Deputetja Rudina Hajdari ka shpjeguar se pse ka shpallur kandidaturën e saj në qarkun e Elbasanit për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Gjatë një interviste në emisionin Repolitix, Hajdari u shpreh se kërkon të sfidojë problematikat që ka ky qytet, duke përfshirë krimin e organizuar. Ajo shprehu bindjen dhe gatishmërinë për t’i bërë ballë këtij fenomeni dhe për ta çliruar Elbasanin.

Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Hajdari u shpreh se partia Nisma Thurje synon të marrë disa mandate deputetësh për të pasur një grup parlamentar. Ndërkohë, partia e saj ka kandidatë të mjaftueshëm për të garuar në 12 qarqe. Gjithashtu Hajdari foli edhe për djegien e mandateve të opozitës në 2019-ën të cilën e cilësoi mungesë vizioni e strategjie dhe se e bëri vetëm për të marrë pushtetin.

“Mua më pëlqejnë shumë sfidat. Elbasani është një qytet që nuk duhet të njihet si një qytet me problem madhor me krimin e organizuar. Unë dua të jap në sinjal që dua të përballem me këto sfida. Kam të gjitha kapacitetet për të sfiduar këtë fenomen. Kjo është thembra e Akilit për t’i bërë ballë kësaj çështje e për ta çliruar Elbasanin nga ky fenomen. Unë shkoj si një kandidaturë për të përfaqësuar qytetarët. Unë kam përkrah qytetarët e Elbasanit. Kjo është një përpjekje për të ndryshuar realitetin atje.

Nëse më parë aktorët politikë mundohen që të lëmoshen me krimin e organizuar duke i mbajtur afër duke dashur mos të cënojnë bizneset e të fortëve, afrimiteti im do të jetë me qytetarët që duan të shohin një zhvillim në jetën e tyre. Krimi i organizuar ka qenë një fenomen në vitet e fundit dhe kjo nuk duhet të vijojë. Duhet një përpjekje reale për një kandidat që të tregojë realitetin që ndodh në Elbasan. Shumë deputetë që kanë qenë në Elbasan nuk ka treguar të vërtetën dhe realitetin” – tha Hajdari.

Rudina Hajdari u shpreh se është frymëzuar nga i ati i saj për kandidimin në këtë zonë. Ajo thotë se me politikat që do të ndjekë, do të sjellë ndryshim në zonën e Elbasanit.

“Unë ndjej krenari që jam e bija e Azem Hajdarit. Unë jam e bija, Rudina Hajdari dhe nuk do e lë kurrë që të më shkëputet. Figura e Azem Hajdarit, ka qenë në kandidat në atë zonë, në Librazhd. Kjo është një nga motivet që kam zgjedhur Elbasanin. Unë kam qenë 10 vjeç kur im atë bënte fushata në Librazhd. Ka qenë duke sfiduar një diktaturë, njerëz që e kishin shtypur atë zonë. Ka pasur ndryshime. Në atë zonë, ne jemi thuajse në të njëjtën situatë si në këtë zonë gjatë viteve të mëparshme” – tha Hajdari.

Ndërkohë, deputetja e opozitës parlamentare tha se për ata persona që vendosin të kandidojnë në 4 zona, është një zgjedhje e dobët.

“Në momentin që investohesh në një qytet do të thotë të jesh i pranishëm në atë qark. Elbasani nuk është një qark i vogël. E shoh gati të pamundur, duke pasur parasysh sistemin, ne duhet të jemi deputetë të zonës. Ata që zgjedhin të shkojnë në disa zona, për mua është një zgjedhje e dobët” – tha deputetja e opozitës parlamentare.

Më herët gjatë ditës së sotme, përmes një video-mesazhi, Rudina Hajdari njoftoi kandidaturën e saj në qarkun e Elbasanit ku përballë Monika Kryemadhin dhe Gazmend Bardhin. Hajdari do të garojë nën siglën e partisë 'Nisma Thurje'.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:25
Zgjedhjet e 25 prillit, Hajdari: Nisma Thurje ka kandidatë të mjaftueshëm për 12 qarqe! Synimi të kemi një grup parlamentar

Deputetja Rudina Hajdari u shpreh se partia Nisma Thurje i ka mbi 140 kandidatë të mjaftueshëm për të garuar në 12 qarqe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Gjithashtu ajo ka shprehur synimin e partisë për të fituar disa mandate dhe për të pasur një grup përfaqësues në Parlament.

“Ne kemi kandidatë të mjaftueshëm për të garuar në 12 qarqe, mbi 140 kandidatura. Do jenë të plotësuara nga ‘Nisma Thurje’. Do kemi kandidatura të forta, të mira, lokale, me reputacion të fortë për atë që kanë bërë. Nuk do kemi figura problematika. Është një pretendim që është modest. Nëse ne arrijmë të kemi një grup deputetësh, të formojmë një grup parlamentar. Do jemi në gjendje të përfaqësojmë sa më shumë qytetarë. Nuk pretendojmë një numër të madh deputetësh. Duam një grup parlamentar të unifikuar. Ambicia jonë është që të plotësojmë të gjitha kandidaturat. Ne nuk kemi përjashtuar asnjë bashkëpunim normal. Sa i përket listës kemi thënë që përpjekja jonë është të plotësohet nga ‘Nisma Thurje’. Ajo çka duam ne është të jemi besnik në atë që ofrojmë, të mos e shohim këtë mundësi si lloj mekanizmi për të ardhur në pushtet” – tha Hajdari.

Ora 22:04
Humbja në zgjedhje, Hajdari në Repolitix: Indicie për të luftuar kasën e vjetër politike, edhe pse rrugët në SHBA i kam të hapura

Deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari u shpreh se edhe nëse nuk do të fitojë asnjë mandat në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ajo do të vijojë karrierën e saj politike.

“Në rast se ndodh kjo, dhe ajo që kam dëshirë të them, është kjo betejë nuk është për të qenë në Parlament. Nuk dua karrige. Jeta që kam pasur në Amerikë, dhe ajo çfarë mund të më ofrohet atje, më jep një mundësi për të punuar. Nëse nesër nuk futem në Parlament, do jetë një indicie që të luftojë më shumë kundër kësaj kase të vjetër politike. Pasioni im sa vjen dhe shtohet” – tha Hajdari.

Ora 21:38
Bojkotimi i parlamentit nga opozita, Hajdari: Mungesë vizioni! Një makinacion tjetër për të ardhur në pushtet

Lidhur me bojkotin e PD-së nga parlamenti në 2019, Rudina Hajdari e cilësoi mungesë vizioni e strategjie. Ajo tha se ishte thjesht një makinacion tjetër për të ardhur në pushtet.

“Mungesë vizioni, strategjie. Nuk mundet të kërkosh pushtet me çdo kusht duke marrë vendime ekstreme, të rrezikshme për interesin kombëtar dhe përfaqësimit që i bën sovranit. Ishte një tjetër makinacion që ata bënë për të ardhur në pushtet" - tha Hajdari.