“Epic Fury” dhe “Roar of the Lion” nuk e kanë ngadalësuar aq shumë programin bërthamor iranian: regjimit mund t’i mjaftojë vetëm një vit për të arritur te Bomba. Ky është vlerësimi — anonim — që burime të inteligjencës amerikane i kanë besuar Reuters-it.
Në vlerësimin e përcjellë agjencisë, ndryshimet në kalendarin e mundshëm janë konsideruar të kufizuara. Para konfliktit të qershorit 2025, parashikimi ishte se duheshin 3-9 muaj për të ndërtuar një armë bërthamore. Pas konfliktit, afati ka kaluar në 9-12 muaj, si pasojë e sulmeve të përsëritura ndaj Natanzit, Isfahanit dhe Fordow-it, të cilat thuhet se kanë shkaktuar dëme të pjesshme. Ofensiva e re duket se ka krijuar probleme vetëm në hyrjet e tuneleve dhe për këtë arsye ka mbetur afati prej një viti. Megjithatë, duke qenë se nuk ka qenë e mundur të kryhen inspektime në laboratorët, që duket se janë të paarritshëm, mungojnë të dhëna të drejtpërdrejta dhe të sakta. Ka gjithashtu pikëpyetje mbi bombat që mund të kenë depërtuar “mburojat” e impianteve. Dhe fakti që burimet janë anonime ia zbeh disi forcën këtyre deklaratave. Vlerësimi i shërbimeve sekrete bie ndesh me deklaratat e Donald Trump mbi suksesin e plotë të fushatës së sulmeve, ndërsa sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i ka cilësuar këto lajme si “spekulime”.
Në mes qëndron verdikti i AIEA-s. Drejtori Rafael Grossi ka saktësuar se nyja kryesore mbeten 440 kilogramët e uraniumit të pasuruar: një pjesë e mirë e tyre ndodhet në një bunker poshtë kompleksit të Isfahanit. Kështu, teknikët iranianë mund të përpiqen të rikuperojnë materialin e domosdoshëm për të vazhduar programin. Në lidhje me këtë kishte pasur zëra për një transferim në një vend sekret përpara ofensivës së madhe Izrael-SHBA, ndërsa një version i dytë shtonte se uraniumi ishte “shumë në thellësi”.
Më pas, Pentagoni ka lënë të kuptohet për plane mbi një ndërhyrje të ardhshme të njësive elitare për të marrë kontrollin e tij, një operacion me rrezik të lartë dhe shumë kompleks. Gardianët e Revolucionit janë të vetëdijshëm për kërcënimin dhe kanë marrë kundërmasa duke dislokuar njësi të tjera dhe duke krijuar pengesa në rrugët e pakta që të çojnë te kompleksi. Komandot, përveçse do të duhet të eliminojnë rezistencën, do të përballeshin edhe me problemin se si të trajtojnë uraniumin: nevojiten njësi të specializuara, konteinerë të veçantë dhe një angazhim i madh logjistik në territor armiqësor.
Dosja bërthamore, e debatueshme dhe një temë propagande për të dy kampet, shkon përtej raporteve të përsëritura mbi kapacitetet e Republikës Islamike. Politika ndikon, ashtu si ndikojnë edhe qëndrimet e administratës amerikane dhe të kritikëve të saj. Një studim i publikuar disa javë më parë ka përmendur rolin e mundshëm të një qendre të katërt, të njohur si “Pickaxe”, e vendosur në një tunel të paarritshëm nga bunker-buster-at, super-bombat e projektuara për të depërtuar mbrojtjet. Ajo ndodhet një milje larg Natanzit dhe 200 milje larg kryeqytetit, sërish në një zonë mjaft të largët nga bazat e mundshme të nisjes së një inkursioni izraelit ose amerikan.
Së fundi, është edhe dija e inxhinierëve iranianë. Vrasjet e shënjestruara kanë eliminuar më shumë se një duzinë prej tyre, ndoshta më të mirët, përgjegjës për kërkimet shkencore. Sulme të tjera kanë goditur infrastrukturat shkencore, të dëmtuara rëndë gjatë javëve të fundit. Një “prerje koke” progresive që, sipas synimeve izraelito-amerikane, duhet ta privojë Teheranin nga figurat kyçe. Nga ana tjetër, drejtuesit e teokracisë së drejtuar nga Gardianët e Revolucionit kanë kundërshtuar gjithmonë duke deklaruar se dija nuk mund të zhduket kurrë plotësisht./ Corriere della Serra
Komente










