Një kontroll policor në orët e para të mëngjesit në fshatin Stajkë të Vaut të Dejës çoi në zbulimin e një mine me telekomandë, e cila sipas Policisë ishte e lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë. Lënda shpërthyese ndodhej në automjetin që drejtohej nga një 38-vjeçar, i cili u arrestua menjëherë. 

I arrestuari është 38 vjeçari Euglen Buraku banues në Spitallë të Durrësit. Gjatë kontrollit u sekuestruan edhe automjeti, një maskë dhe dy telefona celularë.

Për të njëjtin rast është shpallur në kërkim edhe 34 vjeçari me inicialet E. P., banues në Durrës, i dyshuar si bashkëpunëtor.

Sipas Policisë, aksioni u zhvillua pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe u finalizua në kuadër të operacionit të koduar “Remote”. Hetimet vijojnë për të përcaktuar destinacionin dhe qëllimin e transportimit të minës, si edhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

" Vau i Dejës / Policia parandalon një ngjarje të mundshme kriminale. Finalizohet operacioni policor i koduar "Remote". Vihet në pranga një 38-vjeçar, i cili u kap duke transportuar një minë me telekomandë, të lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë.

Shpallet në kërkim një 34-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor i 38-vjeçarit. Sekuestrohen, në cilësinë e provës materiale, një minë me telekomandë, një automjet, një maskë dhe dy telefona celularë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas po transportonte një minë me telekomandë, kanë organizuar menjëherë ndërhyrjen, duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale.

Rreth orëve të para të mëngjesit, në fshatin Stajkë, u ndalua për kontroll automjeti me të cilin lëvizte i dyshuari. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një minë me telekomandë, të lidhur me një aparat celular për shpërthim në distancë. Gjithashtu, u sekuestruan automjeti, një maskë dhe dy telefona celularë.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale, u vu në pranga shtetasi E. B., 38 vjeç, banues në Spitallë, Durrës. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. P., 34 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë rast.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit, përcaktimin e destinacionit dhe qëllimit të transportimit të minës, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë"

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë