Nga kryetare e Gjykatës Kushtetuese në kandidate për anëtare në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Holta Zaçaj kërkoi këtë të mërkurë në komisionin e Ekonomisë besimin për të hyrë në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës Qendrore.

“Fakti që po aplikoj për këtë institucion lidhet direkt me rëndësinë e BSH për funksionim e shtetit”, u shpreh Zaçaj.

“Pse kërkoni këtë provojë të re nga gjyqtarja kushtetuese në një nivel që, po përsëri është shumë i rëndësishëm. Por nuk është niveli i gjyqtarit kushtetues”, pyet Braçe.

“Së pari të jesh kryetar i Gjykatës Kushtetuese është një privilegj i rrallë, dhe një plotësim ëndrre i çdo juristi, besoj që me shkollën, por dhe një përgjegjësi e madhe. Ashtu siç Gjykata Kushtetuese patjetër mbetet në piramidën, po kështu roli i Bankës së Shqipërisë është shumë i rëndësishëm në fushën e në fushën e rregullimit në tregut”, tha Zaçaj.

Luljeta Minxhozi zëvendësguvernatore e parë, kërkon një mandat të dytë si anëtare e Këshillit Mbikëqyrës, e cila u përkrah hapur edhe në komisionin e Ekonomisë.

“Unë kam ndihmuar bankën për të bërë ligjin për të transpozuar në sistemin ligjor të Shqipërisë, të gjithë direktivën evropiane të pagesave. Banka e Shqipërisë gjendet përpara sfidës ta operacionalizojë të gjithë këtë sistem ligjor që krijoi për pagesat”, tha Minxhozi.

“Transformimi që është bërë nga një bankë që vidhet për së brendshmi, tek pranimi në SEPA, një rrugëtim që meriton vlerësim. Dhe për mua do ishte patjetër, një vlerësim jo thjesht për ju, por edhe për ne që zgjedhim, që kandidatura juaj t'i përcillet Kuvendit për t'u votuar si anëtar i Këshillit gjyqësor të Bankës së Shqipërisë”, tha Braçe.

Aktualisht janë 6 vakanca në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, por Kuvendi ka shpallur 3 vakanca, ndërsa 3 propozime për vakancat e tjera do të bëhen nga qeveria.

Janë 20 kandidatë të vetë-ofruar për 3 vendet e shpallura nga Kuvendi, mes tyre Artan Hoxha (rikandidim), Selami Xhepa, Violeta Staka (rikandidim), Pajtim Melani etj.

Kandidaturat që shpalosën platformat e tyre në Komision tashmë duhet të sigurojnë nga 28 firma deputetësh që të kalojnë për miratim në Kuvend.

Këshilli i Bankës ka në total 9 anëtarë, por aktualisht vetëm 3 prej tyre kanë ende mandat Gent Sejko, Natasha Ahmetaj dhe Anastas Angjeli, për këtë arsye këshilli nuk mund të marrë vendime derisa të zgjidhen 6 anëtarët e rinj.

Anëtarët me mandat të mbaruar që janë emëruar në vitin 2018 janë Luljeta Minxhozi anëtare dhe zëvendësguvernatore e parë, Suela Popa, Edlira Luçi, Ridvan Bode, Artan Hoxha dhe Violeta Staka.

Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, ku pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi, 3 anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave dhe një nga Këshilli Mbikëqyrës.