Klidman Lilo pritet të jetë afrimi i radhës në ekipin e parë kombëtar të Shqipërisë. Sipas 'Sport 24' në Greqi, portieri i OFI-t të Kretës ka bindur trajnerin Sylvinho që pritet ta afrojë për dy ndeshjet miqësore të qershorit.

I lindur në Athinë, por me origjinë nga Erseka, Lilo ka qenë pjesë e moshave U-20 dhe U-21 të Shqipërisë duke zhvilluar 10 paraqitje në total. I dalë nga moshat e Panathinaikos, Lilo kaloi verën e shkuar te OFI-i i Kretës duke fituar edhe Kupën e Greqisë, teksa pritet që për herë të parë të ftohet në ekipin A të Shqipërisë.

Gardiani kuqezi luajti në finalen kundër PAOK-ut e cila u fitua me penallti, teksa Lilo ishte protagonist me ekipin ku më herët ka luajtur një legjendë e portës kuqezi si Arjan Beqaj. Në grumbullimin e fundit Sylvinho afroi për herë të parë në ekip edhe mbrojtësin e AEk-ut të Athinës, Stavro Pilo.

Lilo me gjasë do të jetë afrimi i fundit për Sylvinhon në Kombëtare, kjo pasi braziliani nuk ka rinovuar ende kontratën që i skadon në korrik dhe pritet që të largohet pas dy miqësoreve të qershorit.

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të rikthehet në 'Air Albania' gjatë muajit qershor për dy ndeshje miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut. Kuqezinjtë do të përballen fillimisht me Izraelin më 3 qershor, në orën 20:00, ndërsa më 6 qershor, po në orën 20:00, do të ndeshen me Luksemburgun.

Klidman Lilo, gardiani i Kombëtares U-21 kuqezi