Sali Berisha dhe Ibsen Elezi janë dy kandidatët për kryetar të Partisë Demokratike, në zgjedhjet që do të zhvillohen në 22 maj, të shpallur zyrtarisht nga Komisioni i Rithemelimit.

Ish kryeministri dorëzoi të premten dokumentet për kandidimin e tij, ndërsa ambicien për të rimarrë drejtimin e PD e kishte shprehur që në nisje të turit të foltoreve. Ibsen Elezi zyrtarizoi të shtunën kandidaturën e tij, ndërsa për Report Tv tha se në garë nuk futet për të fituar, por si një formë reagimi. Zgjedhjet për kryetar të PD mbahen më 22 maj, datë që u miratua në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Rithemelimi më 30 prill.

Kujtojmë se Ibsen Elezi, vitin e kaluar në zgjedhjet për kryetar të PD-së ku u rizgjodh Lulzim Basha, u përjashtua nga kandidimi, pasi nuk i kaloi filtrat e kryesisë së PD dhe kriteret e komisioni zgjedhor.

Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar Edvin Kulluri dhe anëtari i Këshillit, Fatbardh Kadilli kishin shpallur në media kandidaturën për kreun e partisë, por pak ditë më parë njoftuan tërheqjen nga gara.