Kandidatët republikanë për president bëhen gati për debatin e parë

Kandidatët republikanë për president bëhen gati për debatin e parë

Aktiviteti i parë i rëndësishëm i fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në Shtetet e Bashkuara do të mbahet të mërkurën. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Herman kandidatët e Partisë Republikane do të përballen në një debat në qytetin Miluoki të shtetit Viskonsi në mbrëmje.

Kur kandidatët republikanë të dalin në skenën e debatit në qendër të qytetit Miluoki të mërkurën në mbrëmje, mes tyre nuk do të jetë kandidati kryesor, ish-presidenti Donald Trump i cili ka thënë se nuk do të marrë pjesë.

Vetëm një nga pjesëmarrësit e pritshëm, ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, e ka kritikuar hapur dhe ashpër zotin Trump. Të tjerë, si Guvernatori i Floridës Ron DeSantis dhe ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, kanë pasur një qasje më të matur, duke shpresuar të bindin bazën e partisë që vazhdon të jetë besnike ndaj zotit Trump, se ata mund të zbatojnë axhendën e ish-presidentit "Make America Great Again", pa barrën a çështjeve ligjore ndaj tij dhe polemikave të tjera.

Ndërkohë ish-nënpresidenti Mike Pence, e ka mbrojtur certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2020, një veprim ceremonial që ai e bëri megjithë kundërshtimin e zotit Trump.

Ai vazhdon të ketë një mbështetje të ulët në shumicën e sondazheve të votuesve republikanë për vitin 2024.

Edhe pse zoti Trump dhe komentet e tij bombastike do të mungojnë në skenë, debati do të përqendrohet kryesisht rreth tij, përfshirë faktin që ai përballet me 90 akuza penale lidhur me veprimet e tij para, gjatë dhe pasi presidencës, parashikon profesori i shkencave politike në Universitetin Mary Washington, Stephen Farnsworth.

“Kjo krijon vështirësi për republikanët e tjerë, sepse ata kanë idetë e tyre në lidhje me çështje kyçe si ekonomia, Ukraina ose imigracioni e megjithatë mund të privohen nga mundësia për të diskutuar për ato çështje. Pyetjet ndaj tyre do të jenë për Donald Trump-in”, thotë ai.

Debati nuk do të ketë ndonjë ndikim tek zoti Trump: Ai do të vazhdojë të jetë kandidati kryesor. Por profesori i Universitetit Amerikan, Jordan Tama thotë se një koment i gabuar ose i duhur gjatë debatit, mund të ndryshojë ndjeshëm shanset e kandidatëve të tjerë.

"Kemi parë nga debatet në ciklet e kaluara zgjedhore që kandidatët mund të kenë një moment të keq që mund të sjellë skualifikimin e tyre. Kemi parë gjithashtu momente në debatet e kaluara ku kandidatët kanë thënë diçka që ka ndikuar pozitivisht tek shanset e tyre, duke u dhënë një shtysë në garë”, thotë ai.

Secili nga kandidatët në skenë shpreson që paraqitja e tyre të mërkurën mbrëma t’i japë hov garës, duke u dhënë mundësinë që të kthehen në Miluoki kur Partia Republikane të mblidhet po në këtë qytet për të zgjedhur kandidatin për zgjedhjet e përgjithshme në korrik të vitit të ardhshëm./VOA

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave