Një 45-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, është arrestuar në Tiranë pas një operacioni të policisë shqiptare dhe autoriteteve italiane.

Burri në fjalë, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, kishte katër vite në arrati dhe kërkohej nga Interpoli me një urdhër të lëshuar nga sekretariati i përgjithshëm në Lion të Francës.

Hetimet që çuan në lokalizimin dhe kapjen e tij u zhvilluan nga skuadra e Venecias dhe Shërbimi Qendror Operativ italian (SCO), nën koordinimin e Prokurorisë së Venecias.

Sipas mediave italiane, hetuesit monitoruan lëvizjet e familjarëve të 45-vjeçarit dhe zbuluan se ai jetonte në Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kohët e fundit ishte rikthyer në Shqipëri, moment që u shfrytëzua për finalizimin e operacionit në Tiranë.

45-vjeçari, i cili në kohën e aktivitetit kriminal jetonte në Mestre pranë Venecias, ishte dënuar përfundimisht për “organizatë kriminale” të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike dhe shpërndarjen e drogës.

Sipas dosjes hetimore, mes viteve 2019-2021 ai konsiderohej një nga figurat kyçe të grupit që furnizonte me kokainë tregun e drogës në zonën e Venecias. Hetuesit italianë thonë se ai merrte vendime të rëndësishme brenda organizatës, menaxhonte kanalet e furnizimit me drogë dhe organizonte shpërndarjen e saj në territor.

Arrestimi i tij është pjesë e projektit “Wanted”, një operacion i koordinuar për identifikimin dhe kapjen e personave në kërkim me profil të lartë, si në Itali ashtu edhe jashtë saj./CorrieredellaSera