VLORË-Guardia di Finanza do të mbështesë Policinë e Shtetit me mjete ujore dhe helikopterë me qëllim kontrollin e plotë të gjithë kufirit bregdetar dhe zonat e cilësuara me risk për kultivimin e kanabisit.

Kjo u deklarua nga Kapiteni Francesco Della Corte gjatë një takimi të zhilluar sot në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë mes Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza, (GdF) për të koordinuar veprimet për monitorimin nga ajri, deti e toka, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe të trafikimit të tyre.
 
Në takim morën pjesë Drejtori për Krimet në Policinë e Shtetit Josif Shtëmbari, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Gentian Shehaj, Komandanti i njësisë së GdF-së për Vlorën Kapiten Francesco Della Corte.
 
Gjatë takimit Drejtori i policisë Vlorë Gentian Shehaj u shpreh: "Do kontrollojmë me përgjegjësi çdo cep të territorit nën juridiksionin e Drejtorisë Vendore të Policisë, Vlorë. Çdo parcelë e kultivuar që do të konstatohet, do të analizohet dhe do të nxirren personat përgjegjës që ngarkon ligji për kontrollin e territorit". 
 
Shtëmbari evidentoi progresin duke thënë se gjatë monitorimit dhe kontrollit të zonave me risk, zona ku vitet e kaluara ishin evidentuar bimë narkotike të kultivuara apo edhe pjesëve të tjera të territorit, nuk është evidentuar asnjë parcelë e kultivuar.
 
Monitorimet nga ajri, deti e toka do të intensifikohen më tej në ditët në vijim.

[gallery]22500[/gallery]

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com