Kandidatët e mundshëm për zgjedhjet lokale

Kandidatët e mundshëm për zgjedhjet lokale

Foto ilustruese

Erion Veliaj në Tiranë, Emiriana Sako në Durrës, Flamur Golemi në Gjirokastër, Ervin Demo në Berat, Alma Hoxha në Përmet, janë disa nga emrat e konfirmuar për PS. Ilir Alimehmeti në Tiranë, Ardian Muka në Durrës, Asllan Dogjani në Kamëz, janë disa emra që do garojnë për PD.

Cilët janë kandidatët e mundshëm të dy partive të mëdha që do garojnë për zgjedhjet lokale të pranverës 2023 dhe cilët janë kryebashkiakët aktualë të përjashtuar nga kjo garë?

Në pranverë në Shqipëri do mbahen zgjedhjet e 9-ta lokale pas rrëzimit të komunizmit. Sipas traditës, përpara çdo zgjedhjeje themi se këto kanë rëndësi të veçantë, por e vërteta është se zgjedhjet që me shumë gjasë pritet të mbahen më 14 maj mbartin një rëndësi jo për arsye që klasa politike përsërit veten por sepse zgjedhjet e 8-ta të mbajtura më 21 qershor 2019 u zhvilluan pa garë në mungesë të opozitës. Prandaj, gara e vitit 2023 pritet me kërshëri dhe të dy kampet politikë do tregojnë muskujt: PS për të konfirmuar veten dhe PD për të treguar nëse mund të bëhet pjesë e pushtetit. Për rrjedhojë, nëse PS fiton zgjedhjet lokale ajo çimenton edhe qeverisjen qendrore. Nga ana tjetër, nëse zgjedhjet i fiton PD, opozita fiton një besim të humbur dhe të zhdukur deri tani dhe i kjo fitore do t’i shërbejë si paradhomë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Përgatitjet nga të dy kampet kanë nisur dhe ajo që diskutohet aktualisht është përzgjedhja e kandidatëve për kryebashkiakë, një element kryesor në zgjedhjet lokale. Por cilët janë kandidatët e mundshëm deri tani që do garojnë në pranverë? Kush do garojë në Tiranë, në qytetet kryesore por edhe në bashkitë e vogla? Cilët kandidatë janë të sigurtë, cilët nuk janë të sigurtë dhe cilët janë ata që janë përjashtuar nga kjo garë?

KANDIDATËT E TIRANËS

Kush fiton Tiranën, është edhe fituesi i zgjedhjet lokale. Partia Socialiste duket se e ka konfirmuar Erion Veliajn për të kandiduar për një mandat të tretë. Në fakt emri i tij nuk vihej fare në diskutim përveç atyre në PS që ëndërrojnë të jenë vete në krye të bashkisë më të madhe në vend dhe atyre në opozitë që herë e shikojnë Veliajn si targetin e tyre kryesor dhe herë e shpërfillin duke nënkuptuar se vetëm kështu e kanë të sigurt fitoren ndaj tij. Por Veliaj tashmë ka rritur kreditet e tij politike në PS dhe emri i tij si kandidat zyrtar nuk vihet fare në mëdyshje. Ai tashmë pret vetëm të hartojë strategjinë e vetë për garën si stafin e ngushtë që do organizojë fushatën. Dhe ai zotëron jo pak avantazhe përballë çdo kandidati të PD pavarësisht se strategjikisht batareja e sulmeve të opozitës ndaj Veliajt në shumë raste ia kalon edhe vetë Edi Ramës. Një fitore e tretë e tij në krye të bashkisë do ta barazonte për numrin e mandateve të fituara me ish-kryebashkiakun Edi Rama. Kjo do t’i jepte atij edhe më shumë fuqi politike dhe më kryesorja Erion Veliaj do bëhej njëkohësisht një kandidat i padiskutueshëm si pasardhës i Edi Ramës në krye të PS. Kjo tashmë nuk është vetëm një dëshirë dhe ëndërr, por një realitet dhe të gjitha gjasat janë që Partia Socialiste të shkojë drejt këtij skenari.

Problemi për garën e Tiranës është cilin kandidat do nxjerrë Partia Demokratike. Padyshim që primaret që pritet të mbahen më 6 dhjetor janë një revolucion në Shqipërinë politike pas vitit 1990 dhe kjo krijon avantazhin e parë në mënyrën e përzgjedhjes së kandidatit. Deri tani jemi mësuar që kandidatët të emëroheshin nga kryetarët, në rastin më të mirë me preferencë dhe me lobim politik dhe në rastin më të keq deri në blerje. Por me primaret një gjë e tillë merr fund. Janë disa emra që qarkullojnë në PD si kandidatë për bashkinë e Tiranës dhe madje ka nisur edhe angazhimi i tyre. Por problem numër një në PD është ndarja në dy grupime, ai i “Foltores” dhe ai i Alibeajt. Dhe në këtë kontekst primaret në këtë parti e kanë një ngërç. A do ketë bashkim dhe pajtim mes dy grupeve apo do ketë bashkëpunim? Nëse arrihet e para, padyshim që PD do jetë jo pak avantazhuar por nëse nuk do arrihet kjo dhe do ketë thjesht një bashkëpunim, PD është e destinuar të ngecë rëndë në këtë garë. Për kujtesë, PD bashkëpunoi në zgjedhjet e 8 majit 2011 edhe me Partinë Komuniste të Hysni Milloshit. A do ishte normale që 12 vjet më pas PD të bashkëpunonte me veten?

Por sa vend kanë emrat e përfolur. Ai më seriozi dhe më i besueshmi është mjeku i njohur Ilir Alimehmeti. Një tiranas autokton por që të qenit vendali prej disa shekujsh nuk e konsideron diplomë dhe zotësi, por si armë kryesore ka të qenit një qytetar i mirë. Si kandidat i mundshëm, Alimehmeti duket më seriozi por më shumë se kaq ai njihet si një personazh me integritet. Por pyetja është a do ta pranojë PD në garën e saj që doktori dhe pedagogu të jetë ai përfaqësues i kësaj partie në garën më të rëndësishme në pranverë? A do t’i hapin rrugën ata xhelozë dhe ngatërrestarë në PD që nuk janë pak në mënyrë që mjeku epidemiolog të zhvillojë një garë të denjë, apo do ti nxjerrin probleme? Mjafton dalja e emrit të tij në skenë dhe në PD dolën penguesit e parë të tipit “ky nuk ka bërë jetë partie”, “Ky nuk ka kontribut” “Këtë nuk e njohin strukturat” e të tjera si këto. Megjithatë, nëse Alimehmeti do zyrtarizohej si kandidat, Tirana do kishte një garë të bukur.

GARA PËR DURRËSIN

Pas Tiranës, Durrësi do jetë beteja e dytë më e rëndësishme në zgjedhjet lokale. Emiriana Sako e PS noton në ujëra të qeta në Durrës si kryebashkiake dhe të paktën deri tani, fituesja e garës së zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit me rreth 58 për qind të votave, ka jo pak avantazhe për të qenë sërish kandidate. Ish-kandidati i PD-së, pjesë e “Foltores” Ardian Muka mori 19.844 vota ose rreth 30 për qind të votave, ndërkohë që kandidati tjetër i PD, Luan hoti mori 7928 vota ose 12 për qind të votave. Llogaritë matematikore e nxjerrin sërish të avantazhuar Sakon për garën e re. Kanë kaluar vetëm shtatë muaj nga ajo garë dhe gjasat janë që PS të konfirmojë sërish Sakon. Por në PD ende nuk dihet se cili kandidat do jetë në garë. Primaret duket se favorizojnë sërish Ardian Mukën, i cili për hir të vërtetës, në garën e 6 marsit nuk pati shumë mundësi për shkak të kohës së shkurtër dhe problemeve që kishte vetë PD. Edhe në Durrës vlen si faktor kryesor bashkimi dhe pajtimi dhe jo bashkëpunimi. Nëse ndodh e para, kandidati pritet të ketë avantazhe, ama nëse ndodh e dyta, edhe Durrësi mund të ketë të njëjtin fat si Tirana.

TË KONFIRMUARIT E PS PËRBALLË TË PAKONFIRMUARËVE TË PD

Flamur Golemi në Gjirokastër dhe Alma Hoxha në Përmet janë të konfirmuarit e dytë pas Erion Veliajt në Partinë Socialiste për zgjedhjet lokale. Është si një nxemje për fushatën ajo që po bën këto ditë kryesocialisti Edi Rama në një tur nëpër Shqipëri dhe mbështetja që u ka dhënë këtyre figurave është e dukshme. Sigurisht që Rama nuk ka deklaruar zyrtarisht kandidimin e tyre por mënyra e artikulimit që ai ka bërë është e tillë që si Golemi dhe Hoxha do jenë sërish kandidat. Ndërkohë në Partinë Socialiste janë edhe disa kryebashkikë të tjerë që duken të konfirmuar. Kështu, Ervin Demo i Beratit duket se do kandidojë për një mandate të dytë. Adriatik Mema i Skraparit është një emër tjetër që pothuajse është i konfirmuar. Përballë tyre PD ende nuk ka asnjë emër. Ndryshe ndodh në Kamëz. Rakip Suli i PS duket i konfirmuar. Ndërkohë që përballë ai pritet të ketë Asllan Dogjanin e PD që ka shpallur kandidimin në primare dhe gjasat janë që edhe të fitojë. Dikur deputet i PS, me këtë kandidim Dogjani po thyen mitin e Xhelal Mziut në Kamëz. Megjithatë Dogjani do ketë përballë Sulin dhe jo Mziun dhe gara pritet të jetë shumë e fortë. Më tej, Erion Isai i PS në Kolonjë duket se do kandidojë për një mandat tjetër. Gjithashtu, Pjerin Ndreu është i sigurt që do garojë për një mandat tjetër në Lezhë. Tërmet Peçi është një emër tjetër që është i konfirmuar për garën e re elektoriale. Kryebashkiaku me emrin e çuditshëm edhe ketë here synon të shkaktojë “tërmet”, duke fituar një mandat të katërt, një rekord ky mes të gjithë kryebashkiakëve. Përjashtim i kësaj liste përbën vetëm Shkodra. PD duket se e ka konfiruar Bardh Spahinë, i cili ka krijuar ishullin e vetëm demokrat mes 61 bashkive që ka vendi. Spahia pritet të garojë për një mandat të plotë tashmë pas fitores në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Ndërkohë nga PS ende nuk ka një emër por duket se Rama po e zgjedh nga radhët e deputetëve këtë herë. Edona Bilali mund të jetë kandidatja e mazhorancës për të garuar për bashkinë më të rëndësishme në veri të vendit. Dhe në Shkodër, cilido të jetë kandidat gara do jetë e vështirë për PS-në. Për bashkitë e mbetura, si në kampin e PS dhe të PD nuk ka as emra zyrtarë dhe as emra që përfliten.

KRYEBASHKIAKËT E PS QË JANË NË PIKËPYETJKE

Është e sigurt që kryebashkiaku socialist Dritan Leli në Vlorë nuk do konfirmohet si kandidat për një mandat të tretë në zgjedhjet e reja lokale. Përplasja e tij me Edi Ramën i ka dhënë fund drejtimit të kësaj bashkie dhe në Vlorë ka nisur ethet e gjetjes së preferuarit të kryesocialistit. Ilir Metaj është një prej tyre, por ende nuk ka ndonjë zyrtarizim. Ndërkohë në Fier, Armando Subashi nuk e ka të sigurt që do jetë në garë për një mandat të tretë. Subashi është pjesë e hetimit të SPAK për dosjen e inceneratorëve dhe kjo ia ka vështirësuar jo pak atij pozitën në krye të bashkisë së Fierit dhe pak gjasa ka që të jetë sërish. Po për të njëjtën çështje, edhe Gledian Llatja i Elbasanit nuk e ka të sigurt rikandidimin. Ai është pjesë e dosjes së incineratorëve dhe tashmë kandidimi ose jo është vetëm në dorën e kryesocialistit Rama.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bashkim: 24/10/2022 15:09

    Imagjino qetesine e ujrave te Durrsit nese do kandidonte fjala vjen Iljaz Hasanbelliu....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite

Spahiu: Meqë Berisha kërkon qeveri teknike me PS, uroj që Rama ta bëj ministër 4 vite