po në Tepelenë, si ju çuan?
-Neve na ngarkuan në një kamion, që shoqërohej me nga 3 policë secila, dhe kemi qenë nga 2 ose 3 familje në një makinë, në karroceri lart, zbuluar. Ishte verë të paktën. Kemi udhëtuar për shumë kohë e dikur mbërritëm të rraskapitur në Turan të Tepelenës, te kazermat e ushtrisë italiane. Gjatë udhëtimit pati një aksident, një makinë u përmbys afër Roskovecit, nëse e mbaj mend, dhe vdesin dy prindërit, por shpëtojnë 4 fëmijët, të cilët “fluturuan” nëpër ferra. Më kujtohet babai i tyre që i ishte ngulur në trup një nga spondet e makinës, si ta kishin kryqëzuar! Tmerr ta shihje me sy atë skenë.

Në Tepelenë nuk e dinim ç‘na priste, dhe as që e përfytyronim dot gjithsesi. Por, çfarë vuajtëm e hoqëm ishte jashtë çdo imagjinate. Na lanë 8 ditë rresh pa bukë dhe asnjë mundësi për t’u ushqyer. Njerëzit filluan të vdesin nga uria. Ndërkohë drurët e shkurret rrotull kampit u “pastruan” nga gjethet, që filluam t’i mbledhim e t’i ziejmë në formë lakrash, me një dorë oriz, sa për të shuar urinë. Filloi dizanteria në masë dhe kufiri që dallonte njeriun nga shtaza ishte shumë afër. Njerëzit u bënë si të çmendur e flisnin me vete.

Na trego pak për Desin, si e përballoi këtë gjendje?
-Në këto kushte ne duhej të mendonim edhe për sëmundjen e Desit të vogël, 8 vjeçe. Ajo ishte e uritur dhe nuk kishim asgjë ç‘t’i jepnim. Mbaj mend që i thoshte Nanë Dijes (Dije Hoxha, nga Luzi i Madh, e internuar me dy vajzat, Bakushen dhe Dritën  shën.ynë),  – “pse, nanë Dija, kto laknat tueja zijnë mô shpejt?!...”

– “Ashtu!? Hajt Desi, se të jap nana ty lakna, tashi, menjiherë!” I jepte nga pjesa e vajzave të veta, të sëmurës Desi. Ne ishim gjashtë fëmijë, “laknat”, një përzierje gjethesh rrushi të egër, ferrash e barishtesh, i vinim në sasi më të madhe çka kërkonte më shumë kohë të zienin, por Desi nuk priste dot.

Pas 8 ditësh urie të skajshme, filluan të na sjellin bukë misri nga Berati. Bukë kishte emrin, sepse në fakt ishte diçka si punë brumi, i mykur, gati jeshil, i papjekur fare dhe në sasi krejt të vogël për nevojat e njërëzve. Filluam ta racionojmë dhe ta ndajmë. I takonte pa ekzagjerim, një copë e barabartë me një kuti shkrepëse të sotme që mban 50 fije. A mund të rronte njeriu me këtë sasi ushqimi?!... Por vdekjet e shumta, në fakt sikur e lehtësuan disi këtë uri. Vdisnin mbi 8 ose 10 vetë në ditë. Kur vdisnin 3 ose 4, quhej ditë me pak të vdekur. Aty ishin 8 kazerma dhe për 2 muaj vdiqën, kush i mban mend sa njerëz, gjysma ndoshta.

Njëherë e shoh Desin që hëngri një racion tepër dhe si më e madhe, i them:  –pse e hëngre edhe racionin tim? Ajo më sheh e trembur dhe si e habitur, ndërsa ndërhyn Nanë Vathja që thotë:  –s’ka gjë, se unë nuk dua, le ta hajë Desi copën time!

Deri sa të vdes nuk me harrohen ato pamje kur ne s’kishim si ta ushqenim apo kuronim motrën tonë të vogël, e cila vdiq më shumë nga uria sesa nga sëmundja. Kushtet higjenike ishtin të tmerrshme. Na jepnin mundësi vetëm një herë në javë të lanim rrobat në përrua, thjesht me ujë mali, pa sapun, detergjente etj.. Na shoqëronin e ruanin me policë, të cilët ishin ca ish–partizanë, që s’kishin asgjë të përbashkët me njeriun.

Të internuarit i ndanë në 2 grupe, të aftët për punë dhe të pamundshmit, për shkak të moshës etj.. Neve që quheshim të rinj, unë dhe Ragipi, na dërguan në Memaliaj, ku punonim me kazmë për hapjen e rrugës automobilistike. Jetonim në çadra të ushtrisë.

Një mëngjez vjen një roje dhe më njofton se më kërkonte vëllai. Dal te rrethimi dhe takoj tim vëlla, Ragipin, i cili më thotë të bëhem gati e të shkoj në kamp, sepse kishte ardhur Dajë Hekri (Hekuran Saraçi, daja, shën. ynë) që kishte porosi nga Bab Rama të mos kthehej pa i parë të gjithë fëmijët. Unë e kundërshtoj dhe i them: “po ti, pse nuk vjen?!” Ai më shpjegon se nuk e linin të ikte nga puna.

Nisem për në kazerma bashkë me një plak që na sillte ushqimin me kalë, i cili ishte nga Malësia e Shkodrës. Rrugës ai më pyeste se sa motra apo vëllezër kisha, sa vjeç ishin etj., etj.. Unë nuk po u jepja dum fjalëve të tij, megjithatë i thashë se jemi 3 motra e 3 vëllezër! Ai më pyeste për emrat e për moshën dhe gati më bezdisi me ato pyetje që unë i quaja trashanike! Kur afrohem afër kampit në Turan, aty dëgjoj zëra grash që pëshpërisnin: “ja kësaj i ka vdekur motra!” Nuk po e kuptoja dhe më dukej e pabesueshme që ato fjalë të ishin për mua! Kur mbërrij në kazermën nr.2 ku ishte familja ime, mësoj se Desi ishte varrosur! Filloj e ulurij dhe sot e kësaj dite nuk më del hidhërimi për humbjen e motrës. Doja të shkoja ta shihja edhe njëherë e këmbëngula të hapnim varrin, sa për ta puthur për herë të fundit. Më sqaruan se e kishin futur direkt në tokë, pa arkivol, apo “shulse”, ose dërrasa varri që të mund të mbronin kufomën. Ma bënë të qartë se gjithë ato gurë e dhé e kishin prishur tashmë fytyrën e saj të njomë! Qaj aty deri sa s’më dilnin më lotë e kthehem me shpirtin copë në kazermë, ku vazhdonte jeta e internimit! Edhe sot, më thotë mendja, e di vendin ku është varrosur, në atë shpat kodre në Turan...

Nanë Vathja kishte kërkuar t’i sillnin djalin, Ragipin, që të varroste të motrën, por nuk i dhanë leje. Desin e varrosën disa pleq që ishin ende gjallë. Vdekja e Desit në moshën 8 vjeçe, na e rëndoi gjendjen shpirtërore dhe mbaj mend që shumicën e kohës e unë e kaloja në vaj e lotë.

Ju keni pasur edhe një vëlla që ju ka vdekur në Tepelenë...
-Po, Xhevatin... Ju betohem që çastet e fundit të jetës së tij janë të pabesueshme, po të mos i kesh parë me sy. Unë qëllova fatkeqe që i kam parë e po jua rrëfej. Ishte muaji gusht, një vit pas vdekjes së Desit. Xhevatin e zu dizanteria, por nuk na tha. Për 2 ditë rresht shkonte e vinte pa pushim në banjot që ishin 40m larg kazermës ku rrinim. Pastaj u dorëzua e i tha Nanë Vathes:  “Jam keq, më dhemb barku, jam sëmurë!” Ajo e vizitoi te mjeku, në fakt një infermiere e kampit. Ajo konstaton se kishte dizanteri dhe thotë se do t’i bëjë inxheksione. Fillon kura, çdo ditë nga një gjilpërë, por asnjë efekt.

Gjendja rëndohet. Vetëm 5 ditë mundi të shkojë në banjo. Pastaj nuk çohej dot më nga krevati. Filloi të nxjerrë veç gjak nga zorrët, sepse nuk hante gjë. Nuk i treguam njeriu, sepse kishim frikë mos na nxirrnin nga kampi, pasi dizanteria është ngjitëse. Dy–tri ditët e fundit gjaku nuk pushonte. Nana ia lante leckat që ia vinim poshtë dyshekut, në çezme dhe na thoshte që kullonin shumë gjak, sikur të ishte ndonjë kafshë e therur, aq gjak rridhte.

Ditën e fundit, kur po jep shpirt, vjen infermierja për të bërë adetin. Xhevati i thotë:  –“kot vjen, nuk po më bôjnë gjô gjylponat e tuja! Nesër mos hajde mô!”

Pak kohë pasi ikën infermierja, ai kërkon një gotë ujë. Nana më thërret e thotë: –hyr në krevat, merre e ngreje ndenjur, që të pijë ujë më lehtë. Ulem në krevat, e sistemoj mes këmbëve të mia dhe ia fus krahët rreth trupit për ta mbajtur drejt, duke ia mbështetur kokën në gjoks. Afrohet nana dhe i zgjat filxhanin me ujë. Ai përcjell gllënjkën e parë, ndërsa të dytën nuk e kalon dot, duke e derdhur buzëve anash. Nana në këtë çast e sheh mirë se çfarë ndodhi, por me të lehtë më thotë:

–“Mbaje mirë, se po e zë gjumi! Shtrije me kujdes në shtrat!” I bindem dhe kthehem duke e parë në fytyrë. M’u duk se ishte pakëz i ndryshuar dhe sikur i kishte rënë një hije e veçantë. Në atë moment shoh nanën që t’ia mbyllte sytë e t’i thotë:

–Të keqen nona, shpejt më le! Kaq tesalallik (jetë të përbashkët shën.ynë) paske pasë ti me mu!?

Në atë moment kuptova që vëllai kishte dhënë shpirt dhe ia dhashë kujës, sa besoj më kanë ndier në të gjitha kazermat. Xhevati u sëmur të premten e dha shpirt të shtunën pas 8 ditësh! Ishte vetëm 13 vjeç.

Nana lidh dyshemenë për beli dhe niset për në Drejtorinë e Kampit. Takohet me Nëndrejtorin, i cili mbaj mend që quhej Syrja. E njofton se i ka vdekur djali dhe i lutet t’i thotë një polici të shkojë në Tepelenë sa për t’i blerë pak metra kambrik, për qefin. Të internuarit nuk i linin të dilnin jashtë kampit. I drejtohet me fjalët:

–Zotni, më ka vdekur djali!

Mirë e ka bërë! – i përgjigjet ai.

Mirë, thua ti, por unë kam hall ta varros, e s’kam qefin! – i thotë nana e shkretë!

Ka sa të duash fier, gur e dhé! – ia kthen zyrtari me emrin Syrja.

Nana kthehet në kazermë, gris disa rroba e sajon me to një qefin. Ndërkohë kishim lajmëruar një hoxhë, të internuar kuptohet, i cili i bën adetet e xhenazes, sipas rregullit mysliman duke e larë e pastruar. Ndërsa një plak tjetër na ndihmon të rregullojmë një arkivol, i cili u sajua prej një arke dërrase që kishim me vete. Kishim nijetin që t’ia merrnim eshtrat Xhevatit prej aty, e t’ia varrosnim në Kavajë.

Një grup pleqsh, njësoj si në rastin e vdekjes së Desit, e morën dhe e çuan vëllain e vogël në varreza të këmbët e urës së Tepelenës rreth 400 metra nga kampi. Varret ishin gati, s’kishte nevojë me i hapë.

Edhe këtë xhenaze e fusin në tokë jashtë rregullit, duke mos i vënë shulse apo dërrasa vorri, ndërsa arka që luante rolin e arkivolit është copëtuar me të rënë gurët e parë, duke ia shtrydhur trupin e copëtuar kockat. Ne si myslimanë besojmë se trupi duhet ruajtur, pasi vetëm në krye të 40 ditëve ai fillon prishjen e dekompozimin. Nana na urdhëron përsëri:

–“Ecni të hajmë darkë! Ju kôm juve tash që ka ikë Xhevati! Ai ka shku në vend të vet! Nuk ôsht mir’ të mos hajmë sonte, se i bôhet keq atij!”

Kishte varrosë 4 fëmijë të vetët e kishte frikë e shkreta se do t’i vdisnim edhe ne dy motrat që kishim ngelë! Nana e Tushes, njerka e Bab Ramës s’lëvizte dot nga shtrati. Mallkonte veten që po rronte e po shihte vdekjen e fëmijëve. Pas 6 muajsh vdiq edhe ajo dhe e varrosëm po te varreza e të internuarve.

(Marrë me shkurtime nga “Zërat e Kujtesës” mbledhur nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit)

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja