Qeveria britanike i ka vënë “vizën e kuqe” reperit Kanye West, duke i ndaluar hyrjen në Mbretërinë e Bashkuar dhe duke anuluar automatikisht koncertet e planifikuara në Londër.

Sipas BBC, reperi kishte aplikuar më 6 prill për vizë elektronike për të marrë pjesë në Wireless Festival, që pritet të mbahet në Finsbury Park nga 10 deri më 12 korrik. Por kërkesa e tij është refuzuar nga Ministria e Brendshme britanike, pas një vale të fortë kritikash.

Shkaku kryesor lidhet me deklaratat e përsëritura të artistit mbi Adolf Hitlerin që janë cilësuar antisemitike, çka ka sjellë reagim të fortë nga komuniteti hebre dhe tërheqjen e disa sponsorëve nga eventi. Në fund, ndërhyri vetë qeveria, duke e mbyllur çështjen me një vendim të prerë.

Kanye ka shprehur admirim të vazhdueshëm ndaj Hitlerit, madje vitin e shkuar ai publikoi një këngë të quajtur Heil Hitler, disa muaj pasi reklamoi në shitje një bluzë me kryqin svastika në faqen e tij të internetit.

Megjithatë, polemikat nuk ndalen këtu. Ato pritet të “ndizen” edhe në Itali, ku Kanye West është planifikuar të performojë në Hellwatt Festival më 18 korrik, në RCF Arena.

Edhe pse reagimet kanë qenë të forta që në dhjetor nga përfaqësues lokalë, interesi i publikut ka qenë i lartë. Deri tani janë shitur rreth 68 mijë bileta, me çmime që kanë nisur nga mbi 178 euro.

Situata u bë edhe më e paqartë kur një valë e dytë biletash doli më lirë, rreth 125 euro, pasi artisti shtoi data të tjera në turneun europian, duke e kthyer koncertin në Itali nga një event “unik” për verën e 2026-ës.