Dy udhëtarë u ndaluan sot në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit për shkak se gjatë kontrollit në kufi iu gjetën në total 26 mijë euro dhe paundë të padeklaruara.
Në rastin e parë, një 37-vjeçar shqiptar, rezident në Mbretërinë e Bashkuar, u kap teksa tentonte të fuste në Shqipëri 15 mijë paundë të padeklaruara. Shuma u gjet gjatë kontrollit në vijën e dytë dhe u sekuestrua.
Në një rast tjetër, një 32-vjeçar nga Kamza u ndal teksa po përpiqej të nxirrte nga vendi 11 370 euro, gjithashtu pa i deklaruar, në kundërshtim me ligjin. Edhe kjo shumë u sekuestrua nga autoritetet.
Të dy shtetasit po hetohen në gjendje të lirë, ndërsa paratë janë sekuestruar si provë materiale.
Njoftimi i plotë i Policisë Kufitare të Rinasit
Goditen dy raste të mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi. Sekuestrohen mbi 26 mijë euro dhe paundë. Procedohen penalisht dy shtetas. Në kuadër të kontrolleve të dedikuara, të bazuara dhe në analizën e riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kanë evidentuar dhe goditur dy raste të mosdeklarimit të parave në pikën e kalimit kufitar. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi shqiptar D. Sh., 37 vjeç, rezident në Mbretërinë e Bashkuar, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 15 000 paundë, që synonte t’i fuste në territorin e Republikës së Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Po ashtu, u procedua penalisht shtetasi A. Z., 32 vjeç, banues në Kamëz, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 11 370 euro, që synonte t’i nxirrte nga Republika e Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me ligjin. Kontrollet dhe verifikimet nga Policia Kufitare do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme në kufi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente










