Ousmane Dembele duket se po përjeton një moment tensioni me trajnerin e Paris Saint Germain, Luis Enrique. Sulmuesi francez dëshironte të ishte titullar në finalen e Superkupës së Evropës, por tekniku spanjoll kishte plane të tjera dhe vendosi ta linte në stol.

Dembele synon të fitojë “Topin e Artë” sërish dhe dëshiron të shfrytëzojë ndeshjet e mëdha për të rritur shanset e tij për çmimin prestigjioz. Megjithatë, vendimi i Luis Enriques në finalen e Superkupës nuk ishte në favor të tij.

Situata mes palëve duket se është përkeqësuar pas ndeshjes së parë të PSG-së në Ligue 1. Në barazimin 2-2 ndaj Rennes, Luis Enrique vendosi ta zëvendësonte Dembelenë që në pushimin mes pjesëve.

Por zhvillimet nuk u ndalën me kaq. PSG ka vendosur të mos e grumbullojë francezin për ndeshjen e radhës ndaj Lille, ndërsa klubi publikoi edhe një njoftim për mediat, ku bëri të ditur se Dembele do të rikthehet në stërvitje të hënën e javës së ardhshme.

Ky qëndrim publik i klubit ka ngjallur dyshime te disa gazetarë për tensionet e para mes trajnerit dhe një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës.

Luis Enrique kërkon të ruajë klimën e shkëlqyer brenda grupit, e cila ka qenë një nga faktorët kryesorë pas suksesit të PSG-së në vitet e fundit. Klubi parisien ka fituar dy herë radhazi Champions League, krahas trofeve të tjerë dhe trajneri spanjoll nuk dëshiron që asnjë konflikt i brendshëm të prishë ekuilibrin e skuadrës.