E përditshmja amerikane Wall Street Journal e quajti ditën më të errët të Donald Trump-it që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë. Pas vendimit të Gjykatës Supreme që rrëzoi një pjesë të madhe të tarifave, një president “normal” do të kishte zgjedhur: ose të respektonte vendimin dhe të kërkonte mbështetje nga Kongresi për t’i rikthyer ato në fuqi, ose të tërhiqej pjesërisht, duke mbajtur vetëm tarifat “strategjike”.

Por Donald Trump zgjodhi një rrugë të tretë. Sulmoi gjyqtarët me akuza të rënda dhe paralajmëroi tarifa të reja, duke u mbështetur edhe në dispozita të vjetra ligjore.

A mund ta bëjë vërtet? Sipas planit B të përgatitur nga Shtëpia e Bardhë, ai mund të rikthejë tarifa të përgjithshme doganore vetëm për pak muaj. Nëse do t’i bëjë të përhershme, duhet të ndjekë procedura teknike, të hapë hetime dhe të justifikojë masat me prova për shkelje nga vende të tjera. Pra, duhet të qëndrojë brenda disa kufijve ligjorë. Kjo do të thotë se nuk mund t’i rrisë dhe t’i ulë më tarifat doganore sipas interesit politik apo për arsye personale.

Skenari më i mundshëm? Tarifa 15% për 150 ditë. Seksioni 122 i Trade Act të vitit 1974 i lejon presidentit të vendosë një “taksë” të përgjithshme për pesë muaj në rast të një krize serioze të bilancit të pagesave. Pas kësaj periudhe, do t’i duhet vota e Kongresit ose të përdorë një tjetër dispozitë, Seksionin 338 të ligjit tarifor të vitit 1930, që lejon tarifa doganore deri në 50% ndaj vendeve që diskriminojnë SHBA-të. Por kjo është e vështirë për t’u provuar dhe lehtësisht e sfidueshme në gjykatë.

Një tjetër rrugë është ajo e “sigurisë kombëtare”. Në bazë të Seksionit 232 të Trade Expansion Act të vitit 1962, presidentit Donald Trump mund të zgjerojë tarifat ekzistuese doganore  për çelikun, aluminin, bakrin, drurin apo pjesët e makinave. Gjykata Supreme nuk i ka prekur këto masa. Shtëpia e Bardhë ka nisur tashmë hetime për t’i shtrirë në sektorë të tjerë si farmaceutikë, mikroçipa, minerale strategjike apo avionë.

Pastaj është edhe Seksioni 301 kundër “praktikave të padrejta”. Presidenti Donald Trump e përdori gjerësisht gjatë mandatit të parë kundër Kinës, duke vendosur tarifa doganore 25% mbi gjysmën e importeve kineze. Ai mund të tentojë ta zgjerojë këtë mekanizëm edhe ndaj vendeve të tjera, por sërish do t’i duhet hetim dhe argumentim konkret.

Ndërkohë, një tjetër çështje po shqetëson bizneset: rimbursimet për tarifat e paguara padrejtësisht. Teknikisht, ato mund të bëhen shpejt, sepse pagesat janë kryer elektronikisht dhe me kode specifike. Doganat amerikane rimbursojnë çdo ditë tarifa të paguara më shumë. Por nga administrata po sinjalizohet se qeveria nuk ka ndërmend t’i lehtësojë këto rimbursime. Përkundrazi, pritet që procedurat të bëhen më të ndërlikuara. /CorrieredellaSera