Dionis Sota, i cili do të garojë si kandidatë i pavarur për të drejtuar Bashkinë e Vlorës, ndërsa mbështetet nga PD e Sali Berishës dhe parti të tjera opozitare, ka deklaruar se ka qenë zgjidhje e tija që të kandidonte si i pavarur në zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit.

I ftuar në emisionin ‘Frontline Interview’ në Report Tv, i pyetur nëse Berisha do të jetë i pranishëm në fushatën që ai do të zhvillojë, Sota e mohoi këtë.

‘Sepse unë vijë nga shoqëria civile dhe nga biznesi. Unë kam qenë i qartë që do kandidoja i pavarur. Falenderoj të gjitha forcat politike duke nisur nga ‘Shqipëria Bëhet’ dhe PD që kanë besuar në këtë lloj formule për zgjedhjet e pjesshme. Kjo ishte një zgjedhje e qartë që në fillim që kështu do ishte dhe kështu u bë. Të gjitha partitë jo vetëm PD e kanë ofruar mbështetjen e tyre, por ka qenë zgjidhja ime që të dal si i pavarur dhe kjo është nismë e sinqertë dhe e drejtëpërdrejtë. Unë kam qenë i parti që kam shprehur kandidaturën time dhe asnjë kandidaturë tjetër nuk ishte bërë publike.

 Unë kam pasur disa takime dhe ne e kemi saktësuar që krahu politikë po bënë fushatën e tij në drejtimin politikë dhe nga ana tjetër ne po bëjmë fushatën tonë me takime me njerëzitë. Ne jemi pranë tyre, po shkojë në çdo derë, unë kam ngritur zërin për probleme, për mua janë të gjithë njësoj, profilet e tyre politikë janë personale. I kam miq dhe shokë të gjithë’, tha ai.

Një koment e pati edhe lidhur me formularin e vetëdeklarimit të tij dorëzuar në KQZ, ku ka deklaruar se niveli më i lartë i arsimit të tij është arsim i mesëm, ndërsa figuron edhe me dy emra.

Ai tha se dëshirë e tij ka qenë që të vazhdonte arsimin e lartë për juridik, por duke qenë se diplomat në atë kohë bliheshin, vendosi që t'i përkushtohej punës. Sota deklaroi se mbanë dy emra, kjo pasi Erion është emri i tij i fëmijërisë dhe Dionis emri i pagëzimit. 

‘Unë vij nga familje ortokose dhe shumë nga familjarët tanë kanë dy emra, unë emri e kam Ervin që në fëmijëri dhe në atë kohë në gjendje civile, shkruhej me shkrim dore dhe për një gabim që është bërë më është vënë Erion. Unë jam pagëzuar me emrin Dionis dhe nga ai moment zgjodha që në dokumentet e mia të ishin me emrin Dionis. Nuk kam ndërruar emër, unë nuk kamë lëvizur asnjëherë jashtë përveçse  takime pune dhe pushime të mia personale. Unë jam rritur në atë kohë kur diplomat bliheshin dhe s’kam pranuar që ti futem asaj valle, e kam nisur shkollën dhe e lashë.  Kisha dëshirë që të vijoja juridikun, por prej punës se bëra. Bëj kurse online', tha ai

Lidhur me financimin e fushatës duke qenë se ai është kandidiat i pavarur, Sota tha se mbështetet nga miq, biznesmenë dhe familjarë.

'Për financim të fushatës, unë kam bërë publike llogarinë bankare, ky është detyrim ligjor, çdo parti e ka detyrim, por llogaritë e partive janë të deklaruara dhe unë jam i pavarur dhe jam i detyruar që ta shpall këtë llogari bankare dhe shumë miq, familjarë dhe biznesmenë brenda dhe jashtë vendit kanë dashur që të kontribuojnë’, tha ai.

Sota u ndal edhe tek problemet që janë urgjente për t'i dhënë një zgjidhje në qytetin e Vlorës si uji i pijshëm, infrastruktura rrugore e amortizuar në lagjet e qytetit dhe kanalizimet. 

‘Lagjet në Vlorë kanë probleme që nga rrugët, kanalizimet, uji i pijshëm. Përmbytjet në Vlorë dhe mënyra më e shpejtë për të ndërhyrë është zgjerimi i kolektorëve të vjetër. Duhen stacione të pompimit të ujit që të shkarkohet në një mënyrë arificiale uji që akumulohet për të mos krijuar ato dëme që janë krijuar në qytet. Qytetarët janë të zhgënjyer nga qeverisja që kanë pasur në këto vite dhe është prekur autonomia e trye, është rasti i 3 i kryebashkiakëve që largohen’, tha ai.