TIRANE- Strukturat e Policisë së Kryeqytetit arritën të kapnin shtetasin Julian Sinani, 27 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Vlorë. Ky shtetas u kap në afërsi të zonës së “21 Dhjetorit” në Tiranë, me një armë zjarri tip pistoletë TT. Zytarisht Policia e Tiranës njofton se pas hetimeve të kryera mbi këtë shtetas, dyshohet se është autor i disa ngjarjeve të rënda në Tiranë, i dyshuar si vrasës me pagesë brenda dhe jashtë vendit. Aktualisht strukturat e policisë po punojnë për të dokumentuar përfshirjen e tij, në disa ngjarje duke bashkëpunuar me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Gjatë momentit të arrestimit, mësohet se Sinani ndodhej në shoqërinë e vajzës D.Çuni, 21 vjeçe, banuese në Vlorë. Kjo e fundit rezulton të jetë e dashura e tij, dhe se që prej mesditës së djeshme pozicioni i saj është duke u verifikuar me imtësi nga ana e strukturave hetimore.

Burime të rezervuara policore thanë se Sinani mbahej nën vëzhgim prej disa muajsh nga forcat speciale të Policisë së Tiranës, por rreth tij kanë mbërritur informacione nga pala italiane, e cila dyshonte se 27-vjeçari kishte vrarë disa shqiptarë në tokën e tyre, kryesisht për konkurencë ose prishje pazaresh për drogë ose prostitucion. Sakaq, ende të pakonfirmuara mbeten implikimet e tij në vrasjet në Shqipëri, por kohët e fundit me pagesë u dyshua se u vra Astrit Gjepali e Halil Fici, në Rrogozhinë, ndërsa vrasje mafioze tjetër është ajo e Elidon Lafetës, pronarit të kazinove.

Vrasja e biznesmenëve Admirim Sako, Hikmet Kotorri, etj. Janë një seri ngjarjesh të rëndë që policia në momentet e para ngriti pistën e ekzekutimit me pagesë. Nisur nga këto dyshime, arma tip pistoletë TT është dërguar për ekzaminim në laboratorin e policisë shkencore për verifikim, ndërkohë që specialistët e hetimit do kryejnë dhe një sërë veprimesh të tjera për të parë implikimin e Sinanit në ngjarjet e rënda kriminale.


Shkrimi u publikua sot (26.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)