Një 25-vjeçar është arrestuar në flagrancë sot në aksin “Pezë Helmës – Ndroq” në Tiranë, pasi u kap duke lëvizur me makinë me një kallashnikov bashkë me municionin luftarak që dyshohet se do ta shiste në të njëjtën zonë. Operacioni i koduar “Dark Trade” u zhvillua nga Policia e Tiranës në aksin rrugor që lidh Pezë Helmësin me Ndroqin, ku i riu me inicialet E.H, banues në Kurbin, u ndalua dhe iu sekuestrua arma. Bashkëpunëtori i tij, një 19 vjeçar me inicialet F.C, është shpallur në kërkim.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
Finalizohet operacioni i koduar “Dark Trade”. Goditet një tjetër tentativë për të shitur armë zjarri. Arrestohet një 25-vjeçar që lëvizte me automjet, në aksin “Pezë Helmës – Ndroq", për të shitur 1 armë zjarri (kallashnikov).Identifikohet dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij. Sekuestrohet arma e zjarrit me municion luftarak. Si rezultat i punës operative dhe kontrolleve, të kryera nga Policia e Tiranës, me synim parandalimin e ngjarjeve kriminale, nëpërmjet evidentimit të shpejtë dhe goditjes së tentativave për të shitur armë zjarri, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Dark Trade”. Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë, gjatë lëvizjes me automjet, në aksin rrugor “Pezë Helmës – Ndroq”, shtetasi E. H., 25 vjeç, banues në Kurbin. Nga kontrollet në automjet u gjet 1 armë zjarri (kallashnikov) me municion, të cilën 25-vjeçari dyshohet se do ta shiste në zonën ku u kap. Më tej, nga veprimet hetimore është identifikuar bashkëpunëtori i shtetasit E. H., shtetasi F. C., 19 vjeç, banues në fshatin Pezë. Vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e tij. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











