Tre shqiptarë janë arrestuar nga policia greke dhe 215 kilogramë marijuanë janë sekuestruar në zonën e Janinës. Mes të arrestuarve është dhe një vajzë 23 vjeç.

Në bazë të informacioneve, policia u vu në ndjekje të 23-vjeçares, e cila po drejtonte automjetin të ngarkuar me drogë. Brenda në makinë ishte dhe djali i saj 2-vjeçar. Ajo gjithashtu ka bërë në rrugë manovra të rrezikshme duke përplasur automjetet e policisë e duke shkaktuar dëme. Pas saj udhëtonte automjeti me dy personat e tjerë.

Ngjarja ndodhi në aksin Janinë–Kozan, ku policia pikasi automjetin e dyhimtë, shoqëruar nga një mjet tjetër që shërbente si eskortë. Shoferja nuk iu bind urdhrit për ndalim dhe tentoi t’i shpëtonte kontrollit, duke përshkuar një distancë të gjatë në zona të Grevenës.

Ndjekja përfundoi në Vovousa të Janinës, ku mjeti u ndalua nga efektivët e Departamentit të Narkotikëve dhe njësitë O.P.K.E. Brenda makinës u gjetën 118 pako marijuanë, me peshë totale 215 kg. Në automjet ndodhej edhe djali 2.5-vjeçar i shqiptares.

Policia sekuestroi gjithashtu makinën, targa greke që i përkisnin një automjeti tjetër, targat origjinale shqiptare të fshehura brenda, peshore metalike për drogën, 2.7 gram marijuanë dhe tre telefona celularë.

Në automjetin tjetër u gjetën dhe u sekuestruan 510 euro dhe 2 telefona celularë. Tre të arrestuarit pritet të dalin përpara Prokurorisë së Janinës ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së trafikut të drogës si dhe për identifikimin e personave të tjerë.