Për 173 minuta u bëra tutkall dje pas pëlhurës së projeksionit në kinema “Millenium” duke parë filmin “Odisea” të Christopher Nolan. Për koicidencë, po dje në mbrëmje u bëra tutkall për 110 minuta edhe pas ekranit të televizorit teksa “Digitalb” transmetoi filmin televiziv “Odisea”, një bashkëpunim italian, gjerman, francez, jugosllav dhe produksion i RAI-t. Ndonëse 5 orë në 24 orët e një dite duken shumë t’i harxhosh me Odisenë, jam i bindur që janë orë cilësore në jetë. Ndërkaq, “Odisea” i Nolan as që krahasohet me “Odisean” e RAI-t dhe ndonëse ne shqiptarët me të drejtë mburremi me dy yjet Bekim Fehmiu dhe Iren Papas, ky i RAI-t dukej gati si një film pa zë përballë kryeveprës së Nolan.

Një ritëm i jashtëzakonshëm, efekte që të bëjnë të ndjesh sikur je në shesh xhirimi, aktorë që kanë kaluar pritshmëritë dhe një fabul që ka 3200 vjet që rrëfehet e rrëfehet dhe të vjen kaq e gjallë në vitin 2026 sikur ti e shikon për herë të parë, e bëjnë atë një masterpiece të artit të shtatë. Lufta e Trojës ndodhi 1200 vjet, ose 12 shekuj përpara Lindjes së Jezu Krishtit. Poeti i Greqisë së lashtë, Homeri, e shkroi “Iliadën” dhe “Odisenë” në vitin 800, ose 8 shekuj përpara Lindjes së Krishtit. Pra, 400 vjet pasi kishe ndodhur Lufta e Trojës. Ndërsa Christopher Nolan e solli të skenarizuar në film në vitin 2026. Pikërisht për “Odisean” e Chris Nolan kam zgjedhur 10 impresione për atë që përjetova unë dhe që mendoj për këtë film.

1. PRODUKSIONI QË LË PAS FILMAT “GLADIATORI” DHE “TROJA”

Deri para se të shfaqej “Odisea”, filmat epikë që ishin në podin e nderit ishin “Gladiatori” i regjisorit Ridley Scott dhe “Troja” i Wolfgang Petersen. Vetëm në disa ditë shfaqje, lë të kuptosh që “Odisea” po i lë pas në shumë drejtime. E para, nga mënyra e realizimit. Duke përdorur teknologjinë “IMAX” në sistemin e kamerave Odisea e ka shtuar edhe më shumë cilësinë e figurës, por edhe të detajeve. Dhe ky është një revolucion më vete në botën e kinematografisë. Por madhështia e filmit “Odisea” nuk mbetet vetëm këtu. Deri më parë filmat e Hollyëood-it filmonin vetëm disa minuta me sistemin IMAX, kamera e të cilit peshon aq shumë sa duhen gjashtë persona ta mbajnë. “Odisea” i Nolan është i xhiruar i gjithë me IMAX duke e bërë atë të parin film në histori që realizohet me këtë teknologji super-super të lartë. Me këtë teknologji, kostoja e filmit shkon deri në 500 dollarë për 1 sekondë xhirim. Prandaj, kur gjatë shikimit të filmit jemi habitur që në gjithë gjerësinë dhe gjatësinë e ekranit kemi kapur detaje të veçanta, kjo vjen pikërisht nga IMAX. Por realizimi nuk do vlente nëse regjisori Nolan nuk do zgjidhte linjën e fabulës së Homerit për kthimin e Odiseas nga Troja në Itakë që zgjati 10 vjet. Pikërisht ky është suksesi i tij. Ai ka kthyer historinë e Homerit në një rrëfim të qartë dhe të thjeshtë si skenar për këdo. Ka edhe një element domethënës. Lufta e Trojës bashkë me kthimin e Odisesë zgjati 20 vjet. Po 20 vjet ka zgjatur impenjimi i Nolan me këtë film që nga shfaqja e idesë në vitin 2006 e deri te shfaqja e filmit në kinema në vitin 2026. Gati-gati Nolan është shndërruar vetë në një personazh modern të Homerit. Është pikërisht ajo që dje ai theksoi në një intervistë për BBC: “Arsyeja pse Homeri mbetet ende i rëndësishëm për ne pas 3000 vitesh është se personazhet e tij janë të lidhur me jetët e sotme si përvojë njerëzore.”

2. KASTI I AKTORËVE QË LA PAS RUSSELL CROËE DHE CONNIE NIELSEN

Kishim krijuar një perceptim që Russell Crowe, Joaquin Phoenix, Connie Nielsen te “Gladiatori” dhe Brad Pitt, Eric Bana, Orlando Bloom dhe Diane Kruger te “Troja”, ishin maja e interpretimit në një film hollywoodian epik. Por me filmin “Odisea” ka ndodhur përmbysja e madhe. Me mjeshtërinë e tij amerikani Matt Damon ka bërë një kapërcim gati të paparashikueshëm. Ai ka përjetësuar figurën e Odisesë në një personazh të gjallë saqë ka çmitizuar yjet e Hollyëood. Trup me muskulaturë të denjë për një Odise dhe lëvizje plus mimikë që shpreh plot emocion e ka çuar edhe më lart profilin e Odisesë. Vërtetë Damon ka luajtur rolin më të arritë në karrierë, por sipas kritikëve ai ka luajtur gjithashtu edhe rolin më të mirë të Odisesë në historinë e kinemasë. Ndërsa amerikania Anne Hathaëay pati aftësinë të na sjellë Penelopën aq origjinale dhe me elementë tipikë të mbretëreshës që priti për 20 vjet mbretin Odise. E kishim parë Hathaway në role gati lozonajre si Andy te “Djalli vishet me Prada” dhe me këtë por edhe role të tjerë ajo padyshim futej mes aktoreve më të mira të industrisë së filmit. Por me rolin e Penelopës, Hathaway e fut veten tek aktoret më të mira mes më të mirave. Dhe kjo bën që vlera e Damon dhe Hathaway të rritet teksa na krijojnë imazhin e personazheve që ata luajnë. Kur themi gjenerali romak Maksimus, në mendje kalojmë imazhin e Russell Crowe. Kur themi Akili në mendje kalojmë imazhin e Brad Pitt, të Helenës së Trojës Diane Cruger, të Paridit Orlando Bloom dhe Hektorit, Eric Bana. Do kalojnë vite dhe imazhi i Odisesë do jetë ai i Matt Damon dhe imazhi i Penelopës do jetë ai i Anne Hathaway.

3. MUZIKA JO MË E MIRA, PJESA SHQIPTARE MË KRENARJA

Ka një rregull me filmat e Hollywood-it. Një film i mirë kthehet në një film shumë të mirë falë një muzike të jashtëzakonshme. Shembujt janë nga më të ndryshmit. Ennio Morricone u vendosi vulën filmave ëestern falë tingujve të paharrueshëm të muzikës. Hans Zimmer e bëri “Gladiatorin” një film të paharrueshëm edhe falë muzikës së tij. Ndërsa në filmin “Odisea” kjo nuk ndodh. Muzika e tij nuk është dominante. Gati një shikues jomesdhetar nuk arrin ta fiksojë muzikën. Kompozitori Ludwig Goransson, ose siç e quajnë në Hollywood Ludwig Van Beethoven, ka përdorur tinguj që vijnë nga lashtësia për t’i dhënë sa më shumë origjinalitet dhe pikërisht këtu qëndron edhe mjeshtëria e tij. Qershia mbi tortë është përdorimi i tingujve të folklorit shqiptar në film. Fyelli i Gramshit dhe isopolifonia e toskërisë janë dy elementë që shfaqen disa herë në sekuenca. Pra, trashëgimia jonë kulturore bëhet pjesë në një film epik të Hollywood-it dhe kjo është e jashtëzakonshme për ne. Studiuesi dhe nënkryetari i Akademisë së Shkencave Vaso Tole ka meritën që jo vetëm e shoqëroi Goransson në Shqipëri por e orientoi se çduhet të bënte dhe ku duhet të shkonte. Pastaj instrumentisti Vendim Kapaj me fyellin e tij është një tjetër vlerë që sot ne duhet ta quajmë monument kulture të gjallë. Pyetja thelbësore për filmin është përse Goransson nuk shkoi në Greqi për të marrë atje tinguj nga ato të kohës së Itakës së Odisesë apo të Homerit, por erdhi në Shqipëri? E thjeshtë fare. Sepse nuk kishte. Pra filmi Odisea ka një përzierje të elementeve të mitologjisë greke me elementë realë të trashëgimisë shqiptare. Epo kjo është e jashtëzakonshme.

4. OSCAR DO MBULOJË NË AR ODISENË

Në shkurt të vitit 2027 do ndahen çmimet “Oscar” për produksionet e vitit 2026. Nuk ka nevojë të bësh orakullin për të parashikuar se filmi “Odisea” do lahet në ar. Statuja rreth 4 kilogram me metalin e verdhë do jetë në shumë duar që përbëjnë këtë film. Që tani kanë nisur diskutimet. Por jo për jurinë se ajo asnjëherë nuk bëhet publike. Kështu, vetë filmi është kandidat që tani për të rrëmbyer statujën prej ari. Por beteja më e fortë duket se do jetë për kategoritë e aktorëve. Matt Damon pritet të jetë fituesi i aktorit më të mirë për meshkuj në rol kryesor, Anne Hathaway për aktoren më të mirë femër për rolin kryesor. Më tej spikasin Thomas Holland për rolin mbështetës për meshkuj edhe Charlize Theron për kategorinë mbështetës për femra. Por besohet dhe muzika e Goransson do jetë e nominuar, por edhe fituese gjithashtu. Kandidatë janë deri te kategoritë e grimi më i mirë. Pra, numri i fituesëve të Oscar si pjesë përbërëse e këtij filmi mund të jetë një rekord më vete.

5. KAMPION NË ARKËTIME

Janë disa filma deri tani të prodhuar na Hollyëood që kanë shënuar rekorde për buxhetet me të cilat janë realizuar por veçanërisht me arkëtimet që kanë arritur. Kështu, buxheti i filmit “Troja” ishte 185 milionë dollar, ndërsa arkëtimi arriti rreth 500 milionë dollarë. Buxheti i filmit “Gladiatori” ishte 103 milionë dollarë ndërsa arkëtimi ishte 466 milionë dollarë. Buxheti i filmit “Titanik” ishte 200 milionë dollarë dhe arkëtimi ishte 2.3 miliardë dollarë. Buxheti i filmit “Pearl Harbour” ishte 140 milionë dollarë dhe arkëtimi arriti 450 milionë dollarë. Por filmi “Odisea” i Nolan pritet të jetë rekordmeni i rekordeve. Buxheti që e realizoi këtë film është 250 milionë dollarë. Por vetëm që nga 17 korriku kur u shfaq si premierë arkëtimet kanë arritur rreth 1 miliardë dollarë. Po. E lexuat mirë. 1 miliard dollar. Llogjikisht i bie që “Odisea” do arrijë shifra të frikshme. Sipas gazetës “CineDaily”, Nolan po bëhet regjisori i tretë në historinë e kinematografisë me fitimet më të larta pas Steven Spielberg dhe James Cameron.

6. NJË FILM PËR GJITHË GLOBIN

Më 19 korrik në Neë York u luajt finalja e Kupës së Botës 2026 në futboll. Për gati 40 ditë globi rrotullohej rreth topit të futbollit. Dy ditë përpara finales u shfaq premiera e filmit “Odisea” dhe jo vetëm që nuk pati mungesë vëmendje për shkak të këtij botërori por shifrat e shikueshmërisë ishin të frikshme. Çfarë ndodhi? Nga SHBA ku u shfaq premiera e deri në Australi, filmi “Odisea” nisi të ndiqet nga miliona e miliona shikues. Gati-gati për botën mbarë shikimi i këtij filmi në kinema është kthyer në një Odisemani.

7. NGJYRA E HELENËS, NJË FILM PËR DEBAT

Kur shikon se Helena e Trojës paraqitet në këtë film një vajzë me ngjyrë doemos që pret të ngjallen debate. Personalisht këtë e kuptoj si një truk të regjisorit për të ngjallur debat dhe asgjë më shumë. Aktorja keniane me banim në Meksikë dhe fituese e Oscar, Lupita Nyong’o, nuk mund të bënte asgjë më shumë se të luaj një rol që ia kanë besuar. Por Helena e saj ka një problem jo të vogël. Imazhi i fiksuar për publikun i një Helene të vërtetë ka mbetur te aktorja bionde Diane Cruger dhe kurrsesi kjo, nuk mund të përmbyset aq më keq nga një aktore me ngjyrë. Por duket se regjisori ka shfytëzuar faktin që Homeri e përshkruan Helenën shumë të bukur aq sa pleqtë e Trojës u tronditën kur ajo u shfaq në bedena, por pa përmendur që ishte bionde me sy blu. Në fakt, ka një logjikë për kohën kur ndodhi Lufta e Trojës. Një grua në atë kohë ishte e bukur kur ishte bionde dhe me sy me ngjyrë. Chris ka provokuar duke e portretizuar Helenën me ngjyrë të zezë duke bërë një kapërcim po se po, por edhe një element që lë shteg për debate të forta. Sigurisht duke mbajtur nën mëngë karta që mund të sqarohet dhe mbrohet. Helena me ngjyrë realisht askujt nuk i pëlqen. Madje edhe vetë Nyong’o nuk duhet të ndjehet komode për rolin e saj. Por kjo është zgjedhje e regjisorit dhe ndonëse në këtë film ka një pozitë episodike, ajo bie shumë në sy.

8. MEDIA NË EKSTAZË PËR ODISENË

Kurrë më parë media nuk ka marrë një vëmendje kaq të lartë sa me filmin “Odisea”. Televizionet më të rëndësishme të botës anglishtfolëse, gazetat që ende kanë ruajtur testatat e tyre dhe podcastet si produkti më i ri i transformimit të medias, në pak ditë janë përmbytur me filmin “Odisea”. “BBC”, “CNN”, Fox News, “New York Times”, e deri te revista “The Economist” e kanë kthyer në lajm të parë duke e vendosur në cover. Maja e këtij mbulimi ishte revista prestigjoze “Time” e cila në kopertinë vendosi foton e regjisorit Nolan me titull të madh “Odisea i tij”. Kurrë nuk kishte ndodhur më parë që kjo revistë gjeneraliste të kishte për kopertinë një regjisor filmi. Ndërsa gazetarët tashmë janë vënë në garë se kush do intervistojë kë nga kasti i aktorëve të Odisesë. Matt Damon, Anne Hathaway, dhe vetë regjisori Nolan kanë dhënë deri tani disa intervista e megjithatë kërkesat ndaj tyre vijojnë edhe nga gazeta, televizione dhe podcast-e të tjera. 

9.  FILMI DHE SHQIPËRIA

Në aspektin kulturor Shqipëria i është bashkangjitur gjithë botës. Kiemantë tona “Cineplexx” dhe “Millenium” janë përmbytur këto ditë. Ajo që vihet re më shumë është se shumica e shikuesëve vërtetë janë të një moshe rreth të 50-tave por një përqindje jo të vogël janë edhe të rinj. Çfarë tregon kjo? Tregon që rinia shqiptare nuk është vetëm ajo e TikTok-ut dhe e makinave të luksit, por ka edhe një rini që e do artin dhe kulturën cilësore dhe indiferenca për ngjarje të tilla kinematografike nuk është ajo që mendonim.

10.  RRJETET SOCIALE DHE ODISEA

Filmi me teknologjinë më të lartë po përballet me median sociale që është ajo e teknologjisë së lartë. Vlerësime, kritika, mendime dhe deri shfryrje përbëjnë “oqeanin e gjashtë”, pas atyre realeve. Në çdo postim, që nis që nga trailer e deri pasazh nga filmi apo edhe intervistat, gati-gati çdokush jep mendimin e tij. Sigurisht që shqiptarët janë në ekspansion. Janë të parët që japin mendim, që kritikojnë më së shumti dhe deri shajnë më shumti. Për një pjesë, facebook-u u ka dhënë mundësinë që të lënë menjanë krrabën dhe parmendën dhe të shtypin në tastierë gërma dhe fjali për të dhënë mendime edhe për “Odisean”. E bëjnë me të njëjtin zell si për çdo gjë, për politikë, për media, për libra e gjithfarësoj. Dhe ky nuk është zhgënjim. Duhet ta pranojmë.