Tirana ndodhet në muajin e saj më vendimtar lidhur me reformën territoriale, thotë Erion Braçe. Është pikërisht momenti kur Partia Socialiste mund të veprojë në dobi të qytetit dhe banorëve të tij, me seriozitetin e duhur.
“Ky është muaj deciziv në gjykimin tim. Nëse do të kishte një rast që duhej mbledhur Kryesia e partisë, Asambleja e PS duhet të ishte kjo reformë. Mblidhen ata që duhet të informojnë deputetët, por që s’i kanë informuar. Nëse këta e kanë marrë seriozisht zgjedhjet, ky është muaji i fundit. Tirana është shumë e madhe, nis në Shëngjergj, do të shkojë në Rinas e Krrabë. Janë 1 milion banorë. Nëse duam që të bëhet diçka për Tiranën, është tani”, thotë Braçe në ‘Studio Live’ në Report Tv.
Nga gara për kryetar nuk heq dorë, ashtu siç qëndron i palëkundur në qëndrimin se emri duhet të vijë me garë e jo me njoftim nga partia. Nëse kjo s’do të ndodhë, do të ngrejë shtabe në Tiranë ku do të bisedojë me socialistët për të zgjedhur kandidatin.
“Kam muaj që them që socialistëve, por edhe qytetarëve të Tiranës, nuk u duhet njoftim nga PS për emrin e kandidatit. U duhet një proces i nisur nga PS që përfshin masën e gjerë që mendon se PS e ka fuqinë për ta përdorur PS si instrument për të bërë këtë qytet të mirëqeveriset. Kërkoj një proces me garë brenda që bën më të mirën për qytetarët, për të energjizuar mbi të gjitha PS, për ta bërë pjesë të vendimmarrjes çdo qytetar. Nëse s’ndodh kjo, do ta bëj unë. Si? Me shtabe. Jemi në një moment kur mua më duhet të flas me socialistët. Të ngre shtabe në të gjithë Tiranën me socialistë që mbështesin një proces demokratik për të zgjedhur më të mirin kandidat brenda PS. Mund të mos votohem unë, por duhet të jetë një proces që pranohet nga socialistët, të majtët dhe qytetarët. E kemi përvojën se çfarë ndodh kur merr vendime për ta, por pa i pyetur”, tha Braçe.
Lajmi kryesor:
Ekskluzive/ Braçe shpjegon votën kundër ‘Territoriales’: E pakonsultuar me grupin, na mblodhën 3 ditë para votimit! Përgjigje Ballës: S’më përjashtojnë dot nga PS ata që më gjetën aty







