‘Kapni sëpatat’/ Ilir Meta drejt SPAK-ut nëse shkarkohet nga Kushtetuesja, Kuvendi e akuzon për dy vepra penale 

‘Kapni sëpatat’/ Ilir Meta drejt SPAK-ut nëse shkarkohet nga Kushtetuesja, Kuvendi e akuzon për dy vepra penale 

Ilir Meta dhe SPAK

Krahas mundësisë së shpalljes ‘Non Grata’ nga SHBA dhe humbjes së të gjitha privilegjeve, Ilir Meta mund të përfundojë në duart e SPAK-ut nëse Gjykata Kushtetuese do të konfirmojë vendimin e Kuvendit për shkarkimin nga posti i Presidentit, për shkelje të rëndë dhe të përsëritur të Kushtetutës. Ndoshta kjo është edhe arsyeja se pse Ilir Meta po ‘lëviz çdo gurë’ për t’i shpëtuar shkarkimit si President, që nga tentativa për të orientuar procesin drejt kurtheve procedurale deri tek shantazhimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.  

Në raportin e komisionit hetimor, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në 9 qershor 2021, për shkarkimin e Ilir Metës, theksohet se përpos shkeljes së 20 neneve të Kushtetutës, Ilir Meta ka konsumuar edhe dy vepra penale, gjatë angazhimit të tij në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, në krah të opozitës. Kuvendi pretendon se Ilir Meta ka konsumuar veprën penale të thirrjeve publike për veprime të dhunshme, parashikuar në nenin 223 të Kodit Penal, dhe që dënohet dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet, si dhe veprën penale të thirrjes për urrejtje kundër pjesëve të popullsisë, parashikuar në nenin 266 të Kodit Penal, për të cilën është caktuar një dënim nga dy deri në tetë vjet. Kuvendi i referohet thirrjeve të vazhdueshme të Ilir Metës për vetëgjyqësi, për dhunimin e patronazhistëve, për prerjen e duarve dhe kushtimeve për të mprehur sëpatat.

“Rezulton nga aktet që janë marrë në shqyrtim se ne shumë nga daljet e veta publike, Presidenti i Republikës ka zgjedhur të përdorë një retorikë dhune dhe të favorizojë haptazi në sytë e publikut dhunën si mjet për zgjidhjen e problemeve përkundrejt mjeteve që ofron shteti i së drejtës. Kjo retorikë dhune, e justifikuar në mbrojtje të votës nga vjedhja, ka pasur përshkallëzim të fortë deri në fund të fushatës. “Nëse një votë vidhet, do u pritet dora në sheshin Skënderbe, Kryemadhit të parit dhe të tjerat”, deklaronte Presidenti më datë 1 mars 2021, duke u ofruar shqiptarëve “drejtësinë” e Mesopotamisë së lashtë, në vend të shtetit ligjor. Më 19 prill 2021 Presidenti lëshoi thirrjen: “Gjejini (patronazhistët)! Izolojini! Mos i toleroni!…Ngrehuni dhe bjeruni, korrini dhe shtypini, katundar e punëtorë, që nga Shkodra gjer në Vlorë!”. Më 21 prill 2021 parulla e ditës ishte: “T’i mprehin sfurqet, kosoret, lopatat, sëpatat t’i mprehin e t’i kenë gati për të dielën”, thuhet në raportin e shkarkimit të Metës.

Gjykata Kushtetuese nuk shqyrton aspekte të elementeve penale që mund të ketë konsumuar Ilir Meta gjatë ‘dalldisjes’ së tij para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Por, nëse Gjykata Kushtetuese do të pranojë vendimin e shkarkimit të Ilir Metës, ky vendim konfirmon dhunimin e Kushtetutës nga Ilir Meta dhe është një mesazh i fortë për SPAK-un. Në njëfarë mënyrë, konfirmimi i mundshëm i shkeljes së rëndë të Kushtetutës, është edhe një konfirmim i konsumimit të dy veprave penale nga Ilir Meta. 

Nga ana tjetër, Ilir Meta është subjekt i SPAK-ut për çdo vepër të dyshuar penale, në bazë të nenit 135 të Kushtetutës si dhe të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.

Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë ditën e hënë për fatin e Ilir Metës. Nëse Kushtetuesja vendos shkarkimin nga detyra, Ilir Meta duhet të largohet që atë ditë nga Presidenca. Neni 63 i ligjit për Gjykatën Kushtetuese parashikon që vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rastin e Presidentit hyn në fuqi ditën e shpalljes dhe publikohet menjëherë në Fletoren Zyrtare. Nëse Kushtetuesja do të rrëzojë vendimin e Kuvendit për shkarkimin, Ilir Meta do të përfundojë mandatin dhe do të largohet nga Presidenca në korrik 2022 si të gjithë paraardhësit e tij.

K.T./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • XXXXXX: 04/02/2022 18:44

    Sopata te rente ne koke ne 7 shkurt.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim