TIRANE - Qeveria shqiptare nuk ka punuar mjaftueshëm në luftën kundër fenomenit të gjakmarrjes. Ka qenë ky verdikti i analizës një-vjeçare të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve. Sipas kryetarit të këtij komiteti, Gjin Marku, ky organizëm nuk ka gjetur mbështetjen e duhur nga ana e qeverisë.

“Qeveria shqiptare duhet të kishte punuar më shumë në luftën kundër Gjakmarrjes. Ne nuk e kemi ndjerë mbështetjen e tyre këtë vit, ndaj ne do vijojnë kritikat ndaj çdo partie që është në pushtet nëse nuk na mbështet në këtë mision fisnik. Ne kemi për detyre që të vëmë të zgjedhurit vendorë në dijeni për të gjitha rastet e gjakmarrjes, që ai të mundësojë ndërmjetësimin me strukturat shtetërore që të koordinojmë punën tonë”, - u shpreh Marku.

Marku është ndalur edhe tek numri gjithnjë e ne rritje i vrasjes së grave.

“Me shqetësim të madh vëmë re numrin në rritje të vrasjes së grave, një fenomen që na bën të ndihemi kokë ulur. Situata është alarmante, burrat shqiptar po dhunojnë dhe po vrasin gratë si asnjëherë tjetër dhe masat e qeverisë nuk po japin efektin e duhur. Kanuni po keqinterpretohet, pasi ai në të vërtetë e respekton femrën dhe individin që e cënon gruan kanuni e dënon ashpër. Lek Dukagjini nga malet e Mirditës tha. Nëse vë dorë mbi një grua atëherë nuk je i denjë për të, ndaj ik dhe zhduku nga jeta e saj”,

Asambleja Kombëtare e Misionarëve të Pajtimit pasqyroi sot raportin e Ekspeditës së Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar tek familjet në hasmëri për vitin 2012.

(Gre.M/Shqiptarja.com)