Qindra pasagjerë u përballën të hënën me anulime dhe vonesa fluturimesh në Britaninë e Madhe dhe Irlandë, pasi sistemi i kontrollit të trafikut ajror pësoi një tjetër problem teknik, të dytin brenda këtij muaji.
Operatori britanik i kontrollit ajror NATS njoftoi se problemi u shkaktua nga një defekt në rrjetin e lidhjes së sistemeve në qendrën e tij në Prestwick të Skocisë. Sipas kompanisë, ky incident nuk kishte lidhje me problemin teknik që shkaktoi kaos në fillim të shtatorit.
Rreth orës 11:00 sipas orës lokale, NATS bëri të ditur se defekti ishte zgjidhur dhe se po punonte me linjat ajrore dhe aeroportet për të hequr kufizimet e trafikut ajror. Kompania u kërkoi ndjesë pasagjerëve për shqetësimin e shkaktuar.
Sipas të dhënave të Flightradar24, problemet më të mëdha u regjistruan në aeroportet e Edinburgut, Glasgout dhe Newcastle. Ndërkohë, vonesa dhe anulime pati edhe në Manchester, Birmingham, Belfast, London Luton, London Gatwick, si dhe në aeroportin e Dublinit në Irlandë.
Aeroporti i Glasgout paralajmëroi se, edhe pse defekti teknik u zgjidh, vonesat mund të vazhdojnë për shkak të efekteve zinxhir në të gjithë rrjetin ajror. Edhe aeroporti i Manchesterit njoftoi se operacionet po riktheheshin gradualisht në normalitet, por nuk përjashtoi ndërprerje të tjera.
Autoritetet aeroportuale u kanë kërkuar pasagjerëve të kontrollojnë statusin e fluturimeve me kompanitë ajrore përpara se të nisen drejt aeroportit.
Pas incidentit të ri, kompania ajrore Ryanair kërkoi dorëheqjen e drejtorit ekzekutiv të NATS, Martin Rolfe.
"Pasagjerët në Britaninë e Madhe nuk mund të vazhdojnë të vuajnë ndërprerje të përsëritura për shkak të dështimeve të sistemeve, procedurave të pamjaftueshme rezervë dhe menaxhimit të dobët", deklaroi kompania.











Komente
Komento