Debate në kryesinë e PD-së, miratohen 4 kandidatatët për kryetarin e ri! Në garë përballë Bashës, Kadilli, Shehaj dhe Harxhi! Skualifikohen 5 të tjerë, anëtarja e grupit 'Për PD': Akt i rëndë

Fatbardh Kadilli, Edit Harxhi, Agron Shehaj janë kandidatët zyrtarë që do të sfidojnë Lulzim Bashën në garën për kreun e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 13 qershorit. 4 kandidatët janë miratuar unanimisht nga Kryesia e Partisë Demokratike për të hyrë në garë. 2 prej tyre janë kritikë të Bashës, pasi e akuzojnë si përgjegjësin kryesor për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit.

Ibsen Elezin nga Grupimi ‘Për PD’ nuk i kaloi filtrat e kryesisë së PD dhe kriteret e komisioni zgjedhor. Nga gara u skualifikuan edhe Admir Mulaj, Edmond Vrapi, Sabri Hoxha, Mirjan Jashanllari, të cilësuar si kandidatë të "panjohur" po për mospërmbushje kriteresh. Ndërsa Indrit Hoxha nga grupimi për PD e cilësoi akt komunist vendimin e kryesisë për skualifikimin e 5 kandidatëve për kryetar të PD. Të njëjtin reagim pati edhe kandidatja Edith Harxhi.

Gjatë mbledhjes së Kryesisë pati edhe debate, por ajo që ra në sy ishte mosprania e Lulzim Bashës i cili kishte shprehur se nuk do të donte të ndërhynte në vendimmarrje. Gazetarja e Report Tv Daniela Maloku raporton se edhe ish-diplomati Mujo Buçpapaj e kishte dorëzuar kandidaturën, por ai është dorëhequr për arsye personale.

Kandidati për Kryetar, Fatbardh Kadilli, pasi përfundoi mbledhja,përsëriti thirrjet ndaj Bashës që të përballen së bashku në një debat publik. Kadilli është shprehur se vetëm njëra nga 5 kërkesat e tij është pranuar teksa ka thënë se ka propozuar për një debat publik të kandidatëve.

Kandidatët që kanë marrë miratimin e kryesisë kanë përmbushur disa kushte mes të cilave edhe kontributi i dhënë në fushatë. Gjatë 3 orë mbledhje Kryesia e PD miratoi edhe rregulloren e zhvillimit të fushatës brenda partisë dhe të zgjedhjeve të 13 qershorit. Fushata zgjedhore nis të hënën më 24 maj dhe kandidatët kanë 12 ditë kohë për të zhvilluar takime në degët e PD në rrethe. Në rregulloren me 27 pika parashikohet që çdo kandidat  të ketë një vëzhgues brenda komisionit zgjedhor. Sipas rregullores Zyra e Shtypit e Partisë Demokratike duhet të bëjë pasqyrimin në mënyrë të barabartë të aktivitetit të secilit kandidat gjatë fushatës zgjedhore. Pritet që gara të jetë e ashpër pasi Basha ka përballë 3 kandidatë të cilët më herët e kanë kritikuar ashpër për humbjen në zgjedhjet e 25 prillit.

Lulzim Basha kërkon të vijojë të drejtojë Partinë Demokratike, edhe pse shumë nga demokratët janë zhgënjyer me humbjet e njëpasnjëshme të tij qoftë në betejat polikë qoftë në zgjedhjet lokale dhe parlamentare. Por e papritur ishte kandidatura e shpallur nga Agron Shehaj, një emër i përfolur më parë, por që nuk kishte shfaqur në asnjë moment ambicien për të qenë pjesë e kësaj gare. 

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli dhe Edith Harxhi e kanë cilësuar më herët garën si asimetrike, por ka garantuar se do të sfidojë kryetarin Basha me vlerat. Ndërkohë që përmes një kërkese drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike dhe kryesisë së kësaj partie, grupi “Për PD”, kërkoi shtyrjen e datës së zgjedhjeve për kryetarin në PD, e cila u vendos më 13 qershor në Këshillin Kombëtar. Sipas tyre caktimi i datës 13 qershor 2021 për zgjedhjen e kryetarit të partisë, është në shkelje të hapur të kërkesave për një garë të ndershme, të besueshme dhe të dobishme për vetë Partinë Demokratike.

(Kliko këtu) RREGULLORE E BRENDSHME MBI MODALITETET E PROCESIT ZGJEDHOR PËR KRYETAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:24
U skualifikua si kandidat për kreun e PD, reagon Ibsen Elezi: E prisja

Ish kreu i PD-së së Kukësit, Ibsen Elezi ka reaguar pas skualifikimit të emrit të tij nga kryesia e PD për garën e kreut të Partisë.

Elezi në reagimin e tij të parë pas skualifikimit të emrit është shprehur se e priste një vendim të tillë dhe se tashmë pret që të ketë përgjigjen zyrtare. Më pas shton ai  do të mbajë dhe reagimin e tij përfundimtar.

“Te nderuar miq, tash sapo u ktheva nga Kosova, mora lajmin nga mediat se me kane skualifikuar nga gara per kryetar te  PD. Jua them me bindje qe e prisja,  e kam deklaruar me pare. Pres te marr pergjigjen zyrtare dhe me pas do kem prononcimin tim”, ka thënë ai.

Ora 21:10
Përfundon mbledhja e Kryesisë së PD, Kadilli: Patëm debate! Basha i sfiduar nga unë për përballje publike, s'kemi pse ti fshehim të vërtetat tona

Kandidati për kryetar të PD Fatbardh Kadilli këmbëngul të ketë një debat publik me Lulzim Bashën. Të vërtetat do ti ballafaqojnë në sytë e publikut thotë ai.

Në një deklaratë për mediat, ai u shpreh se vetëm njëra nga 5 kërkesat e tij është pranuar teksa ka thënë se ka propozuar për një debat publik të kandidatëve.

"Ishte një mbledhje që pati debate. Kërkesa që unë paraqita sot, nga 5 kërkesat u miratua vetëm e para, sepse unë kërkova që të jetë e gjithë lista e miratuar. 4 pikat e tjera, pjesa e administrative, e ngritjes së administratës dhe pjesa e listave nuk gjeti debat. Çështja më kryesore që unë vazhdoj të këmbëngul dhe është çështje politike dhe që do i shërbente Partisë Demokratike, do ishte çështja e një debate.

Propozova në mënyrë këmbëngulëse që të kishte debat, që anëtarësia të ketë mundësi që të dëgjoj të 4 kandidatët në një debat të hapur. Do ishte një lehtësi për kandidatët, për vetë anëtarësinë dhe balancim mes forcave që kanë tre kandidatët që janë jashtë dhe kandidatët që janë në zyrë. Lulzim Basha është i sfiduar nga unë personalisht për të dalë në një debat publik. Nëse ne do kishim sot do kishim një debat publik për të vërtetat e PD, do kishim një kryetar që do fillonte që sot të ngrinte opozitën e re.

Sdo fillojmë tja propozojmë veten para zgjedhjeve por që sot. Nuk ka një gjë që shqetëson Pd dhe nuk shqetëson qytetarët. Skemi pse të fshehim asgjë të vërtetat tona duhet ti ballafaqojmë në sytë e publikut", tha ai.

Kërkesat e Kadillit:

Të miratojë sa më parë kandidaturat që kanë kërkuar të jenë në garë,
Të miratojë modalitetet për mbledhjen e aktiveve te degëve ku kandidatët me kohe te barabarte të paraqesin platformat e tyre dhe të komunikojnë me anëtarësinë;
Të procedojë me ngrirjen e administratës së PD deri në zgjedhjen e Kryetarit;
Të pajisjë menjëherë kandidatët me listat e plota të anëtarësisë;
Të organizojë tre debate televizive, të hapura për publikun dhe median, me pjesëmarrjen e të gjithë kandidatëve, në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë.

Ora 20:37
Skualifikohen 5 kandidatë nga gara në PD, reagon Harxhi: Akt i rëndë për partinë e djathtë! Përjashtimi i Elezit i pajustifikueshëm

Edith Harxhi, një ndër kandidatët e kualifikuara në garën për kryetarin e Partisë Demokratike, ka reaguar ashpër ndaj skualifikimit të 5 kandidatëve nga kryesia.

Përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, Harxhi e konsideron këtë një akt të rëndë për partinë e djathtë, për të cilën sipas saj kryetari aktual aktual ka premtuar disa herë sistem përballje.

Ajo ka veçuar, shkualifikimin e i Ibsen Elezit të cilin e konsideroi të pajustifikueshëm dhe të rëndë.

Harxhi shtoi se Elezi është një ndër zërat opozitar më të paepur dhe se pre vitesh kërkon reformimin e thellë të Partisë nga marrja peng e saj nga një njeri i vetëm.

“Ne do ta vazhdojmë së bashku si grup këtë betejë për reformim pavarësisht pengesave të qëllimshme nga Kryetari aktual.”, shkruan kandidatja në fund.

Ora 20:30
Skulifikimi i 5 kandidatëve nga gara për kryetarin e PD, anëtari i këshillit, Hoxha: Të heqësh të drejtën për të kandiduar është akt komunist

1621794702_Indrit.jpg

“T’i heqësh të drejtën dikujt për të kandiduar është akt komunist”.

Ky ka qenë reagimi i anëtarit të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Indrit Hoxha, pas skualifikimit të 5 kandidatëve për garën e e kryetarit të ri të PD. Me tone të ashpra, Hoxha thotë se ky është një akt komunist. Ibsen Elezin nga Grupimi ‘Për PD' Admir Mulaj, Edmond Vrapi, Sabri Hoxha, Mirjan Jashanllari janë skualifikuar.

Ora 19:43
Zgjedhjet për kryetatin e ri të PD, publikohet rregullorja me 27 pika! Kandidatët me vëzhgues në Komisionin Zgjedhor

Publikohet rregullorja e brendshme mbi modalitetet e procesit zgjedhor për kryetar të Partisë Demokratike. Në këtë rregullore janë 27 pika, mes tyre thuhet se kandidatët do të kenë një vëzhgues brenda komisionit zgjedhor.

"Në Komisionin Zgjedhor, secili kandidat brenda datës 25 Maj 2021 cakton nga një vëzhgues të tij të përhershëm. Vëzhguesi ka akses të plotë në të gjithë veprimtarinë e Komisionit. Ai njoftohet dhe merr pjesë në çdo mbledhjen të Komisionit dhe merr fjalën sa herë e kërkon, për të parashtruar kërkesa, propozime apo për të paraqitur ankesa".

(Kliko këtu) RREGULLORE E BRENDSHME MBI MODALITETET E PROCESIT ZGJEDHOR PËR KRYETAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Disa pika të rregullores

4. Procesi zgjedhor drejtohet nga Komisioni Zgjedhor i Partisë. Ndjekja, drejtimi dhe organizimi i procesit në nivel Dege bëhet nga Kryesia e Degës në mënyrë kolegjiale. Kryesia është përgjegjëse për mbarëvajtjen e procesit në nivel Dege. Në Komisionin Zgjedhor, secili kandidat brenda datës 25 Maj 2021 cakton nga një vëzhgues të tij të përhershëm. Vëzhguesi ka akses të plotë në të gjithë veprimtarinë e Komisionit. Ai njoftohet dhe merr pjesë në çdo mbledhjen të Komisionit dhe merr fjalën sa herë e kërkon, për të parashtruar kërkesa, propozime apo për të paraqitur ankesa.

Në Komisionet e Votimit dhe të Numërimit secili kandidat cakton nga një anëtar vëzhgues.

5. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i takimeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të kandidatëve. Degët e Partisë janë përgjegjëse për organizimin e takimeve me anëtarësinë të kandidatëve sipas një grafiku që dërgohet paraprakisht nga Sekretariati Organizativ i Partisë. Stafi i secilit kandidatit harton grafikun e takimeve dhe e koordinon atë me Sekretariatin Organizativ të Partisë përpara se tu dërgohet Degëve për zbatim.

6. Gjatë fushatës zgjedhore çdo kandidatë ka të drejtë të bëjë propagandë zgjedhore në çdo mënyrë të ligjshme. Zyra e Shtypit e Partisë Demokratike bën pasqyrimin në mënyrë të barabartë të aktivitetit të secilit kandidat gjatë fushatës zgjedhore, duke shpërndarë zyrtarisht çdo njoftim të kandidatit apo çdo përmbledhje të takimeve të tij. Zyra e Shtypit e Partisë Demokratike merr masat për pasqyrimin e barabartë të fushatës zgjedhore të secilit kandidat. Secili kandidat ka të drejtë të përdor ambientet e selisë qendrore të Partisë Demokratike apo selitë e Degëve të partisë në rrethe për aktivitete të tij gjatë fushatës zgjedhore apo për komunikimin me mediat. 

II. Procesi i votimit

7. Kryesia e degës së PD-së organizon dhe është përgjegjëse për procesin e votimit për Kryetar të PDSH-së që do të zhvillohet me datë 13.06.2021. Në çdo degë të PDSH-së ngrihet një qendër votimi. Përjashtimisht, në degët me më shumë se 2500 anëtarë ngrihen dy qendra votimi.

8. Ambientet ku do të kryhet votimi miratohen nga Komisioni Zgjedhor me propozim të kryesive të degëve jo më vonë se data 07.06.2021.

Në selinë qëndrore të PDSH do të ngrihet qendra e votimit për degën Tirana 2, në të cilën përveç votuesve të kësaj dege do të votojnë edhe anëtarët e Kryesisë së PDSH-së, anëtarët e Këshillit Kombëtar, anëtarët e Grupit Parlamentar ekzistues dhe deputetët e dalë nga zgjedhjet parlamentare të datës 25.04.2021, me banim në Tiranë.

9. Komisioni i Votimit dhe Numërimit përbëhet nga 3 anëtarë titullarë, të caktuar nga Komisioni Zgjedhor i Partisë, me propozim të Kryesisë së Degës dhe anëtarë vëzhgues si përfaqësues nga secili kandidat.

Komisioni i Votimit dhe Numërimit ka në përbërje 3 anëtarë si më poshtë:

  • Një nga Nënkryetarët e Degës – Kryetar;
  • Sekretarin për Çështjet Zgjedhore dhe Aksionin Elektoral në Degë – Sekretar;
  • Sekretarin Organizativ të Degës – Anëtar;

Secili kandidat ka të drejtë të caktojë një anëtar vëzhgues, që duhet të jetë anëtar partie i degës përkatëse.

Në rastin kur në Degë funksion më shumë se një qendër votimi, Komisioni i dytë i Votimit dhe Numërimit ka në përbërje 3 anëtarë si më poshtë:

  • Një nga Nënkryetarët e Degës – Kryetar;
  • Sekretarin për Mbrojtjen Politike dhe Ligjore të Kauzave Qytetare në Degë – Sekretar;
  • Sekretarin e Burimeve Njerëzore të Degës – Anëtar;

Secili kandidat ka të drejtë të caktojë një anëtar vëzhgues, që duhet të jetë anëtar partie i degës përkatëse.Në rast mungese të njërit nga përfaqësuesit e pozicioneve të mësipërme, Kryesia  e Degës vendos si përfaqësues një nga anëtarët e Kryesisë. Kryesia e degës përcjell përbërjen e Komisionit, sëbashku me të dhënat e kontaktit të secilit anëtar në Komisionin Zgjedhor, brenda datës 03.06.2021. Brenda kësaj date kandidatët për kryetar përcjellin në Komisionin Zgjedhor emrat, sëbashku me të dhënat e kontaktit, të anëtarëve vëzhgues në Komisionet e Votimit dhe Numërimit.

10. Fleta e votimit miratohet nga Komisioni Zgjedhor jo më vonë se 7 ditë para datës së zgjedhjeve. Renditja e kandidatëve do të bëhet me short në Komisionin Zgjedhor në prani të përfaqësuesve të kandidatëve.

11. Kryetari i Komisionit të Votimit dhe Numërimit nënshkruan dhe vulos çdo Fletë Votimi.

Komisioni është përgjegjës për tërheqjen e bazës materiale jo më vonë se 1 ditë përpara fillimit të procesit të votimit. Materialet e votimit terhiqen ne Seline Qendrore te PDSH-se brenda ores 16:00 te dates 12/06/2021, nga Kryetari i Komisionit, i cili mund të shoqërohet edhe nga anëtarët përfaqësues të kandidatëve, nëse këto të fundit dëshirojnë. Baza materiale përfshinë: fletët e votimit, procesverbalin, listat e votimit, dhomat e fshehta, kuti e votimit, materialet shpjeguese të procesit të votimit, materialet e nevojshme për zbatimin e masave anti-COVID, dhe cdo material tjetër të nevojshëm zgjedhor.

12. Komisioni i Votimit dhe Numërimit paraqitet në Qendrën e Votimit (QV) një orë përpara fillimit të procesit dhe përgatit ambientin e QV për realizimin e rregullt të procesit të votimit. Ai hap zarfin me Fletët e Votimit dhe bën gati Komisionin për fillimin e procesit. QV duhet të garantojë votimin në mënyrë të fshehtë të çdo anëtari dhe pa asnjë ndërhyrje nga persona të tjerë. Komisioni i Votimit dhe Numërimit merr masa që procesi i votimit të realizohet në respekt të masave që dikton situata e krijuar me pandeminë COVID-19.

13. Qendrat e votimit hapen në orën 08:00 dhe mbyllen në orën 19:00.

Komisioni i Votimit dhe Numërimit merr masa për hapjen e QV në orën e përcaktuar. Votimi mbyllet në orarin e përcaktuar, duke u siguruar që në ambientet e QV nuk ka anëtarë që pret për të votuar. Nëse ka ende anëtarë të PD-së që presin të votojnë përtej orarit të caktuar për mbylljen e qendrës së votimit, Kryetari i Komisionit mbledh dokumentet e tyre të identifikimit dhe sigurohet që kushdo që është në rradhë për të votuar të ketë mundësi për të votuar. Qendra e votimit nuk mbyllet deri në përfundimin e votimit të tyre. Mbyllja e votimit shpallet më zë të lartë dhe pas atij momenti nuk lejohet asnjë person tjetër që të votojë.

14. Komisioni i Votimit dhe Numërimit nëse e vlerëson të nevojshme i kërkon Kryesisë së Degës caktimin e dy apo tre anëtarëve të FRPD, që të jenë përgjegjës për të siguruar që votuesit të mbajnë rradhën në mënyrë të rregullt, në distancë nga njëri tjetri dhe të paraqiten përpara komisionit në mënyrë individuale. Përpara paraqitjes tek Komisioni, votuesit udhëzohen që të lexojë materialin shpjegues të shpallur në një vend të dukshëm që tregon mënyrën e votimit, si dhe i kërkon që të bëjë gati mjetin e identifikimit përpara se të paraqitet tek Komisioni.

15. Të drejtën për votim e ka çdo anëtar Partie që është i regjistruar në Regjistrin Bazë të Antarësisë në PDSH dhe plotëson kushtet e parashikuara në pikën 2, të nenit 22 të Statutit, me përjashtim të rastit të parashikuar në paragrafin e tretë të pikës 16 të këtij udhëzimi. Lista e votuesve miratohet nga Komisioni Zgjedhor jo me vonë se 5 ditë para ditës së zgjedhjeve. Listat e anëtarëve që kanë të drejtën e votimit përgatiten nga Sekretariati Organizativ i Partisë, të paktën 48 orë përpara ditës së miratimit nga Komisioni Zgjedhor. Secili kandidat ka të drejtë të caktojë një auditues për procesin e gjenerimit të të dhënave nga sistemi elektronik i antarësisë, i cili pa patur të drejtën për kopjimin e të dhënave, bën monitorimin e procesit të gjenerimit të të dhënave të antarësisë nga sistemi dhe verifikon nëse ka apo jo modifikime të papërshtatshme në sistem. Zyra e IT dhe Sekretariati Organizativ në Partinë Demokratike kujdeset për garantimin e kësaj të drejte.

Ora 19:13
Kryesia miraton 4 kandidatë për kryetarin e ri të PD! Në garë Basha, Kadilli, Shehaj dhe Harxhi

Kryesia e PD votoi unanimisht që gara për kryetar partie të ketë 4 kandidatë. Ata janë Lulzim Basha, Fatbardh Kadilli, Edit Harxhi dhe Agron Shehaj.

Ora 18:58
Gara për kryetarin e ri të PD, skualifikohen 3 kandidatë

Admir Mulaj, Edmond Vrapi, Mirjan Jashanllari janë 3 kandidatët e skualifikuar të cilët kishin kandididuar për kryetarin e ri të PD. Ata janë skualifikuar për shkak të kritereve të vendosura.

Ora 18:42
Kryetari i ri/ Vijon mbledhja e kryesisë së PD, dalin emrat e 4 kandidatëve të 'panjohur'

Vijon mbledhja e kryesisë së PD ku po shqyrtohen kandidatët për kryetarin e ri të PD të cilët dhe duhet të miratohen. Gazetarja e Report Tv Daniela Maloku bën me dije se në këtë moment po shqyrtohen katër kandidatura,  Admir Mulaj, Edmond Vrapi, Sabri Hoxha, Mirjan Jashanllari, emra të panjohur dhe të përmendur më parë si kandidatë të mundshëm.

Ora 18:23
Nis mbledhja e Kryesisë së PD për shqyrtimin e kandidaturave për kryetarin e ri! Basha nuk merr pjesë

Ka nisur mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike për shqyrtimin dhe më pas miratimin e kandidatëve për kryetar të PD-së. Në mbledhjen e Kryesisë mungon kreu demokrat, Lulzim Basha. Mësohet se Basha nuk ka marrë pjesë në mbledhje për të mos ndikuar në vendimarrje.

Ora 15:20
‘Basha të sillet si kryetar partie jo si pronar i ndërmarrjes private’, Ristani: Nuk ka rrugë tjetër për t’u ringritur PD, përveç se të jetë demokratike

Ish-deputeti demokrat Arben Ristani, është shprehur se nuk ka rrugë tjetër për të ringritur dhe fituar Partinë Demokratike, përveç se të jetë demokratike.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebok, Ristani shkruan se një garë për kreun e Partisë Demokratike, e drejtë, e barabartë, me rregulla të gjithëpranuara dhe zbatuara, do të japë jo vetëm një kryetar legjitim, por do të bëjë ndryshimin me të gjitha partitë politike në vend dhe do të japë shembullin e duhur dhe shpresën për të ardhmen.

Sipas Ristanit debati politik mes kandidatëve është kurora e duhur e një gare që ngjall shpresën për ndryshim.

“Basha, i cili mban veten për kryetar perëndimor, ka shansin e fundit të sillet si kryetar partie dhe jo si pronar i ndërmarrjes private”, shkruan ai me tone ironizuese në fund të postimit.

Ora 13:58
‘Do të bëj garë të fortë’, kandidati Ibsen Elezi: Shehaj nuk ka ‘kostum politik’ për të kërkuar kreun e PD-së (VIDEO)

Kandidati për kryetar i PD-së, Ibsen Elezi, tha se kjo garë duhej të kishte më shumë barazi dhe vëmendje nga qendra duke nisur që me hapësirën kohore në dispozicion të kandidatëve duke e cilësuar kohë të shkurtër dhe të  pamjaftueshme për fushatë. 

 ‘Komunikimi në nivel dege të paktën të ishte 30 ditë sepse PD e ndërtuar sipas strukturës së pushtetit lokal që kërkon 45 ditë fushatë. Nuk është veprimi i duhur nga kryesia për të ngushtuar këtë periudhë kohore dhe ta deformojë. Fushata ka vështirësitë e veta për afatet e kohore dhe mjete në dispozicion të kandidatëve të cilët janë në minimumin e saj. Do të bëj një garë të fortë. Do t’i bëj thirrje gjithë demokratëve që të më votojnë. Por para se të kem dëshirë për të fituar. Kam hyrë për të shpalosur pikpamjet e mia.’- tha Elezi.

Elezi komentoi edhe kandidimin e Agron Shehajt, të cilin e vlerësoi si biznesmen të suksesshëm, por sipas tij nuk ka një kostum politik për të kërkuar kreun e PD-së.

‘Nuk kam dëshire të flas drejtpërdrejt sepse ai është kandidat. Unë mund të merrem me pikepamjet e tij me shumë sepse në rastin e Lulzim Bashes kam arsye të shumta që të dal e ta kritikoj si kuksian sepse të gjithë e mbajnë mend se si Lulzim Basha ishte kundërshtar si Rama në dy protestat e kuksianeve për traun e Rrugës së Kombit. Këte nuk mund ta toleroj dhe nuk kam si të ndryshoj fjalët për interesa politike. Shumë e bëjnë për inters politik. E dime shume mire se kush është Lulzim Basha dhe dalin përdite me statuse dhe thonë ky është lider i madh. Agron Shehaj ka fituar një respekt për shkak të sjelljes së tij në opinion publik. Për mua kanë rëndësi pikpamjet e Agron Shehajt. Agron Shehaj është një njeri që nuk ka një stature politike për t’i veshur një kostum dhe për t’i thënë se ky është kostumi.

Vetëm këte problem kam me të. Nuk mjafton që të dalësh e të thuash se jam një biznesmen i fuqishëm dhe dhe do të jem politikan i sukseshëm. Se këta thonë se kështu u bë Trump. Trump nuk u bë se ishte milardier, por për shkak të pikepamjeve të veta. Sepse Trump doli e foli hapur për frymën e konservatorizmit në Amerikë. Trump ngrit sasine e votave në Amerikë. Në rastin e Agron Shehajt ai është kandidat serioz sepse ka staf dhe di të bëjë fushatë ashtu si Lulzim Basha por që nuk janë në kushtet e Trumpit. Ata do jenë në kushtet e humbjeve. Lulzim Basha vjen nga një humbje në 2013 ndërsa Agron Shehaj nga një dështim në Vlorë dhe Tiranë. Ai ishte i pari në listën e deputetëve në 2017 dhe duhet të ishte i pari prapë për të treguar nëse e ka çuar përpara aksionin e tij politik në Vlorë.

Kishte më shume vota në Tiranë, por pa dashur ta atakoj sepse ka shumë akuza dhe unë nuk merrem me akuza as për Lulzim Bashën për akuza të korruptimit dhe krimit ekonomik, pa fakte dhe argumente. Unë merrem thjeshte me mënyren e të bërit politik. Agron Shehaj erdhi dhe mori shume vota ne Tiranë. Mund të ketë marrë edhe me shumë se Sali Berisha, por ai nuk ka stature e Sali Berishës i cili ka kostumin politik. Agron Shehaj duhet të ketë kostum politik. Unë kam qene drejtues lokal dhe kam patur kostum politik lokal.’- tha Elezi.

Ora 12:16
Kadilli sfidon Bashën, i bën ftesë për debat publik: Të organizohen tre debate televizive të hapura me pjesëmarrjen e të gjithë kandidatëve (VIDEO)

Kandidati për Kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, nga selia blu i ka bërë thirrje kandidatit për kryetar Lulzim Bashës që të përballen së bashku në një debat publik. Kadilli po ashtu rreshtoi 5 kërkesa bazë për kryesinë e PD-së, ku nënvzoi se duhet të organizohet tre debate televizive të hapura, për publikun dhe median.

‘Duke qenë i qartë për gjendjen ku ndodhet Partia Demokratike si forca kryesore e opozitës; Duke mbajtur parasysh tronditjen që ka sjellë rezultati i zgjedhjeve dhe problematika e tyre; Duke e ndjerë syrin mbikqyrës të publikut që do të vrojtojë mënyrën se si do i trajtojë zgjedhjet në parti forca që denoncon infrastrukturën e zgjedhjeve kombëtare apo lokale; Duke qenë i bindur për peshën e madhe që ka procesi për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD; Për vetë rëndësinë që ka përfshirja sa më e plotë e të gjithë anëtarëve të PD, dhe sensibilizimi i antarësisë për rëndësine garës; Duke qenë i patundur në besimin se forca e PD vjen nga demokratizimi, hapja dhe energjizimi i saj; Me vetëdijen e plotë se ajo që i përket PD, dhe e shqetëson atë, i përket gjithë shoqërisë dhe është shqetësim edhe i saj; I kërkoj Kryesisë së Partisë Demokratike sa vijon: Të miratojë sa më parë kandidaturat që kanë kërkuar të jenë në garë,  Të miratojë modalitetet për mbledhjen e aktiveve te degëve ku kandidatët me kohe te barabarte të paraqesin platformat e tyre dhe të komunikojnë me anëtarësinë; Të procedojë me ngrirjen e administratës së PD deri në zgjedhjen e Kryetarit; Të pajisjë menjëherë kandidatët me listat e plota të anëtarësisë; Të organizojë tre debate televizive, të hapura për publikun dhe median, me pjesëmarrjen e të gjithë kandidatëve, në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë. Unë i kërkoj Bashës një debat publik, nuk është çështje e brendshme e PD zgjedhja e kryetarit. E quaj një fitore të parë të vetes time që ka nisur me moton ‘një parti e hapur’. E sfidoj z.Basha të pranoj debatin publik. ’- tha ndër të tjera Kadilli.

M.Q.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kanditaturat e tjera kot: 23/05/2021 21:18

    Me i bukri nder kta eshte Basha. Nuk e nderojme me asnji tjeter

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë