Kapllan Resuli, “Tradhëtia”, romani  që dyshohej
se jepte të dhëna sekrete për UDB-në

Kapllan Resuli, “Tradhëtia”, romani  që dyshohej<br />se jepte të dhëna sekrete për UDB-në
TIRANE- Akademiku Kapllan Resuli nuk hyri rastësisht në plejadën e shkrimtarëve të shquar shqiptarë.Ate e ngriti aq lart dhe e bëri të pavdekshëm në mendjen dhe zemrën e kombit shqiptar vepra e tij. Pa dyshim, vepra që e bëri të njohur dhe të nderuar për lexuesin shqiptar shkrimtarin e talentuar Kapllan Resulin ishte romani TRADHTIJA. Kjo vepër e gjen zanafillën në kampin e përqëndrimit të të burgosurve në Idrizovo, rreth 10 km larg Shkupit, ku edhe lindi dhe u strukturua si vepër e si roman.

Resuli qysh me kohë kishte dëgjuar për Abdullah Krashicën, të quajtur edhe Abdullah Presheva një patriot kosovar. Kur arriti si i burgosur politik në Idrizovo, gjeti aty të dënuar politikë shumë nga shokët e luftës të Abdullah Preshevës, komandanta e komisarë repartesh partizane, po dhe partizanë më të thjeshtë. Ata i folën më lirisht për komandantin e tyre, Abdullah Preshevën, sidomos kur u siguruan se tek Kapllan Resuli mund të besonin.

Duke dëgjuar bisedat e tyre për Kosovën, atdheun, lirinë, Profesor Resulit i lindi ideja për të shkruar diçka për Abdullah Preshevën, ndonjë reportazh, si ai që tashmë e kishte shkruar e botuar për majorin slloven Anton Pristov. Sa më shumë që dëgjonte e më shumë i forcohej ajo ide, që dalngadalë nisi t’i formulohej si tregim, pastaj si novelë dhe, më në fund, edhe si roman.

Kështu, nga fundi i vitit 1959, Profesori e kishte krijuar skemën strukturore dhe konceptin e parë të atij romani. Muajt e parë të vitit 1960 një të diele ai i mblodhi të burgosurit politikë me të cilët kishte muhabet, dhe ua tregoi subjektin e romanit fill e për pe dhe me atë rast dëgjoi vërejtjet e tyre dhe ditët që vijuan e korigjoi dhe e plotësoi kryeveprën e ardhshme.
Me që në fillim të gushtit të atij viti do të lirohej nga burgu intelektuali nga Gostivari Adnan Agai, ai  thërret mënjëanë dhe i pati thënë:

- Shiko Kapllan, pas një muaji duhet të lirohem edhe unë. Po siç po shkojnë punët këtu, kësaj historie të trishtë nuk i dihet, sepse ti po e sheh se vazhdimisht kurdisin plane kundër nesh. Ka mundësi që të më qesin prap në gjyq e të më dënojnë. Bile, ka mundësi që të më eliminojnë edhe mua fizikisht siç u perpoqen të të eleminojnë edhe ty. Nuk më vjen keq do të vdes, por më vjen keq se mund të mbetet pa u shkruar e botuar romani për Abdullah Preshevën.

Prandaj të lutem, po more vesh se nuk jam gjall, ulu e shkruaje ti këtë roman.
Pas kësaj ai ia pati ritreguar edhe një herë ngjarjen ashtu siç e kishte konceptuar në mendje. Po, pas një muaji, Profesorin e liruan nga burgu. Atëherë A.Agai i kishte thënë:
-Tash Pofesor keni mundësinë të uluni e ta shkruajeni ju romanin për Abdullah Preshevën!

Pas disa ditësh Profesori u arratis në Shqipëri. Autoritetet shqiptare, për të gjitha ato të mira nga më të shquarat, që ia kishte kontribuar popullit shqiptar, për të gjitha sakrificat e tij nga më sublimet, në shenjë mirënjohjeje dhe falenderimi e patën përplasur në kampin e përqëndrimit të emigracionit jugosllav në Çermë, ku nuk kishte mundësi për të bërë një jetë më të thjeshte e normale, e jo më edhe për t’u marrë me shkrime.

Po Profesori tashmë gëzonte një vullnet të hekurt dhe shpresonte tek e ardhmja, prandaj përpiqej të ingranohet në jetën e përditëshme me talentin të tij të padiskutueshëm prej krijuesi, përmes penës së tij të artë. Me gjithë pengesat e panumurta qe i dilnin perpara, ai menjëherë iu shtrua punës dhe nisi të shkruante romanin. Dihet se tavolinë e karrike nuk kishte, madje as laps e leter normale. Në kapanonin ku flinte, kishte edhe rreth 100 të internuar të tjerë, që vazhdimisht lëviznin, hynin e dilnin jo vetëm ditën, por edhe natën.

Në vend të tavolinës, një nga shokët e tij improvizoi aso kohe një copë kompensatoje, të cilen profesori e mbështeste mbi gjunj, duke qenë i ulur në shtrat. Këtu e kështu pati nisur të shkruhej një nga kryeveprat e letersisë sonë,romani “TRADHTIJA”.

 Ndërkohë, duke shkruar romanin TRADHTIJA, këtë kryevepër të letërsisë shqiptare, pareshtur shkruante e botonte edhe vepra të tjera, sidomos për trupën e estradës dhe të teatrit të emigracionit. Në shtypin e kohës fare pak i botonin krijime profesorit, sepse veprat e tij po linin nën “hije”, po eklipsonin veprat e shkrimtarëve të realizmit socialist. Me gjithë pengesat më evidente, talenti dhe shkathtësia e tij depërtuan edhe në organet qëndrore e kryesore të shtypit letrar të kohes. Kështu në revistën “Nëntori”, nr. 6/1962, iu botua tregimi “Mejremja”, ndërsa në revistën “Ylli”, nr.2/1963, i botohet vjersha e parë në shtypin shqiptar me titull “Betimi”, e më tej në gazetën “Drita” tregimi  “Bursa”.

Sapo e mbaronte ndonjë kapitull të romanit, i thërriste emigrantët me të cilët kishte muhabet, dhe ua lexonte. Kështu, një numër i tyre, e dëgjuan romanin TRADHTIJA jo vetëm pa u botuar, por edhe pa u përfunduar ende së shkruari.

Mes atyre, që më shpesh kanë dëgjuar leximin e kapitujve të romanit, kanë qenë Nazmi Berisha (që e ka pranuar këtë gjë edhe në librin e tij kushtuar jetës së Profesorit !), pastaj Ahmet Sadiku, Namik Luci, Bajram Tigani, Nexhat Kërnja, Hysen Belegu, Ymer Kelmendi, Ibrahim Gjonbalaj dhe Gjonbalajt e tjerë. Ndonjeri prej tyre menjëherë e pati mësuar ndonjë fragment edhe përmendësh, kurse Hyseni, që edhe flinte pranë Profesorit, duke dëgjuar për personazhet katolike, të romanit, krijoi bindjen se edhe Kapllan Resuli mund të ishte i krishtërë, bile dhe katolik.

Në verën e vitit 1962 romani ishte gati, i shkruar me dorë nga Kapllan Resuli në disa fletore, sepse makinë shkrim i nuk kishte. Në shtator të po atij viti Profesorin e liruan nga kampi, dhe e patën transferuar në qytetin e Lushnjës, po prap me statusin e të internuarit, bile pa i siguruar banesë dhe pa punë. Atëherë, për herë të parë, e lejuan profesorin të shkonte deri në qytetin e Shkoderës, për të parë të motrën dhe njerëzit e sajë.

Duke shetitur në rrugën kryesore të qytetit, i tërheq vemendjen në vitrinën e një dyqani një makinë shkrimi portabël, të markës EVEREST, qe kushtonte 10 mijë lekë. Pofesori nuk kishte lekë në xhep. Motra e tij i pati gjetur hua parat tek kushërinjtë dhe Profesori kështu u bë me makinë shkrimi për herë të dytë,sepse makinën e parë të shkrimit e kishte blerë në Tetovë, në vitin 1958, para arrestimit.

Sapo u kthye në Lushnje, ai i hyri punës për ta daktilografuar romanin. Duke e daktilografuar i bëri aty këtu edhe ndonjë korigjim apo ndonjë shtesë. Nga fundi i vitit 1962 romanin  ia pati nisur me postë Ndërmarrjes Botuese “Naim Frashëri”në Tiranë.Ndërmarrja Botuese, ose më saktë, ata që qëndronin pas asaj ndërmarrjeje, ia bllokoi romanin pa asnjëfarë arsye,pa i kthyer përgjigjeje për më shumë se një vit, diku deri në fillim të vitit 1964. Atëherë ia kthyen veprën me kërkesën absurde që t’i hiqte të gjithë emrat e vërtetë, si dhe disa pjesë apo kapituj, sidomos lidhur me kombin maqedon e organitatën e tyre antiturke VMRO.

Kështu, në vitin 1964, në vend që të projektonte dhe të shkruante ndonjë roman tjetër, iu desh rishtas të merrej me romanin TRADHTIJA, ta ripunonte e ta daktilografonte, pa patur asnjë kusht të favorshëm për punë, pa tavolinë e pa karrike, në qytetin e Lushnjës, në një barakë të vjeter në lagjen “Loni Dhamo”, Aso kohe profesori ishte angazhuar shpirtërisht në mësimdhënie,sepse sakrifikonte duke shkuar në këmbë çdo mëngjes në fshatin Karbunarë, ku jepte mësimin e matematikës, para dite në tetëvjeçaren e të vegjëlve dhe pasdite, deri në orën 8 të mbrëmjes, në shkollën e natës për të rriturit qe në atë kohë sapo ishte hapur.

Në maj të vitit 1964 Profesori ia nis perseri romanin NB “N.Frashëri”. Me urdhër të KQ të PPSH-ës ndërmarrja ia kalon veprën Lidhjes së Shkrimtarëve. Nga shkrimtari Dhimitër Xhuvani, pas disa muajsh, Kapllan Resuli merr vesh se romani i tij ishte ekspozuar në një dhomë sekrete të Lidhjes së Shkrimtarëve, ku persona të autorizuar shkonin, e lexonin dhe i raportonin Lidhjes për çdo gjë të dyshimtë, si dhe jepnin mendime për vlerat ideo-artistike të veprës. Dyshohej se mos ishte Kapllani agjent i UDB-së dhe se përmes romanit të tij i raportonte të dhënat sekrete te mbledhura në Shqipëri.
 
Së fundi e thirrën Profesorin nga Lushnja në Tiranë, në NB “N.Frashëri” dhe i kërkuan që urgjentisht ta zgjeronte pak EPILOGUN e veprës. Profesorit as që i shkonte mendja se për çfarë qëllimi bëhej kjo, dhe nuk mendonte se ata dyshonin se mos nuk ishte ai autori i asaj vepre! Mori epilogun dhe shkoi në Qytetin “Studenti”, në një dhomë të konviktit, ku ishin disa studentë, mes tyre edhe dy-tre, që më vonë do të afirmohen edhe ata si shkrimtarë. Ishin Kiço Blushi dhe poeti i ardhshën Ndoc Gjetja. Aty, në sytë e tyre profesori pati qendisur nga e para epilogun e romanit në fjalë dhe që të nesërmen në mëngjes ia pati dorëzuar ndërmarrjes botuese “N.Frashëri”.

Kështu, pas shumë peripecish, vështirësish, sabotimesh, kontrollesh të rrepta e analizash meskine, më në fund, në faqet e gazetës “Libri” qe botuar njoftimi se “Së shpejti do të botohej novela “Tradhëtia” e Kapllan Resulit”. Kërkohej të quhej novele, pasi nga 392 faqe që kishte shkruar autori me 1962, veprës iu hoqën rreth 100 faqe dhe më në fund në maj të vitit 1965 libri doli doli nga shtypi me 259 faqe. Madje duke e shkurtuar dhe masakruar kështu, romanit i ishtë bërë edhe një gabim teknik shumë i rëndë, që autori do ta korigjonte pas shumë vitesh, në botimin e dytë, pa fjalë dhe pa u ankuar.
 
Akademiku, prof. dr. Kapllan Resuli  ka filluar të shkruajë e të botojë në gjuhën serbo-kroate dhe ka vazhduar edhe në të gjitha gjuhët e tjera, që ndërkohë i ka zotëruar mirë rreth dhjetë gjuhë. Shumë shpejt qe afirmuar dhe qe bërë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë dhe më vonë edhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Cërna Gorës, Zvicrës, anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve Serbë në Zvicër. Profesori njihet jo vetëm si shkrimtar, por edhe si publicist, bile edhe si shkencëtar, ballkanolog, veçanërisht si albanolog. Si të tillë e kanë përfshirë në shumë LEKSIKONE, ËIKIPEDA, bile edhe në shumë ENCIKLOPEDI të popujve dhe shteteve të ndryshme.

Ministria e Arsimit dhe e Kulturës e Shqipërisë do ta fuste për pak kohë edhe në programin zyrtar për shkollat e të gjitha kategorive, si dhe në Programin e letersisë në     Universitete. Kapllan Resulin, më saktë zbulimin e tij shkencor nga fusha e fonetikës shqiptare, do ta gjeni edhe në FJALORIN ENCIKLOPEDIK SHQIPTAR, por pa emrin e saktë të tij, sese në atë kohë ai ishte i arrestuar.

Romanin TRADHËTIJA Kapllan Resuli e ka shkruar në gjuhën shqipe, saktësisht në gegërisht. Vetë forcat shkencore dhe krijuese shqiptare, bile jo kushdo, por arsimtarët e gjuhës shqipe të mbledhur në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodër, e kanë shpallur librin e tij si kryevepër të letërsisë shqiptare në prozë, bile është quajtur UNGJILL i patriotizmit shqiptar, ndërsa gjuhën e këtij romani e patën propozuar si gjuhë zyrtare, kombëtare. Me gjithë persekutimet më skandaloze, që i janë bërë dhe vazhdojnë t’i bëhen sot e kësaj dite kësaj vepre nga qeveritë shqiptare kohë pas kohe dhe njerëzit e indoktrinuar me të tipit enverist, romani ka arritur të botohet plot pesë here.

Ja botimet qe i janë bërë në kohë të ndryshme këtij romani:
- Botimi i parë: Tiranë 1965, Shtëpia Botuese „Naim Frashëri“, tirazhi 5000 kopje, formati 78 x 109/32, faqe 259, Shtypshkronja „Mihal Duri“, redaktore: Donika Omari, korrektore: Neka Turkeshi, piktor: Ksinofon Dilo, redaktor teknik: Adem Lita.

Njihet si botimi zyrtar i Qeverisë Shqiptare dhe i Partisë së Punës të Shqipërisë, i bërë me leje të veçantë nga KQ i PPSH-ës, pas kontrollit të imtë dhe special të ekspertëve të KQ dhe të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ndër të cilët deri më sot autori ka arritur të identifikojë: Ramiz Alinë, Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Ibrahim Uruçin, Sterjo Spassen, Dhimitër Xhuvanin dhe Nasho Jorgaqin.Në libër shkruhej se tirazhi ishtë 4000 kopje, por nga burime kofinenciale thuhet se janë botuar edhe 1000 kopje të tjera që janë futur ilegalisht në Kosovë.

Menjëherë pas botimit të veprës Kapllan Resuli qe pranuar Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëvedhe Artistëve të Shqipërisë, por vetëm formalisht, pa asnjëfarë të drejte. Bile vite me radhë nuk i njohën as të drejtën e orarit të reduktuar që i takonte si anëtar i Lidhjes. Edhe ato pak leje krijuese që i jepnin, sistematikisht ia patën sabotuar për ta penguar në punën krijuese.
Në këtë botim u hoqën të gjitha faqet e veprës që flisnin për kombin maqedonas dhe organizatën e atëhershme antiturke dhe antijugosllave VMRO.

Dyshohet të jenë futur fraza dhe mendime që synonin të ruanin të ashtuquajturin “bosht ideologjik të partisë”, për të cilat autori pati protestuar në shumë intervista qe pati dhënë pas daljes nga burgu. Vlera te veçanta romanit i shton gegërishtja e përdorur me mjeshtëri si gjuhë e pastër dhe e pa arritshme, në kundërshtim me “porositë e dhëna nga autoritetet” e shtetit komunist.  

- Botimi i dytë – i ripunuar: Doli në Tiranë në vitin 1967, Shtëpia Botuese „Naim Frashëri“, tirazhi 20.000 kopje, formati 78 x 109/32, faqe 392, Shtypshkronja „Mihal Duri“, redaktore: Donika Omari, korrektor: Xhevat Lloshi, kopertina: Robert Ballauri, redaktor teknik: Adem Lita. Me parathënie të prof. dr. Adriatik Kallullit.

Edhe ky ishtë botim zyrtar i Qeverisë Shqiptare dhe i Partisë së Punës së Shqipërisë, i bërë me urdhër të KQ të PPSH-ës, e në bazë të kërkesave të shqiptarëve në Shqipëri dhe në diasporë.

Në këtë botim, me kërkesën këmbëngulëse të autorit, janë shtuar disa nga pjesët që janë lënë jashtë veprës në botimin e parë nga redaktorja (sigurisht me urdhër të KQ të PPSH-ës!) si dhe disa korigjime dhe plotësime që ndërkohë, iu bënë nga vetë autori.Librit i është shtuar edhe dedikimi ndaj fëmijëve të autorit Arbenit dhe Arbanës.Në libër shkruhet se tirazhi është 15.000 kopje, po janë botuar edhe 5.000 kopje të tjera, që janë futur ilegalisht perseri në Kosovë.
Kapllan Resuli

















































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg