Kapet brenda ditës 1 ton drogë
në 4 operacione, për Greqi e Itali

TIRANE- Rreth 1 ton drogë është sasia e lëndës narkotike të sekuestruar vetëm gjatë ditës së sotme nga policia. Droga është kapur në zonat kufitare në vend, në atë të Muriqanit, Kakavijës, Igumenicë dhe në portin e Durrës.

Sipas burimeve policore sasitë e lëndës narkotike të sekuestruara kishin si destinacion Greqinë dhe Italinë.

RRETH 900 KG DROGE E BRAKTISUR NE KUFI ME GREQINE
Igumenicë -Një sasi prej rreth 900 kg marijuanë është kapur nga policia greke në zonën malore të Thesprotisë, pranë kufirit me Shqipërinë. Sipas policisë greke, droga e braktisur ishte e ndarë në 30 thasë dhe u gjet në një zonë të pyllëzuar disa kilometra (në vijë tokësore) me Konispolin dhe afër Igumenicës.

Sipas kanalit televiziv grek ITV, droga e braktisur, e gjetur në zonën veri-perëndimore të Greqisë, pranë Konispolit në kufi me rrethin e Sarandës dyshohet se ka ardhur nga Saranda. Ndëkaq, po sipas uniformave blu greke, dyshohet se droga mund te jetë transportuar në rrugë detare ose përmes qafë Botës.Policia ende nuk ka të dhëna në lidhje me personat që mund të jenë trafikant të kësaj sasie, ndërsa dyshohet se marijuana të ketë qenë në atë zonë prej disa ditësh.

SOT NE MURIQAN, KAPEN 26 KG KANABIS, DESTINACION ITALINE
Muriqan - Po gjatë ditës së sotme, një tjetër sasi e lëndës narkotike është sekuestruar në pikën kufitare të Muriqanit. 26 kilogramë kanabis sativa u sekuestruan, ndërsa u vu në pranga drejtuesi i mjetit, Armand Sadikaj nga Patosi i Fierit. Sipas informacioneve mbi këtë ngjarje, bëhet e ditur se droga kishte si destinacion Italinë.

SOT NE DURRES, SEKUESTROHEN 45 KG DROGE, PRANGA KORRIERES
Durrës - Policia kufitare në Durrës ka sekuestruar ditën e sotme 45 kilogramë kanabis. Sipas policisë, është bërë i mundur arrestimi i shtetases Dorina Cara, 26 vjeç nga Lezha. Droga ishte e fshehur në makinën tip Benz me targa AA 058 FC në pjesën e poshtme dhe mësohet se kishte si destinacion Italinë. Të ndaluarës i kanë sekuestruar edhe 235 Euro, 5 telefona celular dhe 7 karta Sim. Policia po punon për zbulimin e rrjetit.

SOT NE KAKAVIJE, 32 KG MARIJUANE NE AUTOBUSIN E LINJES TIRANE - ATHINE
Kakavijë - Policia kufitare në Kakavijë sekuestroi sot 32 kilogramë marijuanë. Sasia e lëndës narkotike është sekuestruar në autobusin e linjës Tiranë-Athinë “Albani Interlines”. Policia ka ndaluar drejtuesin e autobusit me targa YHT 9030 Arben Hysenllarin 40 vjeç.

ME 2 TETOR U SEKUESTRUA 1.2 TON NE VLORE NE NJE ANIJE PESHKIMI

Rreth 1 ton e 125 kilogramë është sasia e lëndës narkotike e sekuestruar nga policia në portin e Vlorës (më 2 tetor). Droga ishte fshehur në një prej anijeve të peshkimit. Droga kishte destinacion shtetin fqinj, Italinë. Sasia e lëndës narkotike u sekuestrua gjatë orëve të vona të mbrëmjes së 8 nëntorit në zonën e portit të Vlorës në brendësi të një anije peshkimi, e cila ishte pozicionuar në vendin e quajtur Triport në afërsi të Vërnecit.

ME 20 TETOR 3.7 TON DROGE U SEKUESTRUA NE KAKAVIJE
Më 20 tetor, plot 3.7 tonë marijuanë e destinuar për në Greqi nga pika kufitare e Kakavijës u sekuestrua nga drejtoria e policisë e Gjirokastrës, sasia më e madhe e drogës e kapur ndonjëherë në Shqipëri. Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu, i cili në atë kohë ndodhej për një vizitë në jug të Shqipërisë, në takimin me drejtorin e policisë së Qarkut Ajet Ibro dhe drejtorit të policisë kufitare, shprehu mbështetjen e SHBA-së. “Keni mbështetjen e SHBA në luftën kundër trafikut të marijuanës”- citohet tu ketë thënë i dërguari i SHBA-së drejtuesve të policisë së qarkut të Gjirokastrës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Dielli pas stuhisë, mediat italiane vlerësojnë Asllanin: Nisi aksionin e golit! Inzaghi: Kristjanin e kryqëzuan, s'e meritonte

Dielli pas stuhisë, mediat italiane vlerësojnë Asllanin: Nisi aksionin e golit! Inzaghi: Kristjanin e kryqëzuan, s'e meritonte