
Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka reaguar pas seancës së sotme parlamentare ku opozita ktheu në kaos sallën. Peleshi thotë se interesi i shtetit prevalon mbi interesin politik dhe se deputetët duhet të mbajnë përgjegjësi për sjellet që cënojnë dinjitetin e funskionimin e Kuvendit.
Peleshi thotë se një parti nuk mund të pretendojë se përfaqëson të vërtetën e vetme dhe nuk duhet harruar që të gjithë i shërbejnë qytetarëve të republikës.
Peleshi e përmbyll reagimin e tij duke i shprehur mirënjohjen punonjësve të Gardës dhe shërbimeve të Kuvendit.
Reagimi i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshit për seancën plenare
"Kuvendi i Shqipërisë nuk është thjesht një vend debatesh, por institucioni ku fjala dhe sjelljet e deputetëve duhet të mbajnë e dëshmojnë peshën e përgjegjësisë dhe t’u shërbejnë mirëkuptimit, jo përçarjes. Çdo sjellje që shkel etikën, respektin dhe rregullat e funksionimit të Kuvendit dëmton rëndë dinjitetin, cënon përfaqësimin dhe besimin e qytetarëve. Detyrimi ynë është të bashkëpunojmë për zgjidhje në të mirë të vendit, të zhvillojmë dialog serioz, jo të krijojmë kaos.
Mbi interesin politik qëndron interesi i shtetit. Asnjë forcë politike nuk mund të pretendojë se përfaqëson e vetme të vërtetën dhe asnjë ndarje partiake nuk duhet të na bëjë të harrojmë se të gjithë shërbejmë për të njëjtin vend dhe për të njëjtët qytetarë. Institucionet e Republikës janë vlerë e përbashkët, jo arena për beteja personale apo partiake. Ruajtja, forcimi dhe respektimi i tyre është përgjegjësi që na bashkon përtej ndarjeve tona politike. Vetëm kur e vëmë shtetin mbi partinë, mund të ndërtojmë një Shqipëri më të fortë për brezat që vijnë. Respekti për Kuvendin është respekt për Republikën, respekt për qytetarët.
Mirënjohje për punonjësit e Gardës së Republikës dhe të shërbimeve të Kuvendit, për korrektesën dhe përgjegjësinë në kryerjen e detyrës."
Lajmi kryesor:
Kuvendi 1 orë 'arenë' përleshjeje, deputetët e PD zaptojnë karriget e ministrave dhe përplasen me Gardën: Ku është Balluku? Shabani betohet mes flakadanëve, PS kalon direkt në votim












