‘Spërkati’ me lëng deputetët, Hoti e PD-së përjashtohet me 10 ditë nga Kuvendi! 'Ndëshkohet’ edhe Doda, grumbulloi karriget në Foltore (DOKUMENTI)

TIRANË- Sekretariati i Etikës në Kuvend ka përjashtuar me 10 ditë dy deputetët e PD-së, Elda Hoti dhe Petrit Doda, për kaosin gjatë seancës së 17 tetorit në Parlament. Përjashtimi i tyre me 10 ditë erdhi pas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, pasi penguan zhvillimin e seancës. 

Gjatë seancës së djeshme, Hoti u pa teksa spërkaste me një lëndë të lëngshme disa nga kolegët socialistë. Në kërkesën e përjashtimit, PS argumenton se Hoti hodhi në një lëndë të dyshuar të rrezikshme, e ndihmuar edhe nga Petrit Doda.

Për këtë akt, Hoti është vënë në hetim edhe nga Policia e Tiranës, e cila ka sekuestruar 4 shishe të vogla në sallën e Kuvendit. Lënda do të verifikohet, pasi PS ngriti dyshime se ishte benzinë, por në fakt vetë deputetja thotë se ishte parfum. 

Po kështu Hoti, sipas procesverbalit dhe pamjeve, ka bllokuar fjalimin e deputetit socialist Petro Koçi, duke i hequr kartën elektronike, sikurse tentoi edhe me deputetin Eduart Shalsi.

Doda u ndëshkua edhe për grumbullimin e karrigeve në foltoren e Kuvendit, duke penguar kështu zhvillimin normal të seancës.

Një tjetër protagoniste e kaosit ishte edhe deputetja demokrate, Albana Vokshi, e cila pengoi deputetët e PS të mbanin fjalën. Madje, në një moment u kap nga kamerat teksa u përplas me socialistin Petro Koçi. Por, Vokshi i shpëtoi ndëshkimit, pasi PS nuk kërkoi përjashtimin e saj. 

Ndërkohë, në sekretariatin e Etikës ishte depozituar edhe një kërkesë nga PD për marrjen e masave disiplinore për tre deputetët, Plarent Ndreca, Ilir Metaj dhe Erion Braçe. Kërkesa e PD erdhi pas përplasjeve mes tyre në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë, ku Vokshi e Ndreca debatuan ashpër për drejtimin e mbledhjes. 

Por, kërkesa e PD nuk u mor parasysh nga Etika me argumentin se kishin kaluar 48 orë nga momenti i përplasjes. Kështu, ndaj tre deputetëve socialistë nuk u mor asnjë mase disiplinore. 

Më parë janë përjashtuar me 10-60 ditë edhe 24 deputetë të opozitës, pas kaosi në seancën e 30 Shtatorit dhe djegies së karrigeve të Kuvendit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:04
Vokshi kërkoi përjashtimin e Ndrecës, Metajt dhe Braçes pas përplasjes tek Hetimori i Shëndetësisë, Etika nuk merr parasysh kërkesën

1729267735_vokshi.GIF

Në seancën e fundit të Komisionit Hetimor në Shëndetësi më 9 tetor, kryetarja e këtij komisioni Albana Vokshi dhe nënkryetari Plarent Ndreca, u përplasën ashpër për drejtimin e mbledhjes.

Ndreca nisi mbledhjen pa Vokshin, ndërkohë që kjo e fundit e akuzoi se ka shkelur ligjin dhe kërkoi përjashtimin e tij dhe të dy deputetëve të tjerë Erion Braçe dhe Ilir Metaj, por Etika nuk e ka marr parasysh këtë kërkesë të Vokshit.

Ora 13:37
Kaosi në Kuvend/ Spiropali: Aktet e dhunës dhe urrejtjes nga opozita të papranueshme

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali e cilësoi si të panevojshme dhe të papranueshme kaosin në sallën e Kuvendit nga deputetët e opozitës. Në një takim me rektorët e universiteteve publike dhe jopublike të vendit në kryesinë e Kuvendit, Spiropali foli edhe për situatën e djeshme në seancën plenare.

“Vijojë sot në këtë takim pas një të enjtjeje të trazuar në seancën plenare. Pa dyshim seria e radhës e një filmi të parë shumë herë, që pavarësisht shkaqeve dhe fajtorëve sfidon solemnitetin e pushtetit legjislativ, dëmton funksionalitetin e tij dhe jep një shembull të keq në raportin mes nevojës dhe reagimit, pritshmërive dhe realitetit”.

“Ai “mur berlinez” urrejtjeje që ngrihet aq artificialisht në atë sallë, ai demonstrim i panevojshëm i shndërrimit të kundërshtarit në armik, janë në gjykimin tim, e besoj dhe në atë të shumicës së qytetarëve, krejt i panevojshëm dhe i papranueshëm”, u shpreh Spiropali.

“Duke thënë këtë nuk dua kurrsesi as të mbaj qëndrim politik, as të jem palë me ndonjë nga palët në këtë konflikt të padurueshëm në kohëzgjatje, të pamoralshëm në motive dhe të dëmshëm për të gjithë në rezultat.

E përmenda të djeshmen, duke qenë e bindur se vetëm drita e arsimit dhe edukimit mund të lënë në hije këtë të kaluar dhe të tashme plot dritë-hije e tension.

Në Kuvend tashmë ka hyrë brezi i katërt i politikanëve të postpluralizmit dhe më ngjan se i pesti, ai brez që ndodhet sot në auditorët dhe në universitetet tona, do t’i shohë ata si model, si një model që duhet qortuar pa dyshim, por nga të cilët edhe mund të mësohet”, shtoi ajo.

“Qoftë edhe për këtë arsye të emergjencës politike që ka shoqëria jonë, në kushtet e depolitizimit të plotë të universiteteve, vetë universitetet mund të jenë banka e edukimit ndryshe të qytetarit shqiptar, më tolerant e më të përgjegjshëm, ushtrues të pasionit e jo të pasionit për ndeshje, të qytetarit të nesërm që pavarësisht bindjeve politike apo dhe refuzimit total të tyre, të jetë pjesë e një brezi me ndërgjegje shoqërore që vë individin në qendër të shoqërisë dhe vetë shoqërinë, kur e lyp nevoja, në shërbim të individit”, tha Spiropali.

A.Q/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët

Karambolohen dy autoveturat në Korçë-Pogradec, plagosen 2 pasagjerët