KORÇË- Një 39-vjeçar është arrestuar në Korçë pasi ka kanosur një 37-vjeçar për një shumë parash. Policia thotë se Kreshnik Aliaj përmes mesazheve në rrjetet sociale ka kanosur 37-vjeçarin.
Ndaj tij rëndon akuza "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie".
“Në zbatim të planit të masave të hartuar në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar "Sundimi i ligjit", për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Korçë, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me DVP Tiranë, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, u kap dhe u vu në pranga shtetasi:
Kreshnik Aliaj, 39 vjeç, banues në Korçë.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprën penale "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie", pasi dyshohet se nëpërmjet komunikimeve në rrjete sociale, ka kanosur për jetën, një shtetas 37 vjeç, nëse ai nuk do t'i jepte një shumë parash.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.