Kanabisi, Manjani: Edhe ushtria
në terren para se të jetë vonë

Kanabisi, Manjani: Edhe ushtria<br />në terren para se të jetë vonë
Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani u është përgjigjur deklaratave të ministrave Kodheli dhe Tahiri, që reaguan pas propozimit për nxjerrjen e ushtrisë në luftën kundër kanabisit.
 
Manjani, në një reagim në Facebook, shprehet se nuk ka dashur të bëj polemika publike me kolegët ministra, por i qëndron akoma idesë se në terren duhet të dalë edhe ushtria për të luftuar kanabisin.

"Të gjithë duhet të jemi pro shfarosjes së kësaj të keqe, më e madhja që kemi sot midis nesh! Të gjithë pa dallim: policë, ushtarë, politikanë e zyrtarë të gjithë pa dallim". 

Sipas ministrit nëse nuk reagohet tani, më vonë do jetë vonë sepse trafikantët do kenë “modernizuar” infrastrukturën; do kenë blerë politikën dhe do kenë në dorë ligjin!

Përsa i përket deklaratës së Kodhelit të enjten se në një demokraci funksionale kushdo duhet të bëjë detyrat që iu takojnë dhe se jam më shumë se dëshirëplotë që t’i jap përgjigje kritikuesve që lëshojnë batuta nga kolltuqet dhe sallonet, Manjani reagon duke thënë se "Çështjet serioze kërkojnë reagime serioze! Dhe serioziteti nuk përcaktohet nga cilësia e kolltukut që i ofron detyra publike".  

Polemikat lindën, pasi Manjani të martën e kaluar deklaroi se nëse është e nevojshme të dalë edhe ushtria në terren, por ministrja e Mbrojtjes u përgjigj duke thënë se Forcat e Armatosura janë serioze dhe jo për operacione të tilla.
  
Para tre ditësh, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri bëri të ditur se po bën gati një propozim për Qeverinë ku kërkon ashpërsimin e Kodit Penal për cdo person të përfshirë në trafikun apo prodhimin e lëndëve narkotike.
 
Por Manjani thotë se në muajin Prill të 2016 ka dorëzuar projektin për ndryshime në Kodin Penal, por sipas tij ligji ndreqet shumë me mirë kur zbatohet mirë!.
 
 
Statusi i plotë i Manjanit
Nuk ka gjë më serioze sesa të shërbesh në një detyrë publike! Të shërbesh si ministër është edhe më serioze! Kështu që diskutimi mbi seriozitetin e të qenit serioz është i pa vend.
 
E fundit gjë që kisha menduar dhe ende e mendoj është të bëj polemika publike me kolegët ministra. Qeveria është një institucion kushtetues i rëndësishëm që bazohet në ligjshmëri, kolegjialitet, përgjegjësi, solidaritet por edhe konfidencialitet!
 
Çështja e shkuljes së hashashit nga toka por edhe nga mendja jonë është sot më seriozja! As shoqëria, as ekonomia, as politika, as biznesi (rinia jo e e jo) nuk kanë hajër nga hashashi! Përhapja e këtij fenomeni është katastrofë për të gjithë ne! Prandaj e përsëris edhe njëherë atë që thashë të martën e shkuar: Nga ky fenomen duhet të ndahemi tani! Më vonë do jetë shumë vonë!
 
Tani është momenti për ti dhënë dërrmën kësaj të keqe që është ende në fazat e hershme të tij! Më vonë do jetë vonë sepse trafikantët do kenë “modernizuar” infrastrukturën; do kenë blerë politikën dhe do kenë ne dorë ligjin!
 
Rinia e sotme nuk mund të rritet me trupin që i merr formën e karriges dhe me mendjen e trullosur nga tymi “dehës” i hashashit! E ardhmja jonë është më serioze sesa kaq!
 
Tani është momenti të shfarosim farën e hashashit sepse na duhet krahu i punës për ekonominë e ligjshme kombëtare! Ekonomia nuk zhvillohet dot nëse krahu i punës joshet të “dalë partizan” nga ekonomia rraskapitëse e hashashit!
 
Tani duhet të ndërhyjmë fort e me mend në kokë që të parandalojmë ngjarje kriminale që burojnë natyrshëm nga hashashizimi i shoqërisë!
 
Duhet të ndalojmë farën e hashashit por edhe rekrutimin e “ushtarëve” që ruajnë parcelat e paligjshme dhe bosët e tyrë që kërcënojnë sigurinë tonë publike!
 
Të gjithë duhet të jemi pro shfarosjes së kësaj të keqe, më e madhja që kemi sot midis nesh! Të gjithë pa dallim: policë, ushtarë, politikanë e zyrtarë të gjithë pa dallim!
 
Kjo nuk është batutë, por realitet shumë serioz! Çështjet serioze kërkojnë reagime serioze! Dhe serioziteti nuk përcaktohet nga cilësia e kolltukut që i ofron detyra publike!
 
Nuk janë ligjet pengesa! Nuk ka ligj që mbron kultivuesin e as trafikantin! Ashtu sic nuk ka drejtësi të besueshme që merret me përdoruesin egërsisht dhe me trafikantin “miqësisht”!
 
Duhet ta ndreqim dhe ligjin, pa dyshim! Por ligji ndreqet shumë me mirë kur zbatohet mirë!
Nuk dua të hyj aspak në garën e propozimeve publike të projekt ligjeve, sepse unë nuk jam në garë me askënd për të bërë detyrën time!
 
Por për kuriozitetin Tuaj që në prill të këtij viti kam depozituar në qeveri projektin për ndryshime në Kodin Penal! Ky projekt është aty, në Qeveri, në pritje për miratim!
Edhe njeherë: o tani o kurrë më!
 
 
 

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s’do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Dhunuan modelen, dy motrat Berisha ende në kërkim! Sekuestrohen dy mjetet me të cilat lëvizën, sipas TIMS rezultojnë në Shqipëri

Dhunuan modelen, dy motrat Berisha ende në kërkim! Sekuestrohen dy mjetet me të cilat lëvizën, sipas TIMS rezultojnë në Shqipëri