Enkileda Carja i ka dhuruar Shqipërisë dy medalje në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes që po zhvillohet në Ismailia të Egjiptit, duke sjellë një tjetër rezultat pozitiv për sportin kuqezi.

Vetëm 18 vjeçe, ajo garoi në kategorinë 69 kg, ku arriti të sigurojë dy medalje, duke u ngjitur dy herë në podium dhe duke treguar nivel të lartë në një konkurrencë të fortë ndërkombëtare.

Nën drejtimin e trajneres Eglantina Kalemi, Carja konfirmon progresin e saj të vazhdueshëm, ndërsa paraqitja në Egjipt vjen si vazhdimësi e rezultateve të mira të arritura më herët. Ajo është vlerësuar së fundmi edhe si 'Ylli në ngjitje' i Europës, një tregues i qartë i potencialit që ajo mbart.

Gjatë garës, sportistja shqiptare u dallua për qetësinë dhe saktësinë në ngritje, duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në arenën botërore.

Medaljet iu dorëzuan nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, në një moment që u konsiderua krenari për delegacionin shqiptar.

Ky rezultat sipas Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, shihet si një tjetër sinjal pozitiv për peshëngritjen shqiptare, që vijon të nxjerrë talente konkurruese dhe të ndërtojë bazat për sukseset e ardhshme në skenën ndërkombëtare.

"Ky sukses është dëshmi e punës së vazhdueshme dhe vizionit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për zhvillimin e talenteve të reja, si dhe një sinjal i qartë se Shqipëria po ndërton kampionë për të ardhmen. Rruga vazhdon dhe Shqipëria vazhdon të ngrejë lart flamurin e saj në arenën ndërkombëtare" shkruan Federata.