Kontrollet për kancerin e qafës së mitrës do të nisin në një moshë më të re. Në përpjekje për të kapur më herët rastet me risk dhe për të parandaluar zhvillimin e sëmundjes, depistimi do të ulet në 35 vjec nga 40 vjec që ishte më parë.

“Në epidemiologjinë që ka bërë ISHP, para fillimit të programit u identifikua mosha me rrezikshmëri më të lartë ajo 40-50 vjeç. Ne do ta ulim fashën, do të fillojmë në atë 35 vjeç. Megjithatë, standardi europian është për të përfshirë në programin e depistimit gratë të moshave 30-60-65 vjeç", shprehet mjeku. 

Megjithatë kanceri i qafës së mitrës në vend paraqet një tendencë në rënie. Aktualisht regjistrohen rreth 100 raste të reja në vit.

 

“Incidenca është në rënie, ku aktualisht kapen rreth 100 deri në 105 raste të reja në vit, krahasuar me 120-130 raste që kapeshin më parë. Vdekshmëria mbetet në një nivel të qëndrueshëm", tha Ylli. 

Një rol vendimtar në shfaqjen e sëmundjes ka Virusi i Papilomës Humane, i cili transmetohet përmes kontakteve seksuale.

Edhe pse ekzistojnë qindra variante të këtij virusi, vetëm një numër i kufizuar prej tyre lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e kancerit. Duhanpirja përmendet gjithashtu si një faktor që rrit rrezikun.

“Ekzistojnë rreth 150-200 nëntipe të HPV, por vetëm rreth 14 prej tyre kanë risk të lartë për të shkaktuar kancer. Ky virus përhapet përmes marrëdhënieve seksuale dhe është shumë i vështirë të parandalohet vetëm me këshilla apo ndryshim të sjelljes, pasi pothuajse të gjithë jemi të ekspozuar ndaj tij. Duhani ka një efekt të pavarur si faktor rrisku, i palidhur direkt me faktorët e tjerë”, tha Ylli. 

Mjeku specialist, Alban Ylli njoftoi se po punohet për të zgjeruar testimin për parndalimin e këtij virusi.

“Një risi e rëndësishme është futja e genotipizimit në shërbimin shtetëror. Ky proces lejon identifikimin specifik të nëntipeve më të rrezikshme të HPV-së, duke ndihmuar gjinekologët të marrin vendime klinike më të thjeshta dhe duke kursyer kostot për gratë që më parë detyroheshin ta bënin këtë test në privat”, njofton Ylli. 

Virusi i Papilomës Humane është ndër format e rralla të kancerit që mund të parandalohet pothuajse plotësisht, nëse identifikohet në kohë, thonë mjekët. Dhe forma më e mirë për këtë është vaksinimi, që sipas kalendarit kombëtar, tashmë është shtrirë për vajzat edhe djemtë.  

Çdo vit, rreth 10 mijë gra i drejtohen shërbimeve shëndetësore për depistimin e kancerit të qafës së mitrës.