Në të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, por dhe të Globocan, matësit botëror të të gjitha llojeve të tumorëve në botë, kanceri i gjirit zë vendin e parë si në përhapje, ashtu dhe në vdekshmëri. Por ndërsa në botën Perëndimore, të kërcënuar prej vitesh nga kjo sëmundje punohet, propogandohet dhe gratë janë shumë të ndërgjegjësuara për kontrollet parandaluese, kontrollet vetjake, mamografitë apo ekografitë e përvitshme, sidomos pas moshës 40 vjeç, në Shqipëri, duhet të luftojmë akoma me një mentalitet të pabesueshëm, por shumë të pranishëm mes grave, sidomos në zonat periferike.
Kirurgu dhe onkologu i njohur Agim Karaj, përballet çdo ditë me raste nga më të pabesueshmet. Edhe ai pranon se ka pasur raste të kancerit të gjirit edhe në moshat mbi 20 vjeç, ku kryesisht kanë qenë të trashëguara nga nëna te vajza, apo te mbesa, pra një rritje të kancerit të gjirit te moshat e reja vihet re dhe në vizitat e përditshme që bëhen në spitalet publike dhe private. Çka në Shqipëri mbetet një pengesë ende e pakapërcyeshme, një aleat i jashtëzakonshëm për përhapjen e kancerit, përfaqësohet me mentalitetin absurd që kanë shumë gra dhe familjarë të tyre në lidhje me mjekimin.
Doktor, ju përballeni me dhjetëra raste në ditë si në Onkologjik, te Qëndra Universitare Nënë Tereza, ashtu dhe në spitalin tuaj privat "Amavita" këtu në Tiranë. Pse po përhapet gjithnjë e më shumë kanceri i gjirit në gruan shqiptare?
"Eshtë e vërtetë. Mbetet një fenomen shumë shqetësues dhe kërkohet shumë sensibilizim për të rrëzuar tabu që ka në Shqipëri që kur ja tregoj kolegëve të mi italianë, francezë apo nga vendet e tjera perëndimore, nuk arrijnë t'i besojnë. Këtu shumica e grave, sidomos ato që vijnë nga zonat më pak të zhvilluara, nuk kanë fare informacion. Ato mendojnë se kanceri është një sëmundje që nuk duhet të preket, se po e preke rritet dhe vdes. Në këtë mënyrë, ato jo vetëm që nuk prekin gjoksin e tyre për të zbuluar në kohë anomali si për shembull gjëndra, derdhje lëngu nga thithet, ndryshime të lëkurës e të tjera anomali, përkundrazi, këto gra, kur vijnë te ne mjekët dhe marrin vesh se janë të prekura nga kanceri i gjirit, refuzojnë të mjekohen"
Si refuzojnë të mjekohen? Ku shkojnë? Si rrjedh gjendja e tyre shëndetësore?
"Një nga betejat e mia më të mëdha dhe të vazhdueshme, por që deri tani e ndjej se jam i humbur, është t'i mbush mendjen këtyre grave dhe familjarëve të tyre se duhen operuar dhe duhen kuruar përmes medikamenteve. Kanceri i gjirit, nëse kapet dhe kurohet në kohë, ka mundësi shumë të mëdha kurimi, deri në 80 përqind, ndryshe nga shumë tumorë të tjerë. Me gra që kanë ndjekur kurimet dhe kanë kuptuar se si luftohet kemi pasur rezultate të shkëlqyera. Ato sot janë shumë mirë dhe vazhdojnë jetën normale. Ndërsa kur flas për shumicën e grave që unë vizitoj, nuk është e lehtë që ato të kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë. Ato refuzojnë të mjekohen dhe ikin të gjejnë shërim të Hoxhallarët, Dervishët, Priftërinjtë dhe te mjekët popullorë. Shumë herë kam kërkuar të takoj edhe Arqile Botin, mjekun popullor, ai pretendonte se mjekonte kancerin me gjethe akulli, por ai ishte një iluzion. Kam insistuar që të flisnim, por nuk pranoi asnjeherë të më takonte. Kështu këto gra, pasi humbnin kohë të çmuar duke shkuar te Hoxhallarët e mjekë të ndryshëm popullorë, vijnë tek ne në gjendje shumë të rënduar. Atëherë kur ishte shumë e vështirë për të pasur shpresa konkrete për shërimin".
Ju thoni se ky numër grash është më i madh në krahasim me ato që janë të ndërgjegjësuara për kontrollet dhe kurimin spitalor?
"Sipas eksperiencës time, unë them se janë mbi 50 përqind e grave që unë kam vizituar, të cilat refuzojnë të mjekohen dhe janë mbartëse të një mentaliteti të prapambetur që ka lidhje me thënie të pavërteta popullore në lidhje me kancerin".
Mos ndoshta ky ngurrim në disa gra vjen edhe për shkak të mungesës së një shërbimi shëndetësor që favorizon gruan dhe i krijon asaj një ambjet të përshtatshëm në rastin e konstatimit të një patologjie të rëndë?
"Edhe kjo është e vërtetë përsa i takon strukturave publike. Shëndetësia nuk ka shumë investime dhe buxheti është shumë i vogël në krahasim me kërkesat që ka. Mungojnë shumë medikamente, deri ato më të domosdoshmet për kimioterapinë. Janë shumë të kushtueshme dhe sistemi publik nuk i plotëson të gjitha kërkesat. Ndërsa shërbimi shëndetësor privat ka ecur shumë përpara"
Në momentin që një grua shqiptare diagnostikohet me kancerin e gjirit, çfarë mundësish kurimi ka në Shqipëri? Apo duhet të marrë rrugët për t'u mjekuar jashtë shtetit?
"Në Shqipëri janë të gjitha kushtet. Ne kemi këtu mjekë shumë të mirë që në konstatimin e sëmundjes deri në rindërtimin e gjoksit pas heqjes së tumorit".
Bëhen në Shqipëri operacione të rindërtimit të gjoksit pas heqjes së tumorit. Pra ju thoni që një grua, edhe këtu tek ne e ka mundësinë të mos mbetet "e gjymtuar" me heqjen e njërit gjoks ose një pjese të tij?
"Unë kam 6 vjet që kam bërë ndërhyrjen e parë plastike në gjoks pas heqjes së kancerit. Kam bërë shumë specializime në Itali, Francë, Rusi për operacion plastik dhe këtë kam mundur ta bëj në të njëjtën kohë që bëhet edhe operacioni për heqjen e kancerit ose edhe në distancë pas tij. Pra këtu bëjmë të gjitha ndërhyrjet që mund të bëhen në klinikat më të mira edhe në Itali, Francë apo shtete të tjera më të zhvilluara. Për ne, problemi më i madh është rrëzimi i mentalitetit që ekziston te gruaja dhe familjarët. Pastaj mjekët, shoqatat dhe Shteti duhet të bëjnë shumë punë për sensibilizimin. Unë nuk lodhem asnjëherë duke luftuar për këtë çështje".
(shqiptarja.com)