CRIME STORY: Ushtarakët që mori viti 1997

Viti 1997 të gjithë e kujtojmë për dhunën. Për armët që ranë në duar të popullsisë, në duart e të mirit dhe të keqit. E kujtojmë për rrëzimin e të gjitha strukturave të shtetit.

Për bandat që nisën të merrnin kontrollin. Për thesin me miell që do zgjaste sadopak mbijetësen e familjes. E kujtojmë për shpartallimin e policisë, për policët që humbën jetën.

Por, përmes këtij tmerri të përjetuar nga një popull i tërë, pakkush i ka kushtuar vëmendje një tjetër kapitulli po aq të dhimbshëm. Është kapitulli i harruar dhe i panjohur i kalvarit të ushtarakëve, të cilët i zuri dita, apo nata, pranë reparteve që u bënë objekt sulmesh të dhunshme.

Të atyre ushtarakëve që guxuan të mbronin pasurinë e shtetit përballë turmave të çmendura dhe të armatosura.

Të atyre ushtarakëve që, në shërbim në shtetit të tyre dhe në mbrojtje të jetës së banorëve, riskuan dhe sakrifikuan jetën.

Vetëm 24 orë nga thyerja e depove të ushtrisë në zonën e Vlorës dhe grabitja e armëve, një grup njerëzish me maska do i drejtoheshin një reparti të vogël ushtarak, që gjendet në Porto Palermo.

Ishte një pikë vrojtimi e ushtrisë, që monitoronte me radar trafikun detar, dhe aspak një depo armatimesh. Por, qëllimi i sulmit ishte krejt tjetër. Maskat kërkonin të hakmerreshin ndaj komandantit të pikës së vrojtimit, Fatmir Kokës.

Sa kishte pasur shtet, njeriu që komandonte këtë pikë vrojtimi, i kishte ndaluar, u kishte prerë duart e zgjatura në krim. Kishte bllokuar kontrabandën e cigareve, u kishte hedhur në erë investimin që shkonte thellë me korruptime eprorësh, u kishte dëmtuar financat…

Për këto arsye, historia e Fatmir Kokës, është ndoshta më e dhimbshmja me dhjetëra episodeve të gjashme me ushtarakët gjatë vitit 1997.

Po kush ishte Fatmir Koka dhe përse ishte kthyer halë në sy për kontrabandistët e cigareve?

Përse duhej që, menjëherë pas rrëzimit të shtetit në Jug të vendit, pikësëpari bandat të kujdeseshin për ekzekutimin e tij?

Cila është historia?

Si e kujtojnë kolegët dhe të afërmit Fatmir Kokën?

Fatmir Koka ishte një officer shembullor në kohën e gabuar. Në fund të vitit 1996 dhe në fillim të vitit 1997, falimentimi i skemave mashtruese piramidale, e kishte dobësuar shtetin. Për rrjedhojë, në portet e zonës së Himarës, kishin nisur të shfaqeshin anijet e kontrabandës së cigareve.

Ishte një veprimtari kriminale fitimprurëse që sigurisht kishte angazhuar krimin e organizuar të jugut të Shqipërisë, kryesisht bandat e Vlorës.

Sipas ish-drejtuesit të Forcës Detare, kapitenit të Parë, Artur Meçollari, në këto vite, gjiu i Porto Palermos nuk ishte zgjedhur rastësisht nga trafikantët për të bërë kontrabandën e cigareve. Gjeografia, vija bregdetare e përcaktonin këtë gji si më të përshtatshmin për veprimtari të paligjshme.

Për më tepër, njerëzit që drejtonin kontrabandën e kishin zgjedhur këtë gji detar si pikën më të favorshme. Anijet me cigare vinin nga jugu, nga drejtimi i Korfuzit, vijonin ecjen në drejtim të Vlorës, por kur gjendeshin përballë Porto Palermos, kthenin menjëherë kursin 90 gradë në drejtim të bregdetit dhe për pak minuta ankoroheshin në mol. 

Gjiu i Porto Palermos ishte vërtet pika më e përshtatshme për të realizuar kontrabandën e cigareve, ishte vërtet i aksesueshëm nga deti dhe toka dhe larg syve të dëshmitarëve e të tjera, por kishte një problem.

Në jug të tij lartohej pika e vrojtimit me radar e Bazës Ushtarake të Sarandës. Për më keq, Fatmir Koka, komandanti i saj – banor i fshatit Qeparo, ishte një tip i vështirë dhe me të cilin nuk mund të bijë në ujdi për pazare të pista.

Ndërkohë të tjerë kolegë të Fatmirit, edhe në kurriz të tij, edhe në kurriz të shtetit, kishin nisur, me mënyra të ndryshme, që ti shërbenin kësaj linje të kontrabandës. 

Por edhe pse në mesin e një peizazhi magjik, natyra njerëzore duket e ka pasur të vështirë të harmonizohej.

Dikur një nga kolegët, me qëllim ndëshkimin e Fatmir Kokës - komandantit të pikës së vrojtimit, falsifikon datën e një informacioni të shkruar që bënte fjalë për lëvizjen e një anije të kontrabandës së cigareve.

Fatmir Koka thirret në Tiranë, merret për 3 ditë me radhë në pyetje dhe vuan. Kur mbërrin në shtëpi, vëllezërit e shohin të tjetërsuar.

Për fat, po ato ditë, zbulohet se një nga vartësit e tij kishte falsifikuar librin e shërbimit – veprim i bërë me porosi të kontrabandistëve me qëllim për të ndëshkuar ushtarakun që i pengonte, Fatmir Kokën.

Shkatërrimi i shtetit në fillim të marsit 1997 do të dënonte me vdekje të gjithë ata njerëz që, duke i shërbyer atij me ndershmëri, ishin ndeshur dhe kishin dëmtuar krimin.

Kjo ishte arsyeja që menjëherë pas hapjes së depove të para të ushtrisë në zonat e Himarës dhe Sarandës, njerëzit me maska sulmuan, së pari, pikën e vrojtimit të Flotës në Porto Palermo.

Dëshmitarët okularë kishin parë disa njerëz me maska dhe të armatosur me kallashnikovë të ngjiteshin në drejtim të pikës së vrojtimit.

Më pas të njëjtët dëshmitarë kishin dëgjuar të kërcite pushka. Sa duket Fatmir Koka nuk i kishte lejuar të futeshin në territorin e pikës së vrojtimit, duke bërë rezistencë deri në sakrifikimin e jetës.

Por kolegët, që ishin atë ditë bashkë me komandantin e tyre, nuk kanë dëshmuar hollësi të ngjarjes.

Ato ditë, nën presionin e frikës, ata pëshpërisnin një version sipas të cilit komandant Fatmiri ishte vrarë nga pakujdesia.

Për më keq akoma, ngjarja nuk u hetua mirëfilli, madje ajo nuk gjendet e pasqyruar as në komunikatën ditore të policisë së Vlorës.

Një vit më pas, në mars 1998, në përvjetorin e rënies, shteti i kohës nuk ngurroi ta cilësonte Fatmir kokën “Dëshmor të Atdheut”.

Pranë rrugës së bregut, në afërsi të pikës së vrojtimit të marinës në Porto Palermo, gjendet një përkujtimore në nder të tij. Një shenjë që orienton vëmendjen, e atyre që njihnin Flamur Kokën, drejt kujtimit dhe mirënjohjes.

Gjatë trazirave të vitit 1997 raste të ngjashme, të humbjes së jetëve të ushtarakëve, në mbrojtje të depove apo reparteve të tyre, do të përsëriteshin.

Kështu, më 12 mars 1997, gjatë sulmit të turmave të armatosura në një repart të Gruemirës, në veri të Shkodrës, do të humbnin jetën dy oficerë dhe një ushtar: Komandanti i repartit, Muhamet Hasmuja, nga Grizha e Malësisë së Madhe, oficeri Arben Hoxha nga Elbasani dhe ushtari Edmond Lleshi.

Ushtarakët bënë rezistencë me armë ndaj turmës së armatosur, duke e konsideruar mbrojtjen e repartit si detyrë të shenjtë. Sipas komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes, pasojat e ngjarjes ishin shumë më të rënda.

“Gjatë ditës së djeshme turma të armatosura kanë vazhduar sulmet ndaj njësive të ushtrisë si dhe grabitjet e armatimit, municionit, rezervave ushqimore dhe veshmbathjes. Gjatë kryerjes së veprimeve për mbrojtjen e batalionit të këmbësorisë në Gruemirë, Shkodër, ranë në krye të detyrës oficerët: Muhamet Hasmuja, me detyrë komandant baterie, Arben Hoxha, me detyrë komandant toge dhe Edmond Lleshi, ushtar. Janë plagosur dhe ndodhen në gjendje shumë të rëndë shtatë oficerë, Idajet Hoxha dhe Ramadan Ceka, kapterët Nami Sejati, Muhamet Mata, ushtarët Jetmir Kullolli nga Puka, Paulin Lepuri nga Burreli, Urim Qoku nga Bulqiza, Paulin Marku nga Puka, dhe Fisnik Mucilla nga Peshkopia, që të gjithë efektivë të batalionit të këmbësorisë në Gruemirë.

Por, gjatë vitit 1997, ushtarakët nuk do të lëndoheshin e humbnin jetët vetëm duke mbrojtur repartet apo asetet e tjera të ushtrisë. Viktimat më të shumta do të shkaktoheshin gjatë procesit të sistemimit apo neutralizimit të municioneve, predhave apo lëndëve shpërthyese që rrezikonin jetën e banorëve.

Ushtria, ajo pjesë e përgjegjshme që nuk ishte shkatërruar, do të vihej në lëvizje pas një numri shpërthimesh të përgjakshme në depot dhe tunelet me armatim e municion.

Vëmendje ekstreme do të sillte sidomos shpërthimi i datës 29 prill 1997, në tunelet e ushtrisë në Qafë-Shtamë të Matit – një katastrofë e vërtetë, që do të merrte, në një sekondë të vetme, jetët e 23 banorëve të zonës, mes të cilëve të 10 fëmijëve të moshave nga 8 deri në 14 vjeç.

Shkaku i ngjarjes, sipas komunikatës së policisë të datës 30 prill 1997, do të ishte pakujdesia:

“…Humbja e jetës së këtyre shtetasve ka ardhur si rezultat i futjes në tunel për të marrë gëzhoja predhash, pasi hiqnin predhat, derdhnin barutin në vend dhe gëzhojat i transportonin për në banesat e tyre. Hyrjen dhe daljen në tunel, këta shtetas e bënin me mjete ndriçimi si bateri dore, fener vajguri, qirinj të ndezur, çakmak etj. Kështu, nga pakujdesia merr zjarr baruti dhe në një kohë shumë të shkurtër u krye shpërthimi masiv ku si pasojë edhe këta shtetas humbën jetën e tyre.”

Sipas rrëfimit të banorëve, historia ishte e dhimbshme. Fëmijët e disa familjeve kryesisht të varfëra, kishin dëpërtuar në labirintet e tunelit për të marrë gëzhojat prej bronxi të predhave të artilerisë, pasi u kishin thënë se shiteshin, se ktheheshin në të holla.

Pas shpërthimit, disa pjesë të trupave të atyre që humbën jetën, nuk ishin gjetur.

Pikërisht pas kësaj ngjarjeje të dhimbshme, me qëllim mos humbjen e mëtejme të jetëve të shqiptarëve që kërkonin të përfitonin nga municionet luftarake, Ministria e Mbrojtjes e kohës së Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, vendos të ndërhyjë.

Ushtria autorizohet të bëjë sigurimin tuneleve dhe depove të rrezikshme me municione e lëndë luftarake.

Për pasojë, përballja e ushtarakëve me   këtë detyrë specifike, do të sillte humbjet më të mëdha në radhët e tyre gjatë vitit 1997.

Së shumti të pasqyruara në librin me titull “Gjaku që humbëm në mars”, të gazetarit Afrim Imaj, historitë janë të dhimbshme. Të dhimbshme sepse në të gjitha rastet oficerët e ushtrisë, si të ishin në një front lufte, kanë humbur jetën me qëllim që të shpëtonin jetët e të tjerëve, jetët e banorëve dhe të fëmijëve të tyre.

Urdhëri për “çminim me çdo kusht të objekteve të ushtrisë” nuk vihet në diksutim, edhe pse kushtet e mjetet për këtë punë specifike mungonin.

Major Aqif Karaj, me origjinë nga Cërriku, njohur si njeri antiminë, për shkak se u kishte mbijetuar dy shpërthimeve, nuk i shpëton një të treti. Ai humb jetën duke pastruar minat, predhat dhe barotin, në tunelet e Gjerovenit në Berat.

Kapitenët Mehmet Hysa dhe Flamur Radani do të humbnin jetët duke pastruar minat në një regjiment të largët në Peshkopi. Të dy nuk e kishin bërë dysh urdhërin e komandës për të punuar në kushte të rrezikshme me qëllim pastrimin e zonave të rrezikshme për komunitetin.

Por, ngjarja më e rëndë do të shënohej me 15 maj 1997 në Picar të Gjirokastrës. Fatkeqësia do të godiste 15 oficerë të divizionit “Labëria” të dërguar atje në një operacion për grumbullimin e municioneve luftarake.

Katër prej tyre, oficerët Vladimir Çumaku, Bardhyl Këlliçi, Albert Lelaj dhe Ferdinand Dosti do të humbnin jetët mes flakëve. Të gjithë të tjerët do të vuanin gjatë nga djegiet trupore të gradës së rëndë.

Sipas oficerit të mbiejtuar, Pëllumb Shalari, shpërthimi kishte pasur në kohë të parë dhe një kohë të dytë. Shpërthimi i parë kishte qenë i papritur dhe i fuqishëm. Dhe kur, të përfshirë nga flakët, oficerët po përpiqeshin të largoheshin nga zona e rrezikut, një shpërthim i dytë edhe më i fuqishëm, do të shpejtonte tragjedinë.

Nga kjo ngjarje tashmë kanë kaluar dekada, dhe duket sikur plagët janë shëruar, madje edhe vendi i shpërthimit, në depot e Picarit, nuk njihet, pasi e ka mbuluar vegjetacioni.

Por thellë nën gjelbërim, copërat metalike të predhave ende e helmojnë token, ashtu siç helmojnë plagët e vjetra trupat dhe shpirtrat e oficerëve të mbijetuar të divizionit “Labëria”.

Rreth 30 oficerë dhe ushtarë humbën jetën gjatë vitit 1997, në mbrojtje të reparteve dhe logjistikës ushtarake dhe së shumti gjatë pastrimit të zonave të kontaminuara me mina, predha dhe lëndë të tjera të rrezikshme. 

Rreth 20 oficerë dhe ushtarë humbën jetën duke pastruar objektet e shkatërruara të ushtrisë nga minat e predhat, në funksion të shpëtimit të jetëve të fëmijëve dhe banorëve të zonave.

Për fat të keq, kjo sakrificë, ndoshta më e rëndësishmja e vitit 1997, nuk ka bërë vend në memorien e shoqërisë shqiptare.

Ajo ende vijon të mbetet një kapitull i harruar, i pluhurosur, i pavlerësuar dhe i pastudjuar.

Një kapitull TURPI.

M.Q./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gjin Bue Shpata: 09/06/2024 23:56

    Turpi qëndron me politikën. Si me ata që e përdoren ushtrinë për t'ju kundërvënë pjesës që s'donte Saliun si me krahun e majtë që përdori ish ushtarakët e dalë përdhunshëm në lirim pas asnje përkrahje për të sulmuar ish njësitë e tyre.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar