Këtë herë nuk bëhet fjalë për flamuj kinezë që shiten në tregun e lirë, por me vetë institucionet shtetërore. Kështu kreu i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, pasi dekoroi bulevardin e kësaj bashkie me flamujt e Partisë Demokratike, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ka ndërmarrë një tjetër nismë. I ka ndryshuar fushën shqiponjës, simbolit tonë kombëtar.
Në hyrje të shkollës "Ibrahim Rugova" në Kamëz, është vendosur kjo pllakatë që shoqëron shkrimin, ku duket fare qartë që shqiponja, nuk ndodhet më mbi një fushë të kuqe, që simbolizon flamurin kombëtar, por është vendosur mbi një fushë blu, që është ngjyra e flamurit të PD-së. Por ky nuk është i vetmi deformim që i është bërë shqiponjës së vendosur në një nga shkollat që mban emrin e një personaliteti të shquar të Kosovës, siç është Ibrahim Rugova. Siç duket qartë, mbi shqiponjë, jo vetëm që është vendosur një pamje e shkollës, por madje asaj i mungon edhe gjuha, një element që e shoqëron shqiponjën në çdo simbol kombëtar. Gjithashtu edhe pjesa e bishtit të shqiponjës është krejtësisht e deformuar dhe gjithçka të jep idenë se ai që ka ideuar këtë pllakatë, për ta vendosur përbri emrit "Ibrahim Rugova" që mban kjo shkollë thjesht ka ushtruar dorën. Fotoja është publikuar në rrjetin social "Facebook", nga Pjerin Ndreu dhe menjëherë ka ngjallur reagime të forta.
HASAN PRISHTINA
Por dje është shënuar një tjetër gafë nga ana e Ministrisë së Kulturës. Teksa është përuruar memoriali i Hasan Prishtinës, te lulishtja pas Muzeut Historik Kombëtar, dhe ku merrnin pjesë personalitet më të larta të qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare, syrit të vëmendshëm të historianëve nuk i ka shpëtuar dot një marrëzi, që është shënuar me germa të mëdha në shtatoren e Hasan Prishtinës. Ata na bëjnë me dije se mbi emrin e Hasan Prishtinës, është shënuar me germa të mëdha "Hero i Popullit", titull që në të vërtetë ai nuk e ka.
(Memoriali i H. Prishtinës ku shkruhet "Heroi i Popullit", ne rreth titulli që ai nuk e ka)
"Fatkeqësisht, Hasan Prishtina nuk e ka këtë titull, ashtu siç nuk e kanë as Azem Galica, Idris Seferi, Elez Isufi, Themistokli Gërmenji, e shumë burra të tjerë të ndritur. Çuditërisht, në memorialin që u përurua dje ia kishin vënë edhe këtë titull. Injorantët mbeten injorantë. Para viteve 90-të heronjtë shpalleshin me dekret të veçantë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe ata njëkohësisht janë të identifikuar edhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, ndërsa tani jepen nga presidenca. Nëse nuk e mori këtë titull Hasan Prishtina, Presidenti le t'i japi atë dekoratë që i dha edhe Ahmet Zogut, "Urdhrin e Flamurit Kombëtar". Korrigjimi dhe reflektimi nuk duhet të vonojë"", - na thotë njëri prej studiuesve, i cili ka vënë re gafën e bërë në memorialin e djeshëm.
Në fakt ne u interesuam për këtë dhe na rezulton se në fjalorin Enciklopedik, përbri emrit Hasan Prishtina nuk është titulli "Hero i Popullit", titull që e gjen tek emri i Mic Sokolit, Isa Boletinit, etj. Po ashtu edhe gjatë kërkimeve tona për personalitetet që mbajnë titullin "Hero i Popullit", në Wikipedia (http://sq.wikipedia.org/wiki/Titulli_%22 Hero _i_P opullit% 22_n %C3 %AB _Shqi p%C 3%ABri), del një listë e gjatë emrash, por nuk figuron emri i Hasan Prishtinës. Kështu me sa duket, memoriali i atdhetarit të flaktë, i cili iu dedikua gjithë jetën çështjes kombëtare, i realizuar nga skulptori Artan Peqini me fondet e dhëna nga ministria e Kulturës, do të duhet të ndryshojë sërish vetëm një ditë pasi ai u ngrit në qendër të kryeqytetit.
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)