Një 48-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Kurbin, pasi dyshohet se shpërndante heroinë dhe kishte kultivuar dhjetëra bimë kanabisi në oborrin e banesës së tij.
Sipas policisë, gjatë operacionit të koduar “Veprimtaria” u arrestua në flagrancë 48 vjeçari Saimir Keqi banues në Kurbin.
Gjatë kontrollit në banesën e tij në fshatin Fushë-Kuqe, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan 776 gramë lëndë të dyshuar narkotike heroinë, si dhe një peshore elektronike.
Po ashtu, në oborrin e banesës u konstatuan 144 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Bimët u asgjësuan me djegie, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Sipas policisë, 48-vjeçari dyshohet se furnizonte persona të tjerë dhe shpërndante lëndë narkotike heroinë.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe specialistët për hetimin e narkotikëve në DVP Lezhë.
Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të të arrestuarit.
Komente







